Edhe unë jam Kosovë, edhe unë dua komunë
Nga Albin Kurti – Ka marrë hov dukuria e kërkesave për komuna të reja në Kosovë. Fshatra më të mëdha me fshatra më të vogla përreth aspirojnë të shndërrohen në komuna. Kombinohen argumentet historike e gjeografike me ato administrative. Dekada më parë kishte komuna që tash janë fshatra që duan të ribëhen komuna; fushat, kodrat, malet e lumejtë shpesh sajojnë tërësi gjeografike për të cilat duket e natyrshme të shndërrohen në entitete territoriale e administrative; dhe, banorët e rajoneve të ndryshme duan udhëtime më të shkurtëra dhe shërbime më të shpejta për në qendrën e tyre (të re) lokale.
Mirëpo, cila është shtysa më thelbësore e kësaj dukurie? Prej nga ky zell i qytetarëve që shprehet edhe në argumente gjithnjë e më të shumta për komuna të reja? Së pari, padyshim që komunat e Ahtisaarit me shumicë serbe kanë inkurajuar këso kërkesash. Njëmend, kur bën që Parteshi me tre mijë banorë të bëhet komunë, pak çka s’bën të shndërrohet në komunë pastaj. Instalimi i pesë komunave me shumicë serbe si koncesion ndaj Serbisë në bisedimet e Vjenës 2006-2007 ka nxitur që edhe të tjerë që kanë më shumë të drejtë në arsyetim të kërkojnë komuna shtesë.
Kur padrejtësia shndërrohet në fakt të kryer, mund të duket se fakte të tjera mund ta zbusin sadopak padrejtësinë ndonëse asisoj legjitimohet ajo. Diskriminimin që e përjetuan si pas çlirimit ashtu edhe pas pavarësisë, qytetarë shqiptarë duan ta kompensojnë. Komunat me shumicë serbe nuk ishin një gjë e drejtë, por meqë u bënë, le të bëhen edhe të tjera me shumicë shqiptare. Pasi që dikush u privilegjua dhe këtu s’paska parime, atëherë le të shkilen ato parime edhe për neve e jo vetëm për serbët. Kështu mendojnë më shumë qytetarë seç mendojmë ne që ata mendojnë kështu. Gjithsesi nga dëshprimi e kanë: njëfarë shpresimi i dëshpërueshëm pas dëshpërimit për shpresat e humbura.
Së dyti, Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe si një koncesion tjetër i madh ndaj Serbisë i ka irituar qytetarët dhe, sërish, duke u sforcuar ideja dhe pushteti i komunës kërkohen edhe komuna të tjera për shqiptarët e nga shqiptarët. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës njerëzit menduan se tash e ka radhën shteti, por meqë shtetndërtimi u suspendua nga dialogu teknik e politik me Serbinë dhe kryefjala e agjendës qeveritare u bë komuna (me shumicë serbe), edhe shqiptarët duan komuna të tyre.
Pra, meqë kauza e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës u spostua për nga prioriteti karshi krijimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, edhe qytetarët shqiptarë kërkojnë komunat e tyre të reja (dhe mandej mbase për t’u lidhur në një asociacion a bashkësi edhe ata)! Thjesht, në Kosovë, njësi themelore konstituive po bëhet komuna. Ambicia më e lartë në kontekstin aktual politik e ka formën e komunës, jo të shtetit. Dikur shqiptarët donin shtet. Meqë nga kjo ka hequr dorë Qeveria e tyre, tash ai që do diçka do komunë të veten.
Kërkesa për pavarësi, për shtet të pavarur e sovran, ka përjetuar metamorfozën në kërkesën për komunë, për komunë të re e të posaçme. Sovraniteti si pronësi politike e publike e gjithë popullit po ia lëshon vendin komunës si pronësi e asaj popullsie të veçantë. Duke qenë se nuk u bëmë dot politikisht pronarë të gjithë përmes shtetit sovran, pason orvatja për t’u bërë pronarë lokalë neve këtu në komunën tonë të re.
Së treti, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Kosovës, mbase pavetëdijshëm, nuk po besojnë më se do të ketë së shpejti zhvillim ekonomik e punësim më të madh e tjetërfare. Sipas kësaj pikëpamjeje, meqë punësim sjellin vetëm pushteti politik dhe burokracia, atëherë le ta rrisim e zgjerojmë atë, le ta sjellim në fshatin tonë. Nuk do të ketë prodhim në të ardhmen e afërt në Kosovë, nuk do të ketë mundësi për punësim në ekonominë që zhvillohet, andaj vendi i punës do të jetë vetëm diku në administratë e në institucione. Kësisoj, më shumë institucione ka kuptimin e vendeve të reja të punës.
Me komuna të reja, këto vende pune bëhen tonat këtu (në fshatin tonë që do të bëhet komunë e jona). Punëdhënësi më i madh në Kosovë edhe ashtu është Qeveria dhe kjo do të mund të multiplikohej edhe më tej nëpër komuna, nëpër gjithnjë e më shumë komuna. Puna është burokraci, zyrja është i vetmi vend pune. Të hapësh vende të reja pune do të thotë veçse të hapësh zyra të reja. Kosova është një zyrë e madhe (si figurë komplementare e kandrrës te ‘Metamorfoza’ e Kafkës), ose, një zyrë e madhe me pafund zyra të vogla në të (sikurse te pikturat moderniste të Pushwagner).
Sido që të jetë, kërkesa për komunë nuk e bën komunën. Se cilat fshatra do të bëhen komuna nën pushtetin e kësaj Qeverie varet nga interesi i Qeverisë më parë sesa nga dëshira apo frika e qytetarëve që duan komuna të reja. Cilat fshatra të mëdha me rrethinë do të shndërrohen në komuna të reja me vendime të Qeverisë së Kosovës, më së shumti varet nga ndikimi i një ndryshimi të tillë në votën për PDK-në. Meqë reforma zgjedhore nuk e solli ndarjen në shumë zona me ç’rast partia në pushtet do të rriste peshën e vet përmes manipulimit me kufijtë e zonave (dukuri kjo që njihet me termin ‘gerrymandering’), po kalohet në planin B ku po sajohen komuna të reja për të njëjtin qëllim.
Te shqiptarët në Kosovë po shtohet numri i komunave, kurse te serbët po bashkohen komunat në një Asociacion/Bashkësi. Plani i Ahtisaarit ishte decentralizim mbi baza etnike, Asociacioni/Bashkësia është centralizim etnik serb. Ndërkohë, vazhdon e shtohet decentralizimi përbrenda shqiptarëve me komuna të reja.
Më shumë komuna po bëhen në kushtet kur kemi gjithnjë e më pak sovranitet për shtetin dhe gjithnjë e më pak ekonomi për shoqërinë (tash pas marrëveshjes 15 pikëshe Thaçi-Daçiq, pas shitjeve të nisura të KEK-ut, PTK-së e Trepçës). Pra, thua se po ndjehet nga qytetarët që po dështon shteti i Kosovës andaj le ta nxjerrim për vete ndonjë komunë. Disi ngjashëm sikurse tek ai rrëfimi për Nastradinin i cili kur pa që s’i ndalonte dot hajnat që po ia vidhnin shtëpinë para syve, nisi edhe ai të vidhte bashkë me ta shtëpinë e vet (paradoksalisht duke shpëtuar diçka e sadopak kështu).
Qytetarët duan të mbijetojnë edhe më fort teksa ndjehen përherë e më të rrezikuar. Ngulfatjes strukturore nga lart duan t’i përgjigjen me struktura të reja poshtë. Qytetarët e duan një shtëpi të vogël teksa po shembet kjo e madhja. Kushedi, ata (para)mendojnë që streha e vogël mund të shndërrohet në mburojë për copat e strehës së madhe kur ato të zbresin si të çmendura nga qielli.

