Gërxhaliu: Po rrahen investitorët

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Procedurat e komplikuara për marrjen e lejeve të ndërtimit, mbrojtja e investimeve, kamatat shumë të larta, TVSH-ja tepër e lartë për lëndën e parë edhe më tej vazhdojnë të mbesin pengesa për të investuar në vendin tonë.

Në një konferencë për media të premten Oda Ekonomike e Kosovës ka prezantuar raportin rreth gjetjeve mbi ambientin investiv në vendin tonë.

Kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu ka thënë se qasja në financa, ose gjetja e mundësive alternative bazuar në kamatat shumë të larta, TVSh-ja e lartë për lëndë të parë, stabiliteti ekonomik, politik dhe infrastruktura, procedurat për marrjen e lejeve për ndërtim, legjislacioni jo gjithmonë i qartë si dhe mbrojtja e investimeve vazhdojnë të jenë barriera për sa i përket investimeve të huaja.

Ndër të tjera ai ka thënë se Kosova duhet të jete më aktive në përmirësimin e ambientit, krijimit të kushteve më të volitshme për investitorë të huaj, e mbi të gjitha në përmirësimin e imazhit si garanci e atraktivitetit për tërheqjen e investitorëve të huaj.

“Jemi në një dominancë të aktualiteteve politike. Na gëzon fakti që më në fund të paktën për një kohë të shkurtër do të përqendrohemi në proceset ekonomike”, tha ai.

Sipas tij, në një kronologji kohore, nga viti në vit, Kosova nuk ka arsye të relaksohet për investitorët dhe investimet e huaja. Ai më tej ka thënë se viti 2013 karakterizohet me disa dukuri negative, ku jo vetëm që nuk janë mbrojtur investitorët e huaj por kemi pasur edhe rrahje të tyre.

Uji Dea

Për më tepër, Gërxhaliu ka thënë se sipas anketës së realizuar janë pikërisht odat më promovuese sesa institucionet e thirrura për këtë çështje për barrierat e investitorëve nga vendet përkatëse.

” Odat ekonomike janë më promovuese dhe më informuese për investitorët e huaj se vetë agjencitë e ndryshme qeveritare, dhe kur bëhet një paralele mes buxhetit që kanë këto oda ekonomike dhe buxhetit që kanë këto agjenci institucionale del vërtet diçka që duhet të na obligojë të gjithëve qoftë në aspektin publik qoftë në atë privat që për odat të bëhet më tepër”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Ekrem Hyseni nga Organizata Gjermani GIZ, tha se rezultatet e hulumtimit të OEK-së duhen të merren si shtytje për ministritë relevante, si dhe për shoqatat profesionale që veprojnë në Kosovë.

”GIZ, është e mendimit që investimet e huaja në Kosovë kanë perspektivë vetëm nëse përmirësohet ambienti biznesor, nëse forcohet stabiliteti ekonomik, nëse rritet konkurrencshmëria e sektorit privat të Kosovës dhe nëse përmirësohet sistemi i arsimit profesional”, ka thënë ai.

Sipas tij, GIZ, që nga viti 2005, është duke i përkrahur ministritë relevante në Kosovë, OEK-un, dhe shoqatat profesionale të cilët kanë këtë funksion për zhvillim ekonomik dhe tërheqjen e investitorëve që të arrihen këto parakushte.

Ndërsa Berat Rukiqi, sekretar i përgjithshëm i OEK-ut, ka thënë se korniza ligjore për mbrojtjen e investitorëve të huaj, e sidomos nga mosmbrojtja nga rreziku politik, mbetet një nga çështjet më problematike që është theksuar nga investitorët e huaj. /r.ballazhi/zeri/