RCCOLA

Cameron zemëron partnerët

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Pas paralajmërimit të kryeministrit britanik, David Cameron, se ekziston mundësia që – në një të ardhme të afërt – Britania e Madhe të organizojë një referendum për mbetje ose jo në BE, partnerët e tij evropianë, opozita britanike, përfaqësuesit e ekonomisë, por edhe vetë SHBA’të, e paralajmërojnë Londrën nga rreziku i izolimit nga Europa.

Pas deklaratave të kryeministrit britanik, David Cameron, se, në rast se partia e tij konservatore fiton në zgjedhjet parlamentare të planifikuara për vitin 2015, ai do të organizojë një referendum popullor lidhur me qëndrimin ose jo të vendit të tij në BE, pasuan reagimet e para të politikanëve evropianë.

Kështu, kancelarja gjermane, Angela Merkel, i bëri thirrje Britanisë që të jetë e gatshme për kompromise në debatin për të ardhmen e vendit në Bashkimin Europian.

“Europë do të thotë se gjithmonë mund të gjenden kompromise të drejta”, theksoi Merkel në Berlin.

“Në këtë kontekst, ne sigurisht që jemi të gatshëm të flasim edhe për dëshirat britanike”, sqaroi ajo, edhe pse, sipas saj, duhet pasur parasysh një gjë, se edhe vendet tjera i kanë dëshirat e tyre.

“Gjermania, dhe unë personalisht, shpresojmë që Britania e Madhe është një pjesë e rëndësishme dhe një vend anëtar aktiv i Bashkimit Europian”, u shpreh ajo. Sipas kancelares Merkel, Gjermania e përshëndet faktin që Londra “ngul këmbë në atë që, në kontekstin e globalizimit, Europa është një kontinent konkurrues,i cili mund të vazhdojë të ruaj nivelin e mirëqenies së vet”.

Nga ana tjetër, edhe ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, i bëri thirrje Britanisë së Madhe që të ardhmen e saj të vazhdojë ta shohë në Bashkimin Europian.

Në përgjigjen e tij ndaj fjalimit të kryeministrit britanik në lidhje me politikën evropiane, Westerwelle tha se “Europën e lidhë një fat i përbashkët”, dhe se në Europë nuk vendoset çdo gjë vetëm në ose nga Brukseli.

“Por, një politikë vetëm sa për të përfituar nga anët e mira të saj, sigurisht që nuk do të funksionojë”, shtoi ai.

Lojë e rrezikshme dhe vite pasigurie

Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, mendon se me njoftimin për organizimin e një referendumi, kryeministri Cameron po luan një lojë të brendshme politike, megjithëse mjaft të rrezikshme.

Mobi Casa

“Unë i besoj atij kur thotë se dëshiron që Britania e Madhe të mbetet anëtare e BE’së. Mirëpo, Cameron gjithnjë e më tepër po i ngjan atij nxënësit të magjistarit, i cili nuk është më në gjendje t’i mbajë nën kontroll forcat që ka thirrur vetë”, sqaroi ai.

Përfaqësuesit e ekonomisë britanike, por edhe Partia Laburiste në opozitë, ndërkohë kanë paralajmëruar se shpallja e një referendumi për dalje nga BE’ja do të mund ta dëmtojë ekonomikisht Britaninë e Madhe.

Sipas liderit të Partisë Laburiste, Ed Miliband, “Cameron po i sjell Mbretërisë së Bashkuar vite pasigurie, dhe po e vë ekonominë para rreziqeve të mëdha”.

Kritika dhe nga partnerët e tjerë

Deklaratat e kryeministrit Cameron u pritën me kritika jo vetëm nga partnerët e BE’së, por edhe nga liberal-demokratët britanikë, që janë partnerë në qeverinë e tij.

Zëvendëskryeministri britanik, dhe kryetari i liberal-demokratëve, Nick Clegg, theksoi se: “Vitet e tëra të pasigurisë, për shkak të bisedimeve të reja, të zgjatura dhe të papërcaktuara qartë lidhur me pozicionin e vendit tonë në Europë, nuk janë në interes kombëtar. Përkundrazi, ato do të na kushtojnë me vende pune dhe me zhvillim ekonomik”.

Ndërkohë, edhe qeveria amerikane ka paralajmëruar Londrën nga rreziku i izolimit nga Europa.

Cameron i zbut fjalët

“Qëndrimi ynë [për Bashkimin Europian] nuk nënkupton edhe kthimin e shpinës ndaj Europës”, deklaroi të enjten kryeministri britanik, David Cameron, në fjalën e tij në Forumin Ekonomik Botëror, që po mbahet në Davos, të Zvicrës.

”Qëllimi ynë është që Bashkimin Europian ta bëjmë më konkurrues, më të hapur dhe më fleksibil”, shtoi ai.

”Por, edhe që, njëkohësisht, Britanisë së Madhe t’ia garantojmë një vend brenda tij”, theksoi kryeministri britanik.