Fundamenti

BE-ja godet drejtësinë, liberalizimi i vizave drejt dështimit

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Sikur që është raportuar edhe më herët, një raport vlerësues i tre ekspertëve të angazhuar nga Bashkimi Evropian në shtator të vitit të kaluar, që ka vlerësuar kapacitetin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar konstaton se sistemi kosovar i drejtësisë nuk është i përqendruar për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

Raporti u është dorëzuar para disa ditësh eprorëve të institucioneve të drejtësisë në Kosovë, duke përfshirë edhe Ministrinë e Integrimeve. Vërejtjet e ekspertëve janë përqendruar në mungesën e harmonizimit të ligjeve me ato të BE-së, me sfidat në procedurën hetimore e gjyqësore, me mungesën e profesionalizimit të prokurorëve e gjyqtarëve, mungesën e kapaciteteve e deri te mungesa e pavarësisë së këtij sistemi si tërësi. Ekspertët Maurizio Varanese, Theo Byl dhe Camelia Bogdan vlerësimin e kanë bërë përmes analizës së rasteve që janë trajtuar gjatë fazës së hetimit, përndjekjes dhe gjykimit, deri në aktvendimin e plotfuqishëm. Sipas ekspertëve të kësaj fushe dhe analistëve politikë, edhe ky raport i ekspertëve është vetëm një dëshmi shtesë që e forcon bindjen dhe argumenton fuqishëm se në Kosove nuk ka sundim të ligjit dhe nuk ka shans të luftohet korrupsioni i nivelit të larte dhe krimi i organizuar që ka metastazuar në të gjitha institucionet e shtetit!

Raporti tregon regresin

Ish- kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë Hasan Preteni, thotë se ky raport i radhës flet më së miri për gjendjen e sistemit të sundimit të ligjit në vendin tonë. “Po, edhe ky raport, por edhe Raporti i Progresit (që publikohet në pjesën e parë të vitit) e kanë porosinë e njëjtë. S’ka progres, loja me ligje është kuptuar, sa për koincidencë, sapo e trajtova një draftligj dhe në mesin e 26 neneve- unë i evidentova 13 mangësi. Është një regres i fuqishëm, mosharmonizim me ligjet ekzistuese, përzierje kompetencash, zvogëlim i sanksioneve dhe definitivisht ligj i pazbatueshëm. Tani, sigurisht që do të raportojë politika se si u ndryshua ligji, por a do të përmirësohet diçka, mbetet pikëpyetje. Përgjigjja është absolutisht jo. Kemi ligje jofunksionale, institucione të brishta, titullarë të shantazhuar”, tha Preteni për “Kosova Sot”.

Ndërsa, analisti politik Florim Zeqa thotë se është një fat shumë i keq që në këtë 10-vjetshin e fundit nuk e kemi asnjë raport pozitiv të BE-së për Kosovën në të gjitha segmentet e saj. Mirëpo, më negativi prej të gjithave ishte raporti i tre ekspertëve të angazhuar nga Bashkimi Evropian i shtatorit të vitit të kaluar, i cili ka vlerësuar me nota negative kapacitetin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. “Ai raport u është dorëzuar para disa ditësh eprorëve të institucioneve të drejtësisë në Kosovë, duke përfshirë edhe Ministrinë e Integrimeve Evropiane. Vërejtjet e ekspertëve Maurizio Varanese, Theo Byl dhe Camelia Bogdan janë përqendruar në mungesën e harmonizimit të ligjeve me ato të BE-së, me sfidat në procedurën hetimore e gjyqësore, me mungesën e profesionalizimit të prokurorëve e gjyqtarëve, mungesën e kapaciteteve e deri te mungesa e pavarësisë së sistemit të drejtësisë në përgjithësi”, u shpreh ai. “Raporti i ekspertëve të sipërpërmendur evropianë është edhe një dëshmi më shumë se në Kosovë nuk ka sundim të ligjit dhe as që ka sinjale pozitive për përmirësim të cilësisë në sistemin gjyqë- sor dhe prokurorial të Kosovës, që i bie se nuk ka as gjasa teorike të luftohet korrupsioni i nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, i cili ka degraduar të gjitha institucionet e shtetit”, potencoi Zeqa për “Kosova Sot”.

Emërimet mbi baza partiake

KKGJILAN

Analisti politik Skënder Kapiti konstaton se sistemi i emërimeve të gjyqtareve dhe të prokurorëve bëhet mbi baza partiake e politike, që do të thotë se ata zgjidhen nga politika për t’i shërbyer me besnikëri si partizanë të devotshëm vetëm asaj politike. “Prej kësaj apo prej këtij kryekriteri politik vijnë pastaj në seri edhe kualitetet negative të përzgjedhjes në prokurori dhe në gjykata figura të individëve të paaftë profesionalisht, të papersonalitet dhe servilë të politikës, vijnë në sistem injorantë me lidhje familjare e nepotike, të cilët janë besnikë të korrupsionit dhe të pazareve politike. Këto dy kategori emërimesh apo të përzgjedhurish në organet e drejtë- sisë, si dhe ata të ish- regjimit sllavokomunist janë autorët dhe shkaktarët kryesorë prej të cilëve Kosova sot e ka këtë sistem katastrofik të drejtë- sisë. Prandaj, edhe raporti vlerësues i tre ekspertëve të Bashkimit Evropian, i cili me të drejtë ka konstatuar që sistemi kosovar i drejtësisë nuk është përqendruar për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar”, tha Kapiti për “Kosova Sot”.

Të bazuar dhe shumë real e sheh një raport të tillë edhe eksperti i së drejtës Blerim Burjani. “Ky raport dëshmon se Kosova është larg rendit të ligjit,dhe funksionimit normal dhe me standarde të nevojshme të performancës së këtij sektori. Kuptohet që ky raport nuk ka mundur të sjellë diçka tjetër, përveç asaj që dihet dhe preket për çdo ditë në përditshmërinë tonë: nuk ka luftim të korrupsionit në nivele të larta, deri më tash s’ka asnjë vendim gjyqësor të formës së prerë për kategorinë e njerëzve që merren gjoja me politikë, përkatësisht këta njerëz pa dallim merren me përfitim të pasurive publike, zhvatje të buxhetit, ndërtim të autostradave të shumta me qëllime pasurore apo shpenzim të rezervave shtetërore”, u shpreh ai. “Këto gjëra me këtë klasë politike nuk mund të ndalen asnjëherë, prandaj edhe ky raport mund të pengojë liberalizimin e vizave për Kosovën, kur dihet se asnjë zyrtar politik nuk është dënuar në mënyrë efektive, të gjithë këta njerëz janë mbajtur me vite në procedura dhe janë liruar në fund si të pafajshëm”, tha Burjani për “Kosova Sot”.

Prokurorët e gjyqtarët, kukulla të politikës

Edhe eksperti tjetër i sigurisë dhe drejtësisë Naim Miftari ka pohuar se vlerësimi negativ i ekspertëve evropianë Maurizio Varanese, Theo Byl dhe Camelia Bogdan është bërë përmes analizës së rasteve që janë trajtuar gjatë fazës së hetimit, përndjekjes dhe gjykimit, deri në aktvendimin e plotfuqishëm gjyqë- sor, prandaj konstatimi është shumë real dhe me rëndësi. “Raporti i tyre është negativ dhe konstaton se lufta kundër krimit të organizuar nuk është e kënaqshme, pothuajse drejtësia përton (frikohet) të merret me raste të rënda. Arsyetimet e vendorëve, pra arsyetimet tona si shtet, janë qesharake dhe gjithmonë pushteti tenton ta gjejë një arsye më shumë pse po dështon drejtësia dhe fajin e orienton kinse nuk janë harmonizuar ligjet e Kosovës me ato të Bashkimit Evropian, çka nuk është krejt e vërtetë, sepse kemi plot ligje që janë të mira dhe me standarde të larta, por s’ka kush punon me to, nuk ka zbatim të ligjit kundër mafisë politike dhe e nëntokës”, u shpreh ai. “Dhe, sa të ketë prokurorë dhe gjykatës, që janë kukulla të dikujt nga politika dhe nëntoka, në Kosovë kurrë nuk do të ketë drejtësi të mirëfilltë”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”.

Ai ka përsëritur qëndrimin e tij se vetëm pastrimi total i drejtë- sisë,policisë, por edhe i AKI-së është i domosdoshëm dhe urgjencë e kohës, nëse seriozisht duam të jemi shtet ligjor dhe e marrim me përkushtim rregullimin e mirëqenies dhe sundimin e ligjit. Lidhur me këtë temë, gazeta u ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Integrimeve, Prokurorisë, KPK-së dhe KGJK-së, por nuk kanë kthyer përgjigje.

(Kosova Sot)