Fundamenti

Bujqësia, sektor strategjik në Kosovë

/ 4 minuta lexim

Zhvillimi i sektorit të bujqësisë ishte paraparë të jetë një ndër prioritetet e Qeverisë se Kosovës, në kuadër të planit të zhvillimit ekonomik për periudhën 2011-2014.

Ky plan, sektorin e bujqësisë e kishte konsideruar si një nga potencialet më të mëdha për zhvillim të më të hovshëm ekonomik në vend.

Megjithatë, investimi në këtë sektorë, nga ekspertë të fushës së bujqësisë vlerësohet të jetë shumë i paktë.

Profesori i politikave bujqësore në Universitetin e Prishtinës, Halim Gjergjizi thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosovës i mungon një strategji afatgjate e zhvillimit të bujqësisë në të cilën do të vendoseshin prioritet që mund të realizojnë një rritje të prodhimit

“Bujqësia, në përgjithësi prodhimi i ushqimit duhet të jetë së paku në të ardhmen një ndër përparësitë konkurruese në Kosovë, sigurimi i ushqimit si për nevojat e vendit po ashtu edhe për eksportet. Bujqësia me të vërtetë është një resurs i cili në të ardhmen duhet të favorizohet shumë më tepër se sa që është favorizuar deri më tani”, shton Gjergjizi.

Toka pjellore dhe kushtet e volitshme atmosferike në Kosovë, sipas ekspertëve të bujqësisë mundësojnë rimëkëmbjen e shpejtë të këtij sektori, nëse institucionet e Kosovës në forma të ndryshme, përkrahin bujqit kosovarë.

Por, për të shfrytëzuar këto resurse natyrore që ka Kosova, profesor Gjergjizi thotë se kërkohet një organizim i gjithë sektorit të bujqësisë dhe mbi të gjitha, siç thotë ai, duhet të definohet statusi i fermerit dhe të mendohet se si mund të mbështet ky subjekt ekonomik.

“Një ndër prioritetet është dashur të jetë bujqësia. Te ne problemi kryesor është se na mungon një strategji afatgjate e zhvillimit të bujqësisë, ku do të definohet prioritet pra cilat do të jenë prioritet në bazë të së cilave ne mund të realizojmë një rritje të prodhimit dhe plotësimit të nevojave të tregut”, shton Gjergjizi.

UBT

Kosova, vazhdon të jetë importuese e madhe e prodhimeve bujqësore. Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, misri dhe gruri janë produktet ushqimore të cilat më së shumti importohen nga shtete të ndryshme të botës dhe hyjnë në Kosovë.

Udhëheqës i Federatës së Sindikatës së Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri konsideron se importi i prodhimeve bujqësore ndodh pikërisht për shkak të investime të vogla që bëhen nga Qeveria e Kosovës për bujqësinë.

“Faktori numër një që ndikon negativisht në zhvillimin e bujqësisë është për shkak se nuk ka investime, maksimumi në bujqësia Kosova investon 1.7 për qind nga buxheti i shtetit, ndërsa në rajon investohet, 5 deri në 7 për qind nga buxheti i shteteve, Maqedonia investimin e në bujqësi e ka 4.5 për qind nga buxheti i shtetit”, thekson Tahiri.

Ndërkohë, zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural thonë për Radion Evropa e Lirë se viteve të fundit ky sektor është vendosur si prioritet i qeverisë dhe shihet si sektor strategjik dhe se vlera e mjete është duke u rritur.

“Po e marr vetëm një krahasim statistikor. Derisa në vitin 2007 prej grandeve dhe subvencioneve kemi pasur 350 – 400 mijë euro tash në vitin 2013 kemi një buxhet prej 27 milion euro. Nëse e krahasojmë këtë buxhet me vendet e rajonit dhe Ballkanit prapë është më i ulët, por nëse e bëjmë një krahasim me vitin 2007 është një rritje e madhe”, bën të ditur, Isuf Çikaqi drejtor i Departamentit të Prodhimtarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve në MBPZHR.

Vendet e rajonit të cilat kanë buxhet më të madh për sektorin e bujqësisë, se sa që ka Kosova sipas Çikiqit, ato vende kanë mjete që i marrin nga Komisioni Evropian e që Kosova ende nuk gëzon atë mbështetje çfarë kanë ata.

Sipas tij, Kosova për sektorin e bujqësisë nga Komisioni Evropian merr vetëm 5 milion euro, derisa vendet e rajonit marrin shumë më shumë.