Fundamenti

Endri Gega, prokuror i ri në Gjenevë

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Në prag të ndërtesës së Pallatit të Drejtësisë në qytetin e Kalvinit, në restorantin ku po pimë një kafe, mbretëron një qetësi e butë, të paktën nëse nuk i vëmë re puhizës së elektrizuar që gërmonte mendimet e Endri Gegës. I mbështetur me bërryla mbi tryezë, ndërsa po pinim secili nga një ekpreso, fytyra e tij rrezatonte, edhe pse mundohej ta rrethonte me modestinë e tij të natyrshme, ishte momenti kur ai sapo u emërua prokuror në kantonin e Gjenevës.

Lajmi i hareshëm sapo mbërriti në veshët e tij dhe dukej që buzëqeshja nuk do t’i shkoqej më nga fytyra. Unë kisha para meje çfarë quajmë “një profil të jashtëzakonshëm, apo shembullor”, një nga prokurorët më të ri të kantonit, për më tepër, me origjinë shqiptare. Kur një lajm i tillë ju kaplon, atëherë ca minuta para se të vetëdijesoheni për arritjen, një hov kujtimesh ju kaplon pashmangshmërisht shikimin.

Në Zvicër që nga mosha 14- vjeçare, tridhjetëvjeçarit i është duhur të mësojë të zhytet në një mjedis dhe shoqëri të re, të thurë me mjeshtëri një kulturë gjithnjë më shumë e të larmishme dhe, më e rëndësishmja, të gjejë një vend, vendin e tij, dhe këtë, pa bërë domosdoshmërisht tabula rasa të origjinës së tij.

Pa dyshim se me këtë emërim Endri Gega frymëzon dhe motivon emigrantët e brezit të dytë dhe të tretë. Si e paramendon ai funksionin e tij të ri? Çfarë shikimi ka në komunitetin shqiptar të Zvicrës? Në çfarë gjendjeje shpirtërore po e nis karrierën e tij? Një sërë pyetjesh, për albinfo.ch, të cilave prokurori i Gjenevës u përgjigjet me po aq thjeshtësi sesa ndjeshmëri.

Në çfarë moshe keni ardhur në Zvicër?
Kam ardhur nga Shqipëria në moshën 14-vjeçare.

Si ishin vitet tuaja të para në Zvicër?

Viti i parë ishte shumë i vështirë, sepse kisha lënë gjithë shokët dhe miqtë e mi, por edhe për shkak se nuk flisja frëngjisht. Pastaj, me mësimin e gjuhës gjithçka u bë më e lehtë dhe unë fillova të kem miq të rinj.

Si arritët të bashkoni kulturën tuaj të dyfishtë?

Nuk ishte një problem i madh për mua. Është e rëndësishme të jesh i qartë në kokën tënde. Unë e di se nga vij dhe jam shumë i lidhur me origjinën time. Megjithatë, kur kam ardhur në Zvicër dhe kur e kuptova se do të vazhdoj të jetoj këtu, vendosa të integrohem duke përvetësuar kulturën e vendit pritës, e cila, në përjashtim të disa dallimeve, është mjaft e afërt me atë të vendit tim. Integrimi im i shpejtë ka qenë shumë i mirëpritur nga zviceranët. Këta të fundit më pas janë interesuar për origjinën dhe kulturën time, e cila ishte bërë pothuajse një “përparësi” për mua. Madje, disa miq më kanë kërkuar të vizitojnë Shqipërinë, prandaj edhe kam vajtur me disa prej tyre në Shqipëri.

Pse keni zgjedhur Fakultetin e Drejtësisë?

Për shkak të interesimit që kisha për këtë lëmi. Që nga mosha shumë e re jam angazhuar për të mbrojtur çështje që më dukeshin të drejta dhe studimet në drejtësi ishin rruga më mirë për t’ia arritur qëllimit…

Cili është mendimi juaj për komunitetin shqiptar në Zvicër, e në Gjenevë në veçanti?

Me sa e di unë, një pjesë e madhe e komunitetit shqiptar në Gjenevë është plotësisht e integruar. Ka studentë që përfundojnë me sukses të shkëlqyeshëm studimet e tyre në fusha të ndryshme. Gjithashtu, ka gjithnjë e më shumë kompani me pronarë shqiptarë, të cilët sjellin një kontribut të rëndësishëm në shtresat shoqërore dhe ekonomike të Gjenevës.

FIDANISHTJA

T’i rikthehemi funksionit tuaj të prokurorit, prej cilit moment është bërë i arritshëm për ju? A mund të pohojmë se jeni një përjashtim i rregullores?

Unë nuk mendoj të jem një përjashtim. Për të hyrë në një funksion të tillë, duhet të keni një interes, një përvojë si dhe një motivim të vërtetë.

Në çfarë gjendjeje shpirtërore jeni momentalisht?

Ndihem i nderuar që kam fituar besimin e Këshillit të Madh të Gjenevës, prandaj më duhet të jap më të mirën nga vetja.

Vitet e fundit Gjeneva ka shprehur veçanërisht shqetësimet e saj në lidhje me çështjet e sigurisë, çfarë mendoni ju?

Siguria është një nga detyrat më të rëndësishme të shtetit. Bëhet fjalë për një të drejtë themelore të qytetarëve, siç është strehimi dhe shëndeti. Ne duhet t’i japim vetes mjetet për të realizuar këtë të drejtë themelore. Është gjithashtu një çështje e respektit ndaj të gjithë atyre që, falë punës ose angazhimit të tyre, kontribuojnë në zhvillimin dhe suksesin e Gjenevës.

Si e shihni detyrën e prokurorit? Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat do të përballeni?

Unë e shoh atë si një funksion në të cilin pavarësia dhe saktësia duhet të na udhëheqin.

Ne duhet të aplikojmë një drejtësi humane dhe mbrojtëse për viktimat, duke qenë i shqetësuar në lidhje me gjendjen dhe vuajtjet e tyre, por në të njëjtën kohë, ne duhet t’i kuptojmë arsyet që çojnë të akuzuarit deri te gjyqi, duku iu rezervuar një trajtim njerëzor dhe të drejtë.

Si kalohet nga roli i avokatit tek ai që udhëheq hetimet?
Mbrojtja është një detyrë thelbësore në procedurën penale, prandaj dhe e kam kryer me shumë kënaqësi. Megjithatë, interesi për funksionin e prokurorit, duke përfshirë hetimet penale, ishte më i fortë.

Në moshën tuaj tridhjetëvjeçare jeni emëruar prokuror për kantonin e Gjenevës, çfarë janë, në afat të shkurtër dhe të mesëm, projektet tuaja?

Unë nuk kam vendosur kurrë për të arritur qëllime të përcaktuara, sepse është mënyra më e mirë për të mos i arritur.

Qëllimi i vetëm që kam është të jap gjithnjë më të mirën nga vetja, në mënyrë që të vlerësoj dhe të kryej punën time me dëshirë. /Albinfo.ch/