Frashëri: Shqipëria i shpalli luftë Greqisë pa ushtri
Në një analizë botuar në ‘Gazetën Shqipëtare’, historiani nga Shqipëria Kristo Frashëri, shpjegon relacionin midisi Shqipërisë e Greqisë.
“Sipas praktikës që përdornin agresorët nazifashistë kur vendosnin të pushtonin një vend, nuk i shpallnin luftë atij vendi, por e sulmonin pa paralajmërim me ushtritë e tyre dhe e bënin pushtimin fakt të kryer. Kështu vepruan hitlerianët më 15 mars 1939, kur tri javë përpara se Italia të pushtonte Shqipërinë sulmuan Çekosllovakinë”, shkruan Frashëri.
Sipas tij, kështu ndodhi edhe me Shqipërinë më 7 prill 1939.
“Okupacioni fashist i 7 prillit do të thoshte zhdukja e Shqipërisë nga harta politike botërore si shtet i lirë, sovran dhe i pavarur. Dihet se pushtimin ushtarak, Benitto Mussolini, për konsum propagandistik nuk e quajti aneksim. Fill pas pushtimit, më 12 prill 1939, një e ashtuquajtur “asamble kombëtare” e përbërë nga kolaboracionistë shqiptarë shpalli të ashtuquajturin “bashkim të kurorës”, pra bashkimin e Shqipërisë me Italinë nën një mbret të vetëm, Viktor Emanuelin III, i cili do të quhej “Mbreti i Italisë dhe i Shqipërisë dhe Perandor i Etiopisë”. Në bazë të kësaj formule, Shqipëria do të vazhdonte të ekzistonte si një shtet më vete, i cili do të kishte si sovran po atë mbret që kishte Italia. Do të ishte pra, ashtu siç trajtohej Etiopia, e cila ‘de facto’ dhe ‘de jure’ ishte shndërruar në koloni, kurse formalisht do të vazhdonte të ekzistonte si perandori, ashtu siç kishte qenë para se të pushtohej nga Italia fashiste. Në bazë të këtij formulimi demagogjik, Shqipëria do të ekzistonte si një shtet më vete. Mbretin italian do ta përfaqësonte një Mëkëmbës gjithashtu italian (Luogo tenente). Shqipëria do të kishte një qeveri të veçantë – qeverinë shqiptare.”, shkruan Kristo Frashëri. /Indeksonline/