FIDANISHTJA

Çelësi mbetët te definimi i grupit parlamentar

/ 7 minuta lexim
FIDANISHTJA

Përderisa partia që kishte fituar më së shumti vota në zgjedhje pretendonte se në bazë të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, propozimi për pozitën e Kryetarit të Kuvendit i takon vetëm asaj, grupi i partive LDK-AAK-Nisma, duke u thirrur në Kushtetutën e Kosovës, insistonin se akti më i lartë ligjor parasheh që kryeparlamentari t’i takojë grupit më të madh parlamentar.

Seanca Konstituive e Kuvendit të Kosovës për formimin e legjislativit nisi me paqartësi të mëdha.

E gjitha ndodhi kur kundërshtarët aktual politikë, PDK në njërën anë dhe blloku LDK-AAK-Nisma në anën tjetër, u futën në këtë seancë me skenarë të ndryshme të rendit të ditës.

Përderisa partia që kishte fituar më së shumti vota në zgjedhje pretendonte se në bazë të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, propozimi për pozitën e Kryetarit të Kuvendit i takon vetëm asaj, grupi i partive LDK-AAK-Nisma, duke u thirrur në Kushtetutën e Kosovës, insistonin se akti më i lartë ligjor parasheh që kryeparlamentari t’i takojë grupit më të madh parlamentar.

Mirëpo, në fund, blloku me shumicë votash, zgjodhi Kryetar të Kuvendit, Isa Mustafën si Kryeparlamentar, por në mungesë të deputetëve të PDK-së, të cilët lëshuan sallën, para se kjo të ndodhte.

Menjëherë pas kësaj, ishin deputetët e PDK-së që u ankuan për parregullsi nga ana e atyre që njihen si blloku opozitar, dhe kësisoj, ata përgatitën një dokument, ku përmes tij, kërkonin sqarim nga Gjykata Kushtetuese.

Mirëpo, nga e gjithë kjo orvatje e këtyre dy palëve oponente, një gjë është mbetur pa u sqaruar nga këto parti, ndoshta jo për mosnjohuritë ligjore të tyre.

Që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit e deri të nisja e seancës konstituive, i ashtuquajturi, i gjithë procesi duke se ka ngecur në vetëm një vend, e që ka të bëjë me mënyrën dhe kohën e formimit të Grupit Parlamentar.

Sipas Rregullores së Kuvendit, e drejta për të propozuar Kryeparlamentarin i takon vetëm partisë që ka fituar më së shumti vota nga zgjedhjet, e që në këtë rast është PDK.

Neni 13, paragrafi 2 tekstualisht thotë se Kryesuesi i mbledhjes kërkon nga përfaqësuesi i partisë politike, që ka marrë numrin me të madh të votave, të deklarojë se cili nga dy të emëruarit për anëtarë te Kryesisë propozohet për kryetar të Kuvendit. Kryesia dhe kryetari i Kuvendit zgjidhen me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit.

Ky nen dhe paragraf, në mënyrë shumë të qartë heq dilemat për ata që kanë lexuar vetëm Rregulloren, por jo edhe për ata që kanë lexuar Kushtetutën e Kosovës.

Përkundrazi, për këta të fundit, kjo pjesë ngritë paqartësi të mëdha, pasi që në bazë të nenit 67, paragrafi 2, thuhet se Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Ky sqarim nga akti më i lartë juridik, lenë shpresa për bllokun LDK-AAK-Nisma, të cilët para seancës konstituive u paraqitën si një bllok i përbashkët parlamentar.

Duke pasur parasysh se Kushtetuta është akti më i lartë juridik i një vendi dhe hedhë poshtë të gjitha interpretimet tjera, ky bllok opozitar do të duhej që vazhdonte i qetë drejtë marrjes së pushtetit.

Hidromorava

Por, për “fatkeqësinë” e tyre, kjo nuk është edhe aq e thjeshtë. Rregullimi ligjor në Kosovë nuk parasheh një pikë kyçe, që si pasojë e së cilës, ka ngecur çdo gjë.

Ashtu siç u sqarua në Kushtetutë e drejta për propozim të Kryetarit të Kuvendit,e cila i takon vetëm grupit parlamentar, ashtu edhe do të ndodhte, sikur të mos kishte probleme me definimin e saktë të këtij trupi joformal ligjor.

As në rregullore të Kuvendit dhe as në Kushtetutë nuk saktësohet se kur dhe si formohet një grupi parlamentar.

Në të vërtetë, PDK-ja në ankesën e vet drejtuar Kushtetueses kërkon sqarime nga ajo për këtë çështje.

Aty i drejtohen pyetje Gjykatës Kushtetuese se cili është grupi ma i madh parlamentar, që është përcaktuar në Nenin 67, paragrafi 2 të Kushtetutës dhe me Nenin 12 të Rregullores së Kuvendit, përkatësisht se kush ka të drejtë të propozojë në këtë rast kandidatin për kryekuvendar në seancën konstituive – grupi parlamentar LAN (LDK-AAK-Nisma për Kosovën), i formuar gjatë regjistrimit të deputetëve apo grupi parlamentar që ka fituar në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, në këtë rast PDK si partia e parë në zgjedhje.

Por ajo që nuk ka kërkuar PDK-ja nga Kushtetuesja dhe që pothuajse askush nuk po deklarohet, as anëtarë të subjekteve politike e madje as njohës të parlamentarizmit dhe sistemeve kushtetuese e juridike në vend, është nëse ka mospërputhje ndërmjet Neni 13, paragrafi 2 të Rregullores me nenin 67, paragrafi 2 të Kushtetutës, nene këto që u përmendën më sipër.

Me fjalë të tjera, a është në kundërshtim Neni i Rregullores me atë të Kushtetutës apo e plotësojnë njëri tjetrin?

Në bazë të disa neneve të rregullores së Kuvendit, jepet të kuptohet grupi parlamentar mund të krijohet nga vetëm një parti, por kjo nuk vlen edhe në raste specifike, siç janë grupet parlamentare të subjekteve politike të komuniteteve pakicë, të cilëve u garantohen 20 ulëse.

Precedenti i Grupit Parlamentar “6+”, i hynë në punë bllokut opozitar, por se ky grup në legjislaturën e kaluar ishte regjistruar pas zgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë së Kuvendit.

Mirëpo, 6+, përkundër se nuk ishte regjistruar, ai në seancën konstituive të legjislaturës së fundit, funksionoi si një grup normal parlamentar, duke u pasur të drejtë edhe emërimin e një anëtari të kryesisë.

Si duket, atë kohë, për arsye e rrethanave politike dhe qëllimit për t’i integruar komunitetet pakicë, me theks të veçantë ata serbë në institucionet e Kosovës, grupet tjera parlamentare nuk e bënë të madhe këtë punë.

Por, në situatën e tanishme, çdo gjë është ndryshe. Këtu dy palët luftojnë për të qenë ose jo në pushtet. Dhe gjithçka është fokusuar në betejën e interesit politik, ku nuk vlen rregulli i “shurdhmemecit”.

Në bazë të gjithë kësaj, i bie që mendimi i Gjykatës Kushtetuese do të ishte më i leverdishëm, sikur të sqaronte se si dhe kur krijohet një Grup Parlamentar (GP), gjë që do mundësonte qartësimin e gjithë kësaj situate.

Në rast se GP nuk mund të jetë i rregullt para seancës konstituive, atëherë i vetmi subjekt politik që mund ta ketë të drejtën për të propozuar deputetin për Kryetar të Kuvendit, do ta ketë Partia Demokratike e Kosovës. Në të kundërtën, kjo mundësi i lejohet bllokut të përbërë nga tri partitë, LDK-AAK-Nisma. (lajmi.net)