RCCOLA

Edhe pas 19 vjetësh në liri, trupi i Ahmetali Ajetit – mungon …!

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Edhe pas 19 vjetësh në liri, akoma nuk ka asnjë gjurmë të trupit të pajetë të Ahmetali Ajetit, martir nga fshati Lladovë. Ky rast është për dhembje dhe është dhimbje jo vetëm për familjarët, por edhe për të tjerët. Ahmetali Ajeti është zhdukur pa gjurmë nga barbaria serbe gjatë kohës së vitit 1999. Ai është vra nga forcat ushtarake paramilitare serbe në Lladovë, më 2 prill (1999). Pra, tash e19 vjet më parë. 19 vjet dhimbje dhe lot i pa tharë për familjarët Ajeti në Lladovë.

Më 2 prill janë vrarë brenda në periferi të fshatit gjashtë të rinj lladovas nga dora barbare e çetnike serbe. Andaj, tash e 19 vjet më parë, sikur asnjë nga udhëheqësit e komunës nuk kanë bërë asgjë, jo vetëm në vrasjen e tyre, por edhe në gjetjen e trupit të pajetë të Ahmetali Ajetit, intelektualit të kësaj ane të Karadakut. Por, dhimbja dhe loti akoma janë të patharë tek anëtarët e ngushtë të familjes së tij. Pse jo? Në një përkujtim që është mbajtur më 2 prill (2015), në Lladovë, një qytetar lladovas doli para masës dhe ju drejtua strukturave të larta të komunës me këto fjalë:

“Shihni, sot, kjo masë ka dhimbje. Dhimjba është e të gjithëve, por ajo më e madhe dhe më e rëndë është e familjes së Ahmetali Ajetit, i cila, edhe sot e kësaj dite trupin e familjarit të tyre nuk e kanë gjetur. Te varret po prehen të gjithë martirët, por varri i Ahmetaliut është i zbraztë! Aty nuk gjenden eshtrat e pajetë të këtij martiri. Andaj, në emër të familjes dhe qytetarëve të fshatit, që të bëjmë çdo gjë për ta gjetur vëllaun, qytetarin e birin tonë, Ahmetali Ajetin, i cili sot e sa vite na mungon. Kjo është dhimbë që nuk shërohet kurrë tek familjarët e tij.

Edhe pas 19 vjetësh, trupi i Ahmetaliut nuk është gjendur askund. Kjo dhemb dhe është për brengosje, për faktin se, ky djalosh yni, atë kohë ishte kryetar i degës së LDK-së, i cili, pasi është larguar nga fshati, të nesërmen kthehet me makinë gjer afër lumit, aty afër fshatit, ku paramilitarët serbë kishin zënë pritat nga katër anët e rrugës. Në momentin kur vjen Ahmerali Ajeti me makinë nga Nasala drejt fshatit të lindjes, Lladovë, ata shtinë dhe e qëllojnë me armë. Ai vritet në cep të një are, ku ndahet rruga e Nasalës dhe ajo për kah fshati Remniku. Po këtë ditë vriten nga kriminelët serbë motër e vëlla Hevzi e Ganimete Ajeti, ndërsa ishte plagosur rëndë Mefail Ajeti, i cili jeton dhe është dëshmitar i këtyre ngjarjeve tragjike të kësaj kohe.

Eco Higjiena

Trupi i pajetë i Ahmetalisë ishte bartur në kamion deri te Budriga serbe, ndërsa djali i vëllaut të tij, Xhevati, ishte ndaluar në burgun e Parteshit. Po kështu, banorët shqiptarë të Lladovës, që ishin zënë peng nga forcat paramilitare serbe, ishin urdhëruar nga eprorët ushtarakë serbë që viktimat e vrara, si: Beqir Mahmuti (42), Zijadin Mahmuti (35), Daut Mahmuti (35), Hevzi (26) e Ganimete Ajeti (22) dhe Ahmetali Ajeti (37), t’i varrosin pa zbardhur dita, në mëngjesin e hershëm të datës 3 prill 1999. Baca Rashit (Mahmuti), tash i ndjerë, autorit të këtij shkrimi i pati thënë këto fjalë: “Po rëndë ishte kjo “punë. Edhe ne ndjenim frikë. Luftë ishte. Ajo të merr pa të pyetur fare. Ata që u gjendem në fshat, të gjithë të vrarët i kemi varrosur nëpër oborre dhe në vend të dërrasave, u kemi vënë dyer të dhomave të shtëpive. Por, kur kemi ardhur tek trupi i pajetë i Ahmetalisë, të cilin e kemi strehuar afër shtëpisë së Mefailit, trupin e tij të pajetë nuk e kemi gjetur. S’di kah e zhdukën paramilitarët serbë. Ai na mungonte. Ishte dhembje për të gjithë ne. Por, s’kishim guxim të kërkojmë e të rrinim më shumë se ishim të kërcënuar nga ushtarakët të tërbuar serbë, të cilët na thanë, kush do të gjendet pas orës së pesë të mëngjesit, do të vritet pa asnjë fjalë. Nuk dinim kah të ikim. Ishte afruar mëngjesi. Unë ika kah Gjilani, e Nuhi Ajeti kah Remniku…”

E, Mefail Ajeti, shton: “Ishte rëndë, kur para meje gjendej i vrarë Ahmetali Ajeti. S’kisha çka të bëj. Unë përpiqesha me plagën time, e cila më rridhte gjak”. Ushtarët, kur vijnë te mejtepi, afër shtëpisë sime, e marrin edhe Xhevatin, djalin e axhës së tij. Mua më lanë në Budrigë, ndërsa ate dhe trupin e Ahmetalisë i kanë përcjellë gjer në Partesh. Xhevatin e ndalin dhe e torturojnë dhe e keqtrajtojnë. Trupin e Ahmetaliut e sjellin në Lladovë. Vajzat e Mefailit e kanë zbritur trupin e Ahmetalisë nga kamioni në tokë. Pas kësaj “skene” trishtuese, vajzat me gjyshin e tyre, Bastri Ajeti, ikin kah malet e Llashticës.

Pas kësaj ngjarje të dhimbshme, Mefail Ajeti ka gjurmuar në një vend, duke dyshuar për trupin e Ahmetaliut të pajtë. Pse jo? Në një ditar serb shtohet se në mes Lladovë e Nasalës është një varr masiv. Sipas fjalëve të shkruara, thuhet se, aty ka edhe kafshë të groposura. Dy të vrarë janë gjetur dhe janë varrosur menjëherë pas luftës, por trupi i Ahmetalisë nuk është gjetur dot. Mefail Ajeti ka gjetur në atë vend eshtra të kafshëve, por si ka shtuar ai, lë dyshim një litar i vogël, i cili, në momentin kur bageri ka gropuar këtë vend që gjendet në mes Lladovës e Nasalës, janë gjetur të lidhur disa eshtra të vegjël, që lënë dyshimin sikur t’ishin gishtërinj të njeriut.

Edhe pas 19 vjetësh në liri, trupi i Ahmetalisë nuk është gjetur! E familjarët pyesin: gjer kur duhet pritur institucionet tona për të zbardhur fatin e pagjetur të Ahmetali Ajetit?! Loti mbeti tash e 19 vjet i patharë duke shpresuar se do të gjendet trupi i Ahmetali Ajetit nga Lladova e Gjilanit. /tefik selimi/rajonipress/