FIDANISHTJA

E bukura dhe e madhërishmja e Adem Demaçit

/ 19 minuta lexim
ARKATANA

Nga Mehmetali Rexhepi – Adem Demaçi që nga burgosja e parë, në vitin 1958, kur ishte 22 vjeçar, mori mbi vete rolin e një kryengritësi të përjetshëm, duke flijuar djalërinë, rininë dhe gjithçka i jep jeta njeriut, që ta jetojë atë në plotësinë e saj. Identifikimi i tij në rolin e rilindësit, gjykimet e tija të mprehta, parashikimet dialektike, pothuajse profetike, qëndresa shembullore katrahurave të burgjeve e gjykatave serbe, prore pa shfaqje të ndjenjës së”pendimit”, e bënë Demaçin përfaqësues model i veprimtarit shqiptar, që demaskoi idilet e rrejshme jugosllave për barabarësinë e gënjeshtërt të popujve, që përbënin krijesën federale të quajtur Jugosllavi.

Selatin Novosella “Demaçi, aromë atdheu” (Botues Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, Prishtinë, 2014)

Të nderuar lexues!

Shqiptarët emocionalisht janë të lidhur me nëntorët… Nëntori i Parë paralajmëroi Nëntorin e Dytë, Nëntori i Dytë, pas shpalljes së pavarësisë të Shqipërisë së përgjysmuar, ftoi Nëntorin e Tretë, që ta përmbushte dhe rrumbullakonte pavarësinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare në një Shqipëri Natyrale.

Autori i librit “Demaçi, aromë atdheu” Selatin Novosella, shkroi dhe publikoi mbi njëzet libra, dhjetëra fejtone, që kryetemë e kanë pavarësinë dhe kryepersonazh Simbolin e ribashkimit kombëtar, Adem Demaçin.

Nëntorit të vitit 2014, ky autor ia solli një tjetër libër, tjera vokacione të përkushtimit për Prijësin, ”disidentin” shpirtëror të shqiptarëve pas Luftës së Dytë Botërore në Jugosllavinë Federative.

Në këtë libër, tashmë ky autor nuk vjel fakte, këtu nuk citohet e nuk dëshmon kryeheroi, por ligjërojnë mbi tetëdhjetë e më tepër ndjeshmëri poetike. Të gjitha këto ndjeshmëri të vargëzuara, mbështillen rreth strumbullarit shpirtëror e poetik dhe spikatin veçantinë e Adem Demaçit, “Nderi i Kombit”, ballëlarti krenar i shqiptarisë.

Nisma e autorit Selatin Novosella, për t`i sjellë freski poetike përvjetorit të Nëntorit historik, është më e hershme, ose si pohoi ai në parathënien e gjatë, që i prin këtij vëllimi, i lindi në Durrës, në vitin 1998. Kronikanit, publicistit, historiografit e dëshmitarit të gjallë të lëvizjes kombëtare në Kosovë, i duhej të përqendrohej bërjes së tipit të librit dokumentar. Natyra e shkrim-ndërtimit të lëndës, përkatësisht morisë së librave për prijatarë organizatash, veprimtarësh, statutesh, programesh, strategjish, mënyrash të veprimit, të shtrirjes së tyre, mbajtjes dhe vijimësisë konspirative, udhësh dredhake për mbajtje gjallë të frymës, të ideologjisë kombëtare, shembuj modelesh të qëndresës dhe flijimit… Gjithë kjo mendësi ia përcaktoi shtegun për të ndjekur përparësinë e rendit, të karakterit dhe natyrën e një shkrimi të sprovuar Selatin Novosellës.

Pas sublimit që solli lufta çlirimtare, përçuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bashkëvepruese me Aleancën Atlantike, janë hapur shtigjet për shtrirjen e lirisë. Andaj, edhe kur nuk dukej drita e lirisë, ajo ishte në mendjet dhe frymëmarrjet tona dhe të nervit poetik. Gjithsesi, shpirti i motivuar ishte shtytje e mësymjes për përmbushjen madhore të ëndrrave të breza veprimtarësh, ngjyrimesh të ndikuara politike të jashtme e të brendshme, qofshin të djathta a të majta: nga ne, në ne, mbi ne e rreth nesh ku flitej shqipja, mëtohej të shtriheshin përmasat e lirisë në shtratin e vet, rrjedhshëm sikurse lumenj të gjallë e jetëdhënës të atdheut.

Këtij libri, jo sikur librave tjerë të Selatin Novosellës, do t`i mungojnë datat, dokumentet, analizat historiografike, fotografitë, faksimilet, kronologjia e ngjarjeve dhe të dhënat tjera relevante për historinë, përkatësisht për librin e llojit (zhanrit) historik-publicistik-dokumentar.

Këtu, brenda kopertinave të këtij libri të papërfunduar, shpërfaqet spektri i ngjyrave poetike, dridhjet e drithërimat e unit poetik të sa e sa varg-thurësh, secili sipas relievit të vet: kush më lart e kush më poshtë, kush më drejtpërdrejt e kush më i thelluar, kush më i
realizuar e kush më në syprinë, kush me profil e vokacion jetësor në poezi e, akëcili si adhurues i dyfishtë i heroit: vargëzues-identifikues-sprovues.

Në poezitë e librit “Demaçi, aromë atdheu”, të gjithë poetët i ka prekur, i ka joshur, i ka grishur dhe i ka fuqizuar frymëzimi i një figure, i një prijatari me fanarin e dritës në mendje e dorë errësirës së diktaturës… Demaçi, ky stoik i paepur, regjet përballë zbatuesve gjakatarë të programit asimilues, jetërsues për shqiptarë, sipas rrethanave të fshehura ose të hapura, përmes gënjeshtrave, paragjykimeve, etiketimeve, grackave politike, si alibi e vijueshme për arrestime e likuidime individuale, deri te përmasa e gjenocidit kolektiv mbi etninë shqiptare… Tërësinë e këtyre mynxyrave, Ai e ngriti në çështje të pakapërcyeshme ekzistenciale të shqiptarëve, si element përjashtues për shoqërinë jugosllave.

Adem Demaçi që nga burgosja e parë, në vitin 1958, kur ishte 22 vjeçar, mori mbi vete rolin e një kryengritësi të përjetshëm, duke flijuar djalërinë, rininë dhe gjithçka i jep jeta njeriut, që ta jetojë atë në plotësinë e saj. Identifikimi i tij në rolin e rilindësit, gjykimet e tija të mprehta, parashikimet dialektike, pothuajse profetike, qëndresa shembullore katrahurave të burgjeve e gjykatave serbe, prore pa shfaqje të ndjenjës së”pendimit”, e bënë Demaçin përfaqësues model i veprimtarit shqiptar, që demaskoi idilet e rrejshme jugosllave për barabarësinë e gënjeshtërt të popujve, që përbënin krijesën federale të quajtur Jugosllavi.

Kryepersonazhi i poezisë lirinë e shprehjes e shpuri pikërisht aty, ku ajo mbyllej brenda mureve të shumëfishta. Moralit të nëpërkëmbur i jepte shtytjen e tij, për ta ri-ngritur në lartësinë e bërjes faktor, nga indiferenca kundërmuese në rrjedh të lëvizjes popullore. Ai me fjalë e penë kultivoi shpresën mbi dëshpërimin, ktheu shikimin nga qielli në tokë, nga hyjnia në njeriun… Kësisoj përtrolliti filozofinë e të mundshmes, kur dukej se perëndia ia kishte kthyer shpinën etnisë së tij.

Sublimi që ngërthente të bukurën dhe të madhërishmen, kombëtaren e njerëzoren, s` ka si të mos i grishte posaçërisht poetët, që të identifikoheshin me të e t`ia zbërthenin përmasën shpirtërore të çiltërsisë, të vetëpohimit, të këmbëngulësisë deri në flijim. Ato kategori etike, etnike, ajo filozofi e udhërrëfyesit të jetës, sintetizohet në unin e poetit: “unë në Ty e Ti në mua prore jemi kallur”
* * *
Redaksia dhe ideatori i këtij vëllimi vjershash e poemash, që vijon të mbetet i hapur, sepse nuk shteroi gurrat e frymëzimit, të cilat do të vijojnë të rrjedhin; tuboi poezitë e shpërndara, të publikuara në gazeta, revista, në të përkohshmet letrare, në vëllime të veçanta autoriale, dorëshkrime të pa botuara autorësh të njohur e anonimë, mbuluar nga akulli i censurës. Pas shkrirjes së censurës nuk përjashtohet vetë-censura e moshës te ndonjë varg-qëmtues.
Për publikimin e vëllimit “Demaçi, aromë atdheu”, u përzgjodh një redaksi, e cila parashtroi tri kritere: një: poezitë të radhiten sipas vitit të botimit, dy: sipas kriterit artistik të vlerës së poezive dhe tre: të përfilljes së renditjes alfabetike.

Nga këto tri kritere të shtruarjes ose të mbarë-shtruarjes së lëndës poetike të këtij libri, redaksia e përbërë nga Dr Sali Bytyçi, Prend Buzhala dhe Mehmetali Rexhepi, u
përcaktua pajtueshëm dhe përzgjodhi kriterin e renditjes së poezive e të poetëve mbi parimin e alfabetit të shqipes.

Me gjithë interesimin e pa ndalur, prore i mëtuar nga vullneti prej dekadash, për t`i tubuar vjershëtarët e poezitë për Demaçin, duke ua fshirë pluhurin gazetave, revistave, faqeve letrare dhe, nuhatjes pas aromës tyre, Selatin Novosella në cilësinë autoriale të vjelësit vjeshtak, nuk duket plotësisht i ngazëllyer… Meqë, edhe në këtë botim gjithëpërfshirës, do të ketë mbetur jashtë përfshirjes, pa qëllim, edhe ndonjë shpalim zemre e drithërimë e vargëzuar për Adem Demaçin.

Vijimësia e fillimit dhe kulti

Adem Demaçi u përcaktua dhe i mbeti besnik, në kuptimin e skajshëm të fjalës, fillimit dhe vijimësisë së misionit të parashtruar nga Zoti. Në dialektikën e rrjedhave tashmë të ndryshuara, mbi sakrifica të shpirtrave e qenieve të pafajshme, Prijatari u njëjtësua në synimin e mirëfilltë qytetar: për të ndërtuar të rrënuarën e jo për të përfituar hisen e pa merituar vetjake a grupore. Kësisoj vijoi misionin e tij, të një vokacioni origjinal tokësor e hyjnor. Gjithnjë idhnak aty ku stërkeqen vlerat. E madhërishmja kishte lëshuar rrënjë mbi tragjiken, përderisa e bukura kundruall një tharjeje të atillë stërkeqej.

Si i tillë, prore dialektik, ky prijatar nuk qe ithtar i mistifikimit të kultit të individit, të kultit të përvetësimit, të kultit të pushtetit fodull. Në një rast, pas daljes nga burgimi i tretë, në periudhën e trazimit, të përplasjes së kundërthënieve në Federatën e hiles Jugosllave, të vlimeve të popujve nga zjarri i ndezur prej çetnikizmit të kuq, Baca pohoi thjeshtë kredon e filozofisë të cilën duhej ndjekur: “Mos u kapni për individë, madje as për Adem Demaçin. Kapuni për çështjen e përgjithshme, për parime e ideale”.

Kjo madhështi brenda modestisë, kjo përtrollitje etike e çiltërsisë, e dhimbjes që bartet, si barrë e Sizifit, për ta shpjerë në lartësinë njerëzore quhet Adem Demaçi. Nuk kishte si të mos i grishte ata që i thurën vargje, nuk kishte mur, sado i vrazhdë, që të mos jehonte, dhe jehona të mos depërtonte në shpirtra ndërsjellash, nga zemra në zemër, me ndjeshmëri dhimbjeje, bekimi, mallëngjimi, kuraje, mendimi që flakte prangat e kohës; mençuria e guximi që nuk mbaheshin dot brenda veshjes së ngushtë e të përkohshme të dëshpërimit, krenaria që nuk zmbrapsej për tu ngjitur në majën e saj më të lartë…

E gjithë kjo mendësi ideore, diskursesh vendimore, lypte për të gjetur burimin e thellë të qëndresës së tkurrur, lypte ujin e freskët që të pikë në ballë të verës, lypte Simbolin që hap shtegun e mbyllur të etnisë, metaforën e syve të thellë të Demaçit, Sezamin poetik të hapjes së malit, zbërthimit të jetës, çeljes së luleve me aromë atdheu…
Duke lexuar kujdesshëm këtë libër të dhjetëra e qindra tik-take zemrash, që të gjitha sollën ritmet e rrahjes për një zemër të adhuruar njerëzore… Një zemër mitike e tokësore, një zemër që nuk pushoi së rrahuri për qindra mijëra zemra, madje me ritme të përshpejtuara në gjendjet e tendosura zgripeve të shqip-jetës.

UBT

Simboli ynë kurrë nuk u identifikua me hyjninë, por Perëndisë i lypi mëshirë, jo për vete, por për etninë që të shpëtonte nga mizoria racore e sadizmi:
“nuk ia luhat dot / drejtpeshimin/ ecja lartësive/ me kokë në tokë”(M.Rexhepi, Mes kameleonëve).

Ngadhënjimi i njeriut ndaj bishës njeri

Përkushtimi i poetëve për t`ia shquar cilësitë e dukshme dhe të pa dukshme kryepersonazhit të tyre, e përmbushin tërësinë e frymëmarrjes së librit “Demaçi, aromë atdheu”. Këtu ngjizet dhe gatuhet drama njerëzore e një vullneti antologjik, që mori mbi vete përfaqësimin e së madhërishmes.

Akëcili krijues në këtë lloj poezie, vijëzon vrullin djaloshar, çastet e pakta lirike, portretin e një penë-shkruesi, brendinë e vlimeve të tija dramatike, kultivuesit burokratë të gjarpërinjve, antinominë e jetës midis pleksjeve lirike-epike dhe frikës së shpatës të ngrehur mbi kokë. Ndonjëri kap përpjekjet e Simbolit kundruall sakrificës e dritës në errësirën e burgjeve afatgjata, përmes gëlimit të intrigave, kurtheve e grackave… Tjetri vatrën e brumosjes tij nga Nëna Nazife…

Të gjithë poetët mes antonimeve dritë-terr shohin sfondin e agmisë, purpurin e perëndimit… Poezitë për karakterin e portretit, te shumë poetë, i përshkon kategoria estetike e së madhërishmes. Kjo kategori është zanafilla e përmbushjes së plotësisë jetësore e mendore e Adem Demaçit; është kuptimi dhe qëllimi parësor i ekzistencës… Këtë përmasë e shënjojnë kontrastet, gjuha dhe ngjyrimet emocionale, gjetje e veshje tiparesh, cilësish të një karakteri të fortë, por tejet të ndjeshëm ndaj vlimeve gjithënjerëzore.

Mbi kategorinë e së bukurës, në disa poezi spikatet pashmangshëm sprova dhe filozofia e sprovimit me nota të dhimbjes e të admirimit. Ndërmjet jetës e urrejtjes rriten gjembat e përkatësisë… Kush do të gjembohet? Natyrisht ai që hidhet mbi gjembat e urrejtjes… Kush do të ngadhënjejë? A do të ngadhënjejë e shëmtuara ose urrejtja e njeriut për njeriun? Assesi!
Do të ngadhënjejë njeriu ndaj bishës njeri!
Labirinteve e lakoreve të lirisë së burgosur hyri trajta e vargut, fuqia magjike, çudibërëse e poetit, mbresa e ushqyer me shpresa:
“Vetëm poetit zemra – kambanë i tingëllon
Jeta i dridhet në sy, në veshë ajo i ushton,
Kambanat e fitores janë poetike”

Këto tri vargje të shkëputura i përkasin poezisë “Poetit në natën e vitit të ri”, të poetit Agim Gjakova, shkruar në Tiranë pas dënimit të Adem Demaçit, në vitin 1964. Që nga kjo poezi e vitit 1964, në një hark kohor gjysmëshekullor, poezia shqipe e tipit preferencial, e refkëtimës për personalitetin e adhuruar, frymon dhe komunikon, rrjedh si lumë nëntokësor, me shtrat ku më të thellë e ku më të cekët në letrat e përgjuara e të cenuara të shqip-shkrimit.

Poetët e këtij vokacioni shqiptojnë dhimbjen dhe brengën, shpresën e ngërthyer në heroin e shndërruar në model heronjsh, në një poetikë të ecjes, për zhdavaritje të iluzioneve në dialektikën e ritmeve që lënë pas indiferencën dhe amullinë.

Secili nga poetët e përfaqësuar në librin “Demaçi, aromë atdheu”, përmes një gjuhe figurative nxori dhe vuri në spikamë përmasën e lirisë, duke i dendësuar vargjet me krahasime epike, tipike për ciklet kreshnike, pa iu shmangur hiperbolave të ndjenjave të gufuara, me përmbyllje metaforike të porosive. Në disa vargje hasim metafora të
qëmtuara me shije e ngjyra të gjalla, përmes fjalëve çelësa kumtimesh dhe konceptesh poetike, refleksesh për filozofinë e një jete që merr shumë e jep pak.

Metafora dhe epiteti metaforik

Vargjet që arritën ngritjen dhe zbritjen deri te lartësia dhe thellësia e magjisë së fjalës, deri te përmasa magjepse e shëmbëlltyrës Demaçi, begatuan fondin artistik të shqipes, si: Abdullah Konusheci “Pikat AD”, Agim Spahiu “Spikamë për sytë e Adem Demaçit”, Ali Podrimja “Katrori magjik”, Beqir Musliu “Adem Demaçi” (Akrostik-Magjistral), Mehmetali Rexhepi “Mes kameleonësh”, Bedri Halimi”Pranvera nuk është fjalë goje” Jonuz Fetahaj “Lojë tymi”, Shaip Beqiri “Adem Demaçi” (Variacione poetike) poemë, Fehmi Ajvazi “Prometheu”, Namik Selmani “Zëri i kujtesës”, Naxhije Doçi “Legjendë e dritës”, Nuhi Vinca “Prometheu s`pranon falje”, Riza Graiçevci “Bacë, më i magjishmi yll i Dardanisë së lashtë”, Rrahim Sadiku “Flet Adem Demaçi”, Sabile Keçmezi-Basha “Shpirt i rebeluar”, Sadri Fetiu “Kallëzim për gjarpërin”, Hydajet Hyseni “Në këmbë”, Murteza Xajë-Nura “Po ku vete or miku A.D.”, Zeqir Gërvalla “Lokja s`ishte vetëm jotja”, Adem Zaplluzha “Një nënë që lindi një titan”, Fehmi Berisha “Zogjtë”, Martin Çuni “Vëllait tonë të madh”, Hajdin Abazi “Zemër dardane”, Demir Behluli “Kurban i popullit”, Shqipe Hasani “Një diell shekulli”, Mexhid Mehmeti “Në pallatin e shtypit” e të tjerë.

Veçoria identifikuese për Simbolin e Qëndresës e të Vetëpohimit, përmbushet në vargjet me dendësi epitetesh metaforike. Shaip Beqiri, sjell depërtime të holla deri në nuanca fjalëzash në variantin e poemës “Peshku i ëndrrës”:
“Kobin e këngës e nuhatje diku thellë
Kur fjala ngrysej me rrapëllimë prangash”
Ligjërimi me anë të shtresë-ngërthimit i poetit Shaip Beqiri, urtia finoke e Beqir Musliut, e sprovojnë gjuhën e një poetike të qëmtuar, aq sa fjala merr shtresime kontekstuale dhe zbërthen shumësi të nëntekstit, jep kumte ideore degëzimesh të shumta dhe, ti lexues i çmuar do të marrësh vetëm përngjasimin, ose do të provosh mbi grishjen e pëlqyer të afrohesh, për t`i ndërtuar konceptet tua për dhuntinë, që na falet dhe ua falim të tjerëve; për drithin e bluar pa ujem:
“Për Atë që se kisha e kishe e kishe
Është Tatuazhuar edhe për një milenium
Re aty ku ishe në të njëjtin martirium
Ashtu siç jemi mësuar të njohim na njihshe”
(Beqir Musliu “Adem Demaçi”, Akrostik-Magjistral)

Poezi të tilla jashtë klisheve e idiolatrisë letrare e shoqërore, nuk i shërbejnë konsumit ditor, por ngrenë porosi për të nesërmen.
Le të më lejohet nënvizimi i disa margaritarëve poetikë, të cilët më shumë se heroit i bëjnë nder letrave të art-shkrimit shqip:
“Më përgjaket piskama, më ngjethet piskama,
më ribëhet fjala me rrufe të zjarrta,
E drejt hapësirës së përgjakur i nis rrufetë e fjalës,
ia nis njeriut e djallit, të mençurit e të marrit,
i flas gjithçkaje që prekin duart e njeriut,
gjithçkaje që ndien zërin e njeriut,
gjithçkaje që shohin sytë e njeriut
Piskamën time e kam shpallur për sytë e ndritshëm të Adem Demaçit!..”.
(Agim Spahiu “Piskamë për sytë e Adem Demaçit”)
“por Ai sheh
edhe pse
në çdo labirint
i fiket nga një dritë”
(Mehmetali Rexhepi “Mes kameleonëve”)
“Nata zgjati 28 dimra e gjysmë pranverë
Prangat
i barti si plis në ballë”
(Arif Bozaxhi “Natë e gjatë 28 dimra”)
“Pikat AD
i forcojnë eshtrat
Dhe e rritin mallin
Të kesh Nënë”
(Abdullah Konusheci “Pikat AD”
Trashëgimia madhore e Demaçit

Le të theksohet se në këtë libër kemi poezi të cilat, para se si vlera letrare, shfaqin peshën e rrethanave historike.

Kjo kategori poezish nuk shquhet për veshje kostumesh të bukura figurative, por thjesht, pa u thelluar në semantikën e fjalës poetike; me të poetët zbrazin dufin e zemrës e të mendjes për Bacën, për shëmbëlltyrën udhërrëfyese, prej së cilës do ta merrnin shtytjen dhe forcën e zemrës. Ajo forcë e dialektikës do t`i shndërronte në bartës të misionit të nisur, por të pa përfunduar, dhe, që do ta përflakin në beteja ndeshjesh, edhe me plumba, në rrethanën e zbrazjes së akumulimit gjysmëshekullor… Pinjoj tjerë, si heroina e Drenicës, Xhevë Krasniqi-Lladroci, ish të burgosur politikë, do ta kapnin penën para se ta kapnin pushkën. Shëmbëllesa e Demaçit përmes poezisë, do të depërtojë telat me gjemba dhe dyert e hekurta të burgjeve serbe-jugosllave, sikurse depërtoi poezia e Xhevë Krasniqit për Adem Demaçin, dërguar Fehmi Lladrocit në Burgun e Lepogllavës.

Lexues i çmuar!

Selatin Novosella është vlerësuar si biograf i Adem Demaçit. Tashmë pohimi është dëshmuar. Nga pena e Novosellës, siç u dëshmua mbi tridhjetë vjet, u pasurua dhe vijon të begatohet fondi ynë bibliotekar, me libra për përpjekjet e shqiptarëve që ta ruajnë substancën e tyre etnike, kulturore, gjuhësore e gjeografike. Po ashtu, publicisti, historiani dhe shkrim-kërkimtari Novosella, është duke përgatitur, radhitur e konsoliduar botimin e tërë trashëgimisë letrare, atdhetare, politike, kritike, publicistike e humanitare të Adem Demaçit, përkatësisht Adem Demës, në tridhjetë vëllime. Ky kapital kombëtar, njerëzor, mendor e veprues, do të tkurrej në: të tjerët për Demaçin dhe Demaçi për të tjerët.

Njëra prej tridhjetë veprave të projektit madhor e mbresëlënës, gjithsesi do të jetë edhe ribotimi i kësaj përmbledhjeje me poezi për figurën e admirueshme të Bacë Adem Demaçit.

Të vetëdijshëm se botimi i tashëm i librit me poezi “Demaçi, aromë atdheu”, nuk është shterues, shkrim- kërkuesi S. Novosella zotohet për nxjerrjen e ribotimit të librit me poezi të reja, jetëshkrime të shkurta për poetët, që do t`i përfshijë në ribotimin e ardhshëm.
Poezisë me aromë atdheu nuk do t`i avullohet ëndja, as shija për lexuesit e rinj që do të vijnë.

Dalja e librit “Demaçi, aromë atdheu”, njëkohësisht përputhet me 50 vjetorin e veprimtarisë së organizatës atdhetare “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, e themeluar dhe e udhëhequr pikërisht nga Adem Demaçi, para gjysmë shekulli, për çka Ai qe gjykuar me 15 vite burg të rëndë.

Libri “Demaçi, aromë atdheu”, i autorit Selatin Novosella, meriton të lexohet e rilexohet, ndërsa ideatori, pa dyshim, do ta meritojë admirimin e lexuesve./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.