RCCOLA

Qeveria i përgjigjet BE-së për masat ndëshkuese: Nuk i bëtë asnjë vërejtje Serbisë për dhunën në veri

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Qeveria i është kundërpërgjigjur BE-së, zyrtarë të së cilit një ditë më parë specifikuan masat ndëshkuese që mund të merren ndaj Kosovës për situatën në veri. Ekzekutivi i ka thënë televizionit Dukagjini se është e vështirë të arsyetohet se si BE-ja ndërmerr masa negative ndaj Kosovës, të cilën më parë e ka vlerësuar pozitivisht për progresin e saj

Pezullimi i punës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, pezullimi i financimit të programeve të BE-së, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike.

Këto masa ndëshkuese janë specifikuar mbrëmjen e së martës në Bruksel si paralajmërim për Kosovën për shkak të mosndërmarrjes së hapave të kërkuar nga BE-ja për uljen e tensioneve në veri.

Por ndaj kësaj deklarate të drejtorit të përgjithshëm për zgjerim në Komisionin Evropian, Jan Koopman, ka reaguar Qeveria e Kosovës.

Në një përgjigje për televizionin Dukagjini të mërkurën, zëdhënësi i Ekzekutivit, Përparim Kryeziu e ka vlerësuar të padrejtë dhe jo fer çfarëdo mase ndaj Kosovës.

“Është vështirë të arsyetohet se si Bashkimi Evropian ndërmarr masa negative ndaj Kosovës, të cilën në raportin e tij të fundit për vendit e përshkruan në dritën më pozitive ndonjëherë; si në luftën kundër krimin dhe korrupsionit, si në demokratizim, si në zhvillim ekonomik, ashtu dhe në avancim të kornizën ligjore në përputhje me Acquis të BE-së”, ka thënë Kryeziu.

Kryeziu ka rikujtuar propozimin pesë pikësh të kryeministrit Albin Kurti për depërshkallëzimin e situatës, i cili sipas tij, do të ruante parimin e sundimit të ligjit dhe t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja.

Eco Higjiena

Por, Qeveria kritikon BE-në për mos qortim të hapur dhe të prerë ndaj Serbisë pas sulmeve ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

“Situata u përshkallëzua atëherë kur grupe kriminale dhe formacione ilegale dhe paralele sulmuan Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe gazetarë që raportonin nga terreni. Grupe këto me lidhje të drejtpërdrejta me Beogradin zyrtar dhe formacione ilegale, si e ashtuquajtura “Mbrojtje Civile”, të cilat me marrëveshje të Brukselit, nuk do të duhej të ekzistonin. E megjithatë asnjë vërejte të hapur e të prerë për Serbinë. Pavarësisht gjithçkaje ne e vlerësojmë mbështetjen dhe ndihmën e BE-së dhe me padurim e presim pyetësorin për anëtarësim”, ka thënë ai.

Koopman, bashkë me emisarin Mirosllav Lajçak, mori pjesë në debatin e Komisionit për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.

Gjatë diskutimeve, shumica e deputetëve të PE-së kritikuan qasjen e BE-së.

Sipas tyre, vetëm Kosova po qortohet dhe ndaj saj po merren masa, ndërkohë që asnjë masë konkrete nuk është përmendur për Serbinë.

Eurodeputetët kërkuan që të specifikohen masat edhe ndaj shtetit serb, por as Lajçak dhe as Koopman nuk u janë përgjigjur kësaj kërkese.