Enver Hoxhaj vazhdon fushatën me mesazhe uniteti dhe kujtese historike, nderon sakrificën në Kullën e Lirisë në Dobërdelan
Në vazhdën e një fushate dinamike, gjithëpërfshirëse dhe të shtrirë në çdo cep të Kosovës, kandidati për deputet nga PDK-ja, Enver Hoxhaj, po vazhdon të tërheqë vëmendjen e qytetarëve përmes takimeve të shumta dhe mesazheve që ndërthurin vizionin për të ardhmen me respektin për historinë e vendit. I njohur për qasjen e tij moderne dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët, Hoxhaj po zhvillon një fushatë të mbushur me energji, ide dhe angazhim të pandërprerë.
Gjatë qëndrimit në Dobërdelan, një nga vendet simbol të rezistencës dhe luftës për liri, Enver Hoxhaj mori pjesë në inaugurimin e një pjese të “Kullës së Lirisë”, monument që përfaqëson sakrificën, qëndresën dhe krenarinë kombëtare të popullit të Kosovës.
Me këtë rast, Hoxhaj shprehu respekt të thellë për historinë e lavdishme të vendit dhe mirënjohje të përhershme për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se liria dhe shtetësia e Kosovës janë ndërtuar mbi sakrificën e brezave që nuk kursyen asgjë për atdheun.
“Sot në Dobërdelan, në vendin ku u nis rruga për liri, inauguruam një pjesë të Kullës së Lirisë, një simbol i sakrificës, qëndresës dhe krenarisë sonë. Përulësi para historisë dhe mirënjohje e përjetshme për luftëtarët e UÇK-së”, ka deklaruar Hoxhaj.
Pjesëmarrja e tij në aktivitete të tilla po vlerësohet nga mbështetësit si dëshmi e përkushtimit për të ruajtur kujtesën historike, duke ndërtuar njëkohësisht një vizion të qartë për zhvillimin dhe forcimin e Kosovës.
Në prag të zgjedhjeve, Hoxhaj po vazhdon rrugëtimin e tij elektoral me intensitet të lartë, duke takuar qytetarë, duke dëgjuar shqetësimet e tyre dhe duke prezantuar alternativën e tij për një Kosovë më të zhvilluar, më stabile dhe më afër aspiratave të qytetarëve./rajonipress/

