Komuna e Gjilanit nën alarmin e auditimit: milionat e keqmenaxhuara dhe shkeljet procedurale ngrejnë dyshime për përgjegjësi institucionale
Gjilan – Lidhur me këto gjetje ka reaguar edhe Sokol Haziri, kryetar i Aleancës në Gjilan, i cili ka vlerësuar se raporti përbën bazë serioze për hetim institucional dhe verifikim nga organet e drejtësisë, përfshirë edhe Prokurorinë.
Raporti më i fundit i auditimit për pasqyrat financiare të Komuna e Gjilanit ka ekspozuar një sërë parregullsish serioze në menaxhimin e financave publike, duke ngritur shqetësime të thella për nivelin e kontrollit financiar, transparencës dhe llogaridhënies institucionale në administratën komunale.
Sokol Haziri kryetar i AAK-së në Gjilan thotë se opinioni i kualifikuar i dhënë nga Zyra Kombëtare e Auditimit konsiderohet sinjal alarmi për mënyrën e administrimit të parasë publike dhe, sipas vlerësimeve politike e institucionale, kërkon reagim të menjëhershëm dhe përgjegjësi konkrete nga strukturat udhëheqëse komunale.
Sipas raportit, auditorët kanë evidentuar afro 1.98 milion euro shpenzime të regjistruara në kategori jo adekuate buxhetore, duke deformuar paraqitjen reale të shpenzimeve komunale dhe duke cenuar saktësinë e raportimit financiar.
Një nga gjetjet më shqetësuese lidhet me angazhimin e 95 personave me kontrata për shërbime të veçanta, pa procedura të rregullta ligjore dhe pa konkurs publik, praktikë kjo që sipas raportit anashkalon standardet e transparencës, konkurrencës dhe meritokracisë në punësim.
Auditimi ka konstatuar gjithashtu mbi 1.7 milion euro pasuri komunale të paregjistruara, duke krijuar rrezik serioz për menaxhim joefektiv të aseteve publike dhe mungesë të kontrollit institucional mbi pronën komunale.
Në mesin e shkeljeve të evidentuara përfshihet edhe nënshkrimi i një kontrate në vlerë rreth 699 mijë euro për rikonstruktim rrugësh pa projekt ekzekutiv të hartuar paraprakisht, por vetëm mbi bazën e specifikimeve teknike, çka ngre pikëpyetje serioze mbi standardet procedurale dhe mbikëqyrjen profesionale të investimeve kapitale.
Raporti vë në pah po ashtu se shumica e rekomandimeve të auditorit nga vitet paraprake nuk janë zbatuar, fakt që sipas vlerësimeve të opozitës reflekton mungesë të përgjegjësisë institucionale dhe mungesë të vullnetit për reforma në menaxhimin financiar tha Sokol Haziri./rajonipress/

