Çka janë paragjykimet
Nga Sefedin Musliu – Paragjykimet janë mendime, perceptime, pikëpamje apo përshtypje të gabueshme, të pabaza të paargumentuara, të njëanshme, të padrejta, të hamendshme, të ngulitura apo të formuara në mendjen e njeriut lidhur me dukuri, fenomene apo çështje të ndryshme, individë, grupe shoqërore, vende, vendbanime, raca, popuj, mjedise, shoqëri, profesione apo mosha të ndryshme, pa pasur fare njohuri për to, duke dhënë para kohe një mendim apo vlerësim pa kurrfarë baze shkencore.
Fjala paragjykim është përdorur në frëngjishten e vjetër qysh në mesjetën e hershme rreth vitit 1300 si ‘préjudice’, e cila rrjedh nga latinishtja ‘praeiūdicium.’ ‘Prae’ d.m.th. ‘para,’ ndërsa ‘iūdicium’ ‘gjykim.’ Anglisht ‘prejudice,’ gjermanisht ‘Vorurteil.’
Vështrim i përgjithshëm
Paragjykimet konsiderohen si dukuri apo pikëpamje negative ndaj një grupi të caktuar njerëzish. Paragjykimet mund të kenë ndikim të madh tek disa njerëz se si ndër-veprojnë dhe sillen me të tjerët, sidomos ndaj atyre që janë ndryshe nga ata. Pra, paragjykimi është një nder-vetëdije, i cili mund të ketë ndikim në sjelljen e njerëzve dhe në botëkuptimet e tyre, pa u vërejtur nga vet ata që paragjykojnë.
Paragjykimet nuk kanë kohë, vend apo mënyrë se si shfaqen dhe manifestohen, por ka shumë gjasa që ato të vazhdojnë dhe zhvillohen aty ku grupet shoqërore kanë vlera të ndryshme apo shihen si të ndryshme. Pra, disa njerëz të veçantë e shohin identitetin e tyre ndryshe apo më të avancuar në raport me grupet apo individët e përkatësive tjera, dhe pala që e ndjen veten më superiore në këtë rast, e diskriminon palën tjetër, që e konsideron veten inferiore. Ndodh që edhe vet ata që paragjykojnë, paragjykohen nga te tjerët.
Paragjykimet nuk janë edhe aq të lehta për t’u shpjeguar dhe janë me shumë komplekse se sa duken. Ato nuk shpjegohen thjesht vetëm me një artikull apo vetëm me disa fjalë dhe shembuj, për është një koncept shumë më i madh, dhe shpeshherë paragjykimi ngatërrohet me diskriminimin. Prandaj, paragjykimet kanë të bëjnë me pikëpamje negative drejt një individi apo grupi, kurse diskriminimi shfaqet atëherë kur këto ndjenja apo përshtypje veprojnë.
Pse njerëzit paragjykojnë?
- Grupi i parë është nga ata që kërkojnë të dominojnë ndaj të tjerëve dhe e shohin jetën si konkurrencë dhe duke i minimizuar të tjerët, mendojnë së kanë fituar.
- Grupi i dytë mendojnë se uni i tyre është në rrezik, dhe duke u krahasuar me të tjerët, dhe duke i paragjykuar të tjerët, ndjehen më mirë.
- Grupi i tretë, janë tipat konservative të matur apo të kujdesshëm, të cilët mendojnë se shoqëria duhet mbështetur tek rregullat dhe mënyrat e vjetra apo tradicionale të të jetuarit, dhe i paragjykojnë rregullat e reja.
- Grupi i katërt nuk mund ta përballojë dot mënyrën dhe idetë komplekse, dhe nuk pajtohen me ata që janë ndryshe.
Në të shumtën e rasteve, paragjykimet dhe stereotipet e plotësojnë njëra tjetrën. Stereotipet janë përceptime apo përshtypje të përgjithësuara lidhur me një grup të caktuar njerëzish, ku pritet që ata mund të kenë ndaj çdokujt apo ndaj çdo grupi shoqëror. P.sh.: vetëm njerëzit e zi mund të bëjnë muzikë xhaz, vetëm njerëzit e bardhë janë të pasur. Duke qenë kështu, stereotipet mund të shkaktojnë e dhe diskriminime.
Në të kundërtën, shkenca e psikologjisë thotë se paragjykimet vijnë nga njerëzit të cilët nuk ndjehen rahat dhe mirë me të dyja kuptimet, dhe pikërisht për këtë bëjnë përgjithësime lidhur me të tjerët. Përgjithësimet e zvogëlojnë dykuptimshmërinë dhe e lehtësojnë procesin, por shpeshherë përfundojnë në gjykime dhe veprime të dëmshme.
Llojet e paragjykimeve:
Ato mund të jenë të ndryshme, p.sh: mosha. Ka të tillë që mendojnë se dikush është ‘shumë i ri’ apo ‘shumë i vjetër’ për një çështje të caktuar. Homofobia: është përshtypja se dikush është tepër i varfër apo i takon një shtrese tepër të ulët shoqërore, dhe nuk ka gjasa dhe aftësi për diçka si tjetri. Racizmi: ndjenja apo përshtypja e parehatisë, frikës, urrejtes ndaj një grupi tjetër racor. Feja: përshtypje negative ndaj një grupi apo individi të caktuar për shkak të bindjeve fetare apo besimit. Gjinia: stereotipe apo përshtypje në lidhje më dikë për shkak të gjinisë që i takon
Ksenofobia: frikë apo urrejtje nga gjithçka që konsiderohet e huaj apo e pazakonshme. Nacionalizmi: në bazë të të cilit njerëzit e një grupi i paragjykojnë ata të grupit tjetër si më të ulët dhe me inferior se tjetri. Ekzistojnë edhe paragjykime politike, etniciteti, paaftësie, gjuhësore, gjatësie, peshe, profesioni, shkollimi e të tjera.
A mund të ulet niveli i paragjykimeve?
Nëse shikohet nëpër raste të ndryshme, hulumtimet tregojnë se shumë paragjykime mund të zvogëlohen e bile edhe të eliminohen plotësisht, duke treguar më shumë empati ndaj të tjerëve, ose kur e paramendojmë veten në pozitën e tjetrit, apo duke pasur kontakt drejtpërdrejt me ta, atëherë kjo kuptohet më lehtë dhe paragjykuesit kanë mundësi ta ulin nivelin e tyre te paragjykimit ndaj te tjerëve. Kuptohet se paragjykimet e kane një arsye dhe ato nuk qëndrojnë vetëm ne ajër.
Në shumë raste, shoqëria i paragjykon njerëzit të cilët konsiderohen se dalin nga vija normale, sidomos ata të cilët i thyejnë rregullat shoqërore, të cilat janë konsideruar normale deri në një kohë apo masë të caktuar. Konsiderohet se paragjykimi shoqëror e ka burimin nga urrejtja apo devijimi, thyerja e rregullave, si dhe çka mendojmë për njerëzit që janë ndryshe nga te tjerët.
Sido që të jetë, çfarëdo hapi që të marrim, nuk mund të gjejmë një shkop magjik që ta ulim nivelin e paragjykimeve në shoqëri, edhe pse fenomeni i paragjykimit shoqëror nuk është racional.
Paragjykimet nuk e kanë burimin në ideologji, por në nevojën e thellë psikologjike shoqëruar kështu me mënyrën e veçantë të të menduarit. Njerëzit që nuk janë të kënaqur, të pasigurt apo kanë dyshime dhe që nuk kanë të dhëna të mjaftueshme për palën tjetër që e paragjykojnë, pikërisht janë ata që paragjykojnë dhe përgjithësojnë. Në këtë rast, personat e paragjykuar kanë nevojë të ngutshme të bëjnë një gjykim të shpejtë në mënyrë që ta zbusin këtë.
Disa shkencëtarë thonë se burimet kryesore të paragjykimeve nuk janë ideologjike, por më tepër është nevoja njerëzore për mënyrën e të menduarit. Është vërtetuar se emocionet parashikojnë sjellje dy herë më shumë se stereotipet negative. Po ashtu janë bërë eksperimente nëse, keqardhja, neveria, lakmia apo zilia dhe krenaria i aktivizojnë zonat e ndryshme të neuroneve në trurin e njeriut për të paragjykuar, deri diku del të jetë e vërtetë.
Përfundim
Është e vërtetë se shumë njerëz, nga vende të ndryshme, profesionesh të ndryshme, dhe pavarësisht nivelit të tyre të shkollimit, kanë paragjykime por jo te gjithë. Ata bashkëjetojnë me këtë fenomen, pavarësisht se e dinë apo jo se paragjykimet nuk e shprehin një realitet dhe paraqesin qëndrime negative. Paragjykimet janë më shumë perceptime negative, por me pak pozitive.