Eko Higjiena

Evropianët e fundit

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Lavdim Hamidi – Nëntë vjet më parë në shtetin më të ri në Evropë (Kosovë) kishte nisur një fushatë e shtrenjtë me moton: “Kosova. Evropianët e rinj”. Një kompani izraelite, “Saatchi & Saatchi”, kishte marrë mbi supe barrën që t’ia përmirësojë vendit imazhin në arenën ndërkombëtare dhe për këtë mision ishte shpërblyer me një tender prej rreth 6 milionë eurosh nga Qeveria e Kosovës, të cilën në atë kohë e udhëhiqte Hashim Thaçi, tashmë president i vendit.

Milionat u “avulluan”, ndërsa gati një dekadë më pas vetëm kosovarët nuk u bënë evropianët e rinj. Shqipëria dhe Maqedonia dje morën rekomandimin nga Bashkimi Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim, njëjtë siç kishte ndodhur më herët me Serbinë dhe me Malin e Zi.

Bosnja ka disa vite që e ka fituar liberalizimin e vizave me BE-në dhe është në pritje të hapjes së negociatave, përderisa Kosova nuk e ka ndonjë datë të qartë për liberalizim të vizave e të mos flasim për përparime të mëtutjeshme në rrugën eurointegruese.

Gjithë kjo ngecje pa dyshim se është pasojë e udhëheqjes së vendit nga një klasë e papërgjegjshme politike, e cila në vend se të bëjë progres në rrugën drejt BE-së, ka bërë regres, duke u zhytur thellë në korrupsion dhe duke ndërmarrë iniciativa, siç ishte ajo e fundvitit 2017 për zhbërjen e Gjykatës Speciale dhe që u kritikuan ashpër në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën.

Në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, i cili u publikua dje, përpos të tjerash kritikohej politizimi i vazhdueshëm i administratës publike, ndikimi politik i gjyqësorit, përderisa thuhej se nuk është shënuar asnjë përparim në fushën e arsimit dhe të mjedisit.

Mobi Casa

Ironia më e madhe është se politikanët që e kanë drejtuar për më shumë se një dekadë këtë vend, të cilët janë përgjegjës për shkallën e lartë të korrupsionit, për politizimin e administratës dhe ndikimet politike në gjyqësor, vërejtje këto që u potencuan në raportin e fundit të Komisionit Evropian, e kritikuan dje Bashkimin Evropian, duke thënë se qytetarët e Kosovës janë lodhur nga raportet e shumta.

I tillë ishte reagimi i presidentit Hashim Thaçi pas publikimit të raportit për Kosovën, duke i kërkuar BE-së të bëjë veprime konkrete dhe siç ka thënë ai, liberalizimi i vizave të ndodhë pa humbur kohë.

Por, pikërisht për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit të lartë që nga shpallja e pavarësisë e këndej, e cila realisht është karakterizuar me të gjitha qeveritë e deritanishme, duke përfshirë qeverisjen për dy mandate nga vetë Thaçi, Kosova ka mbetur në “fund të pusit” në procesin integrues.

Për më keq, me këtë tempo të nisur të gjitha shtetet fqinje do të mundë të bëhen anëtare të BE-së, ndërsa Kosova në atë kohë të flasë për “lajmin e madh” të liberalizimit të vizave, të cilët të drejtë fqinjët e gëzojnë për gati një dekadë.

Përfundimisht anëtarësimi në BE nuk do të mundë të ndodhë pa reforma rrënjësore në sistemin gjyqësor dhe me këtë klasë aktuale politike, e cila është fajtore që kosovarët po mbesin “Evropianët e fundit”!