UBT

Baci shan Qeverinë

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Një hulumtim i STRAS’it për bashkëpunimin ekonomik Kosovë-Shqipëri e bëri Behgjet Pacollin të kritikojë Qeverinë, në të cilën mban postin e Zëvendëskryeministrit të Parë. Ai tha se Qeveria e Kosovës s’ka strategji të zhvillimit ekonomik dhe se takimet mes Kryeministrit kosovar dhe atij të Shqipërisë bëhen sa për të dalë në media.

Është pjesë e Qeverisë së Kosovës, por deklaratat e tij janë krejt ndryshe nga ato të bashkëvendimmarrësve në ekzekutiv. Kur është në pyetje çështja ekonomike, e sidomos projektet për bashkim ekonomik me Shqipërinë, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli del edhe kundër institucionit që përfaqëson.

Madje i ironizon takimet mes krerëve të Qeverisë së Kosovës e asaj të Shqipërisë, që, sipas tij, nuk po sjellin asgjë konkrete në të mirë të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Kryeministrat tani shihen në Durrës, Prizren e Tiranë. Por, ato takime duket se janë vetëm sa për të dalë në media”, thekson Pacolli.

Në një konferencë të organizuar nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, STRAS, me temën “Kosovë- Shqipëri: Ku mbeti ekonomia?”, të mërkurën, ai ka bërë fajtor qeveritë e të dyja vendeve për mosangazhim të duhur për krijimin e një tregu të përbashkët ekonomik rajonal.

“Unë jam pjesë e Qeverisë së Kosovës, por besomëni se nuk ekziston një strategji kombëtare e zhvillimit ekonomik. As Shqipëria nuk ka një strategji të tillë”, është shprehur Pacolli.

Përveç kësaj ka treguar se ka qenë mbështetës i reciprocitetetit me Serbinë, për t’i ndalur, siç ka thënë ai, hyrjen e banditëve të ndryshëm, por kjo nuk ka vazhduar për mungesë të guximit të institucioneve kosovare.

Ideja a bashkimit kombëtar, sipas tij, duhet të fillojë nga ekonomia dhe për këtë ka propozuar që të krijohet një qendër e kërkimeve ekonomike e përbashkët e dyja vendeve për të parë potencialin zhvillimor në të dyja anët e kufirit.

Kreu i STRAS-it, Ibrahim Rexhepi, në prezantimin e të dhënave të hulumtimit të kësaj organizate, ka treguar se marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë nuk kanë ndonjë nivel të lartë dhe shtrirje të avancuar.

“Ato kryesisht janë të përqendruara në shkëmbimin e mallrave, i cili për nga struktura më shumë reflekton ofertën e varfër të dyja vendeve sesa një laramani apo pjesëmarrje të produkteve finale”, thotë Rexhepi.

Bazuar në të dhënat e mbledhura të shkëmbimeve tregtare nga viti 2000 deri në fund të qershorit të këtij viti, Kosova në Shqipëri ka eksportuar 136 milionë euro, ndërsa ka pranuar tri herë më shumë mallra në vlerë mbi 386 milionë euro.

Mobi Casa

Për kreun e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërgjaliun, ky nivel i shkëmbimeve tregtare është shumë i ulët dhe duhet të rritet me rritjen ekonomike në të dy vendet.

Por, sipas tij, nuk zhvillohet ekonomia me emocione dhe patriotizëm ekonomik.

Ngjashëm mendon edhe ish ministri i Transportit, Fatmir Limaj, i cili vlerëson se vendi ka nevojë për vendime të vështira që kërkojnë guxim të vendimmarrësve, jo vetëm sa për të dalë në medie, por që ofrojnë zgjidhje për qytetarët.

Megjithatë, në Kosovë thotë se problemi më i madh ekziston te identifikimi i prioriteteve dhe mungesa e njerëzve të mendimit strategjik.

“Autostrada e kombit është një shembull se të dyja qeveritë kur dinë çfarë duan , e realizojnë”, thekson Limaj.

Nga eksperienca e tij, rrëfen se lobingje të ndryshme ndërkombëtare janë pengesë kryesore për realizimin e projekteve madhore për vendin.

E ata nga të cilët pritet zhvillimi ekonomik kërkojnë nga institucionet e të dyja vendeve që të krijojnë standarde të të bërit biznes.

Kreu i kompanisë Euro Koha, Remzi Ejupi ka kërkuar që të krijohen kushte që shqiptarët të krijojnë një treg të përbashkët e jo të jenë konkurrentë.

“Nuk kemi nevojë për ndërmjetësues, por të bëjmë një treg të përbashkët dhe të mos konkurrojmë njëri me tjetrin”, është shprehur Ejupi.

Në raportin e STRAS-it rekomandohet që qeveritë e të dyja vendeve duhet të heqin dorë nga praktika e deklaratave boshe për bashkimin e shqiptarëve si dhe integrimit më të madh të ekonomive të dyja vendeve-formimit të tregut të përbashkët. Si synime thuhet se janë të pranueshme, por mosveprimi konkret, vetëm sa nxit zhgënjim te bizneset, përkatësisht investuesit e të dyja vendeve.(express)