ARKATANA

Erdogan kundër “Sulltan Sylejmanit”

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Kryeministri turk i ka shpallur “luftë” producentëve të serialit televiziv “Sylejmani i Madhërishëm”. Seriali në fjalë nuk është një hit televiziv vetëm në Turqi, por edhe në shtetet e Ballkanit, dhe më gjerë. Por, për kryeministrin turk ajo nuk është gjë tjetër, pos një nëpërkëmbje e historisë së vendit.

E veshur me një fustan magjepsës Rokslana legjendare josh sundimtarin, Sylejmanin e Madhërishëm, sulltanin më të njohur të Perandorisë Osmane. Është kjo vetëm njëra nga skenat nga seriali me të njëjtin emër, që për temë ka historinë e hershme turke.

Në të vërtetë, seriali paraqet një përzierje intrigash në harem, respektivisht të rivalitetit ndërmjet grave të sulltanit, dhe të konflikteve të ndryshme politike brenda pallatit. Këta dy elementë të kësaj drame të kostumuar kanë bërë që ajo të shndërrohet në një hit të madh televiziv. Megjithëkëtë, në Turqi ekziston një njeri, goxha me peshë, të cilit ky serial nuk i pëlqen fare – është ky kryeministri turk, Rejep Tayyip Erdogan.

“Ky nuk është sulltani të cilin e njohim ne. Ky nuk është ligjvënësi të cilin e njohim, dhe i cili i ka kaluar 30 vjet mbi shalë, në kali, e jo në pallat, siç është portretizuar në serial. Prandaj, po u adresojë një kritikë publike regjisorëve dhe pronarëve të kanalit televiziv. Për këtë gjë ne tashmë i kemi njoftuar edhe organet kompetente, dhe jemi në pritje të vendimit gjyqësor. Kjo gjë nuk guxon të ndodhë. Populli duhet që, në kuadër të kufijve ligjorë, t’iu dërgojë një leksion të merituar atyre që po luajnë me njerëz”, deklaroi Erdogan.

Diskutimet në media

Në Fakt, kryeministri Erdogan nuk po adreson vetëm kërcënime boshe. Madje, disa prej kritikëve dhe komunistëve të mbetur në Turqi, atë po e quajnë ‘sulltani i ri” i Turqisë. Cengiz Aktar, politikolog dhe kolumnist në gazetën ‘Taraf’, pohon se “kryeministri besimtar po e përcjellë një traditë famëkeqe të udhëheqësve të fuqishëm autoritarë”.

“Njerëzit e fuqishëm në Turqi, njësoj sikurse edhe njerëzit e fuqishëm në tërë botën, të cilët patën guximin për të rishkruar historitë e vendeve të tyre, atë e shkruan sipas bindjeve të veta, ndërkohë që vetveten e prezantuan si dikë që vetëm lutej dhe e udhëhiqte perandorinë, ose që ishte personalitet tejet ‘pozitiv’. Të gjithë sundimtarët, e jo vetëm ata osmanë, njësoj sikurse dhe të gjithë njerëzit e tjerë të fuqishëm në tërë botën, kishin nga disa gra dhe bënin një jetë tepër luksoze”.

Mobi Casa

Konflikti ndërmjet njeriut më të fuqishëm në Turqi dhe serialit më të popullarizuar televiziv në vend ndërkohë është bërë pjesë e gazetave, dhe ai po i dominon edhe diskutimet në të gjitha programet televizive. Shumica a aktorëve dhe producentëve të serialit deri më tani kanë qëndruar anash këtij debati, të vetëdijshëm se ardhmëria e emetimit të tij është vënë në pikëpyetje. Por, aktorja, Nebahat Cehre, vendosi ta ndërpresë këtë heshtje.

“Ju nuk mund ta censuroni artin. Nëse ata fillojnë ta bëjnë këtë gjë, ku do të jetë fundi atëherë? Seriali është tejet i kritikuar që nga dita e parë e shfaqjes së tij, por ai fundja është vetëm një tregim i zakonshëm. Fëmijët i nxiti që t’iu interesojë historia. Për atë periudhë po botohen gjithnjë e më shumë libra historikë. Jam e sigurt se gjithë këto kontroversa vetëm sa do ndikojnë në rritjen e shikuesve të saj”, shprehet ajo.

“Votimi“ përmes telepilotëve

Parashikimet e aktores Cehre duken se janë me vend, meqenëse shikuesit turq të serialit kanë filluar që për të të votojnë nëpërmjet telepilotëve. Që prej kohës kur kryeministri Erdogan ka sulmuar sepalin “Sulltani i Madhërishëm”, shikueshmëria e tij i ka thyer të gjithë rekordet. Por, përkundër kësaj, njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërm të kryeministrit ndërkohë ka premtuar se, së shpejti para parlamentit do të gjenden edhe ligjet dhe rregulloret përmes të cilave do të mbrohet portretizimi i personaliteteve historike të vendit.

Ky lajm që tani po qarkullon rrugëve të Stambollit. Një prej shikuesve të serialit thotë se: “Askush askënd nuk po e detyron që ta shikojë serialin, megjithëse nuk është fare befasuese që kryeministri ynë po përzihet kudo që mundet. Vërtet është qesharake që të krijohet një ligj kundër serialeve televizive, dhe pikërisht me këtë punë po merret parlamenti ynë. Nuk e di se cili parlament tjetër merret me ndalimin e programeve televizive. A nuk është absurde kjo?”

Ndryshe, seriali “Sulltani i Madhërishëm”, njësoj sikurse edhe personaliteti emrin e të cilit e mban, do të mund të hyjë në histori, sepse kryeministri i Turqisë, njësoj sikurse edhe sulltani i madh dikur, gjithnjë e fiton atë që e dëshiron.(DW)