Uji Dea

Gjenerali sjell historinë e ushtrisë shqiptare

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Promovohet në Akademinë e Shkencave historia e ushtrisë shqiptare (1912-1991) me autor Pëllumb Qazimin.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, Gjeneral Pëllumb Qazimi, aktualisht ambasador në Kroaci, publikon në gjuhën angleze një histori të ushtrisë shqiptare “Albania, the Military and the Foreign Influence (1912-1991)”). Monografia u promovua në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Naimi”, që së shpejti do ta botojë edhe në gjuhën shqipe.

Në promovimin e librit merrnin pjesë historianë, studiues të ndryshëm, veçanërisht ekspertë të historisë së ushtrisë shqiptare dhe përfaqësues të misioneve ushtarake apo diplomatike të akredituara në Tiranë. Ishin, gjithashtu, të pranishëm edhe përfaqësues të diasporës shqiptare në Kroaci. Për vlerat e librit folën, midis të tjerësh, edhe prof. Arshi Çela, ekspertët e historisë ushtarake prof. Proletar Hasani dhe kolonel Thimi Hudhra, ndërkohë që përshëndeti, edhe kryetari i këshillit të pakicës kombëtare shqiptare në prefekturën e Zagrebit, Mehmet Ali Zenuni.

Me librin, publikuar për herë të parë në Zagreb në gjuhën angleze nën titullin “Albania, the Military and the Foreign Influence (1912-1991)”, Pëllumb Qazimi ofron për lexuesit e huaj një vështrim kuptimplotë për historinë ushtarake shqiptare. Në këtë vepër tërësore, konceptuar dhe realizuar si doktoraturë në Universitetin e Zagrebit, “autori bën një paraqitje të gjallë prej gati tetëdhjetë vite të historisë shqiptare në shekullin e njëzetë, ndërkohë, gjithashtu, shqyrton në një farë mënyre edhe ato periudha të historisë të shekullit të 18-të dhe 19-të të historisë së Shqipërisë, që i shërbejnë objektivit parësor- ecurisë së zhvillimit institucional të ushtrisë shqiptare deri në vitin 1991, shkruan profesori i njohur kroat Ivo Goldstein në parathënien e librit. Ndërsa prof. Aleksandër Stipčević, albanolog kroat thotë se “Ky libër do të jetë i dobishëm për ata shqiptarë që nuk e njohin mirë të kaluarën ushtarake të vendit të tyre dhe shumë më tepër për ne, të huajt, të cilët shpesh harrojmë rolin që kanë luajtur shqiptarët në rajonin e Ballkanit dhe në Evropë”.

Autori mbështetet në një numër të konsiderueshëm burimesh arkivore, vendase dhe të huaja. Duke sintetizuar me kujdes këtë material të madh burimesh, autori në mënyrë kritike dhe të mprehtë paraqet ngjarje dhe zhvillime të një periudhe që përfshin pavarësinë e Shqipërisë, dy Luftërat Ballkanike, dy Luftërat Botërore, vendosjen e diktaturave komuniste në Evropën Lindore, dhe në fund ri-vendosjen e pavarësisë.

Për një lexues më profesionist vlera e vërtetë e librit “Albania, the Military and the Foreign Influence (1912-1991)” është numri i madh i burimeve, kryesisht shqiptare, që shumë rrallë janë trajtuar në literaturën e huaj që ka si subjekt Shqipërinë. Këndvështrimi i Pëllumb Qazimit është se historia e ushtrisë shqiptare nuk mund të vlerësohet e pavarur; ajo është e lidhur ngushtë me historinë e shtetit, me politikat, ekonominë dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Ashtu sikundër të rëndësishme për zhvillimin e shtetit shqiptar deri në vitet ’90 të shekullit të kaluar kanë qenë ndikimi i influencave të huaja; italiane, britanike, amerikane, jugosllave dhe sovjetike. Autori shmang kurthet e tërheqjes nga thjeshtimi dhe mitizimi ndaj këtij aspekti dhe ofron një pasqyrë unike të kualifikuar socio-politike të një çështje shumë të ndërlikuar.

Vlerësime për librin

“Monografia e ambasadorit Pëllumb Qazimi “Albania, the Military and the Foreign Influence (1912-1991)” është një libër pionier në historinë e ushtrisë shqiptare nga pavarësia deri në rënien e diktaturës komuniste”.

Prof. Ivo Banac, Universiteti i Zagrebit

“Me besim të plotë se “Albania, the Military and the Foreign Influence (1912-1991)” do të jetë një tekst i dobishëm dhe informativ, unë e rekomandoj atë për lexuesit shqiptarë dhe të huaj”.

Fundamenti

Prof. Ivo Goldstein, Universiteti i Zagrebit

“Një analizë shumë interesante dhe të plotë të traditave kombëtare dhe të ndikimeve të huaja në historinë ushtarake shqiptare (1912-1991)”.
Bo Eric Weber, ambasador i Mbretërisë së Danimarkës në Kroaci

“Ky libër do të jetë i dobishëm për ata shqiptarë që nuk e njohin mirë të kaluarën ushtarake të vendit të tyre dhe shumë më tepër për të huajt, të cilët, shpesh, harrojnë rolin që kanë luajtur shqiptarët në rajonin e Ballkanit dhe në Evropë”.

Prof. Aleksandar Stipčević, albanolog, Zagreb
“Libri i Pëllumb Qazimit jep një pasqyrë unike në një pjesë të historisë ushtarake të Shqipërisë që deri tani ka qenë e panjohur në botën e jashtme”.

Fredrik Vahlquist, ambasador i Mbretërisë së Suedisë në Kroaci
“Perëndimi i njeh mirë problemet shqiptare, por shpesh këto probleme kanë qenë keqpërdorur. Libri i Pëllumb Qazimit tregon qartë se Shqipëria është një aleate e shëndetshme e Perëndimit”.

Prof. Zef Mirdita, Zagreb.

Të dhëna për autorin

Pëllumb Qazimi ka lindur më 1957, në Skrapar. Në vitet 1981-1996 përfundon ciklin e arsimit ushtarak (Akademia Ushtarake, Akademia e Mbrojtjes, Kolegji i Mbrojtjes). 1992-2000 ndoqi disa kurse ndërkombëtare ushtarake dhe humanitare në vende evropiane dhe SHBA. 2000 u diplomua në Kolegjin Ushtarake Mbretëror, Universiteti i Cranfield, Mbretëri e Bashkuar, përfshirë MSc (2001). 1980-2000 ka kryer detyra të ndryshme në ushtrinë shqiptare. Shtator 2000-tetor 2006 (Gjeneral Brigade, Gjeneral Major dhe Gjeneral Lejtnant), Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Prej gushtit 2007, Pëllumb Qazimi emërohet si ambasador i Shqipërisë në Kroaci./rajonipress/