UBT

Autostradat dhe veteranët po e “hanë” buxhetin miliardësh

/ 10 minuta lexim
Eco Higjiena

Buxheti i vitit të ardhshëm, prej 2.3 miliardë euro, është një tregues i dështimit të qeverisë “Haradinaj”. Kështu së paku thonë analistët e ekonomisë. Sipas tyre, edhe këtë vit një pjesë e madhe e parave të buxhetit do të vazhdojë që të derdhet në xhirollogaritë e kompanive që ndërtojnë autostrada, pjesa tjetër e këtij buxheti do të shkojë kryesisht për paga dhe kategoritë sociale, ku prijnë mbi 40 mijë “veteranë” të luftës, të cilët i kushtojnë shtetit 100 milionë euro në vit.

Por, ajo që e shfaq zhgënjimin e ekspertëve është dilema se përse nuk po mblidhet edhe një buxhet tjetër që po shkon drejt në xhepat e kontrabandistëve. Ata vlerësojnë se edhe shifra e projektbuxhetit për vitin e ardhshëm e tregon gjithashtu paaftësinë edhe të kësaj qeverie për të zvogëluar informalitetin e lartë, që llogaritet të jetë mbi 35 për qind, dhe kontrabandën e madhe, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, por jo vetëm. Prandaj, zhgënjimi i tyre mbetet te fakti se përse akoma po i mundësohet nëntokës kriminale të lidhur me pushtetarët e fortë që gati edhe një buxhet i tërë sërish të përfundojë në xhepat e kontrabandistëve, mafio-oligarkëve, të cilët duke shfrytëzuar lidhjet me pushtetin u shmangen pagesave të taksave dhe tatimeve, duke e dëmtuar rëndë arkën e shtetit. Ndryshe, nga deklaratat e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës deri më tani është theksuar se në buxhetin e Kosovës për vitin 2018 vendin kryesor do ta zënë shpenzimet kapitale, si dhe do të reflektohen edhe prioritetet e Qeverisë, siç është sundimi i rendit dhe ligjit.

Beqiri: Buxheti, një tregues i mungesës së strategjisë së mirëfilltë zhvillimore

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se buxheti i propozuar nga ana e Ministrisë së Financave të Qeverisë së Republikës së Kosovës është treguesi më i mirë i dështimit të Qeverisë së Kosovës dhe mungesës së një strategjie të mirëfilltë zhvillimore. Ende pjesa më e madhe e buxhetit të shtetit është e orientuar në infrastrukturë rrugore dhe paga e mëditje marramendëse. Sipas Beqirit, dihet se nuk ka ende një strategji konkrete të uljes së papunësisë, aktualisht papunësia është rreth 40 për qind, konkretisht shkalla e papunësisë për vitin 2014 ishte 35. 3 për qind, ose 176.743 persona; për vitin 2015 ishte 32. 9 për qind, ose 145,776 persona; ndërsa për vitin 2016 ishte 27. 5 për qind, ose 126,070 persona dhe në vitin 2017 shkalla e papunësisë ishte 30. 5 për qind, ose 156. 583 persona. “Karakteristikë e veçantë është se në vitin 2017 kemi rritje të papunësisë, për 30,513 persona, pra Qeveria në vend që t’i rrisë pagat duhet të fokusohet në uljen e papunësisë, sipas trendëve edhe në vitin 2018 do të ketë rritje të papunësisë”.

Ndryshe, sipas Beqirit, një pjesë e madhe e buxhetit do të shkojë për kategoritë sociale, ngase janë mbi 40 mijë veteranë të luftës që buxhetit të shtetit do t’i kushtojnë mbi 100 milionë euro në vit, gjithashtu buxheti i shtetit po shpenzohet edhe në gjëra të cilat nuk kanë ndikim në jetën e qytetarëve.”Kosova po krenohet për një buxhet që tash ka arritur në kuotën 2.3 miliardë euro, mirëpo ende mbetet sfidë ekonomia informale, një pengesë e madhe në rritjen e të hyrave të buxhetit. Republikës së Kosovës i nevojitet një sistem financiar i besueshëm, si dhe një ekonomi tregu e qëndrueshme dhe funksionale. Për këtë arsye është e rëndësishme që të gjenden metoda efektive për të parandaluar ekonominë joformale”, thekson ai.

Beqiri tutje shton: “Sipas hulumtimit tim, në terren ekonomia informale ka ndikim mjaft të madh në territorin e Kosovës. Rreth 30 për qind llogaritet aktualisht ekonomia informale dhe pjesa më e madhe e këtij problemi vjen nga veriu i Kosovës që administrohet nga pakica etnike serbe, e cila nuk u bindet ligjeve të Republikës së Kosovës. Prandaj, edhe hulumtimi ynë ka nxjerrë në pah këtë shqetësim të bizneseve me rastin e anketimit tonë, pasi që 143 afaristë, nga gjithsej 250 sa janë anketuar, këtë e shohin si pengesë dhe rreth 57.2 për qind e tyre, e ndajnë këtë mendim, ndërsa relativit mendojnë 17.2 për qind dhe ka ndikim 25.2 për qind kjo do të thotë se ekonomia informale është prezente me të madhe në territorin e Kosovës edhe pas shumë vitesh të shtetësisë”, është shprehur ai.

Indiferenca e Qeverisë për ta luftuar informalitetin

Uji Dea

Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu (PSD), për gazetën “Kosova Sot”, thotë se buxheti prej 2.3 miliardë euro është një tregues i dështimit të qeverisë “Haradinaj”, kjo ngase edhe këtë vit një pjesë e madhe e parave të buxhetit do të vazhdojnë që të derdhen për asfaltim të rrugëve dhe ndërtim të autostradave.”E keqja tjetër është se pjesa tjetër e këtij buxheti do të shkojë kryesisht për paga dhe kategoritë sociale, sepse në vend të pastrimit të këtyre listave, akoma janë me mijëra veteranë të rrejshëm luftës, të cilët do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 100 milionë euro në vit. Ajo që më së shumti më zhgënjen është dilema se përse Qeveria nuk po e mbledh edhe një buxhet tjetër që po shkon drejt në xhepat e kontrabandistëve. Prandaj, kjo na tregon paaftësinë edhe të kësaj qeverie për të zvogëluar informalitetin e lartë, që llogaritet të jetë mbi 35 për qind dhe kontrabandën e madhe, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, por jo vetëm. Kjo indiferencë e qeverisë për mosluftimin e informalitetit është e qëllimshme dhe kjo po bëhet me qëllimin që t’i mundësohet nëntokës kriminale që është e lidhur me pushtetarët e tashëm të fortë që gati edhe një buxhet të tërë sërish të përfundojë në xhepat e kontrabandistëve, mafio-oligarkëve, të cilët, duke shfrytëzuar lidhjet me pushtetin, iu shmangen pagesave të taksave dhe tatimeve, duke e dëmtuar rëndë arkën e shtetit. Prandaj, nga indiferenca e Qeverisë për të luftuar informalitetin dhe kontrabandën bie ndesh se një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë është sundimi i rendit dhe ligjit”, theksoi deputeti Sali Salihu për gazetën “Kosova Sot”.

Abazi: Buxheti mbushet duke luftuar informalitetin, krimin dhe kontrabandën

Njohësi i çështjeve ekonomike dhe financiare, Milazim Abazi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se buxheti i Kosovës është planifikuar që për vitin 2019 të jetë 2.3 miliardë euro.”Ky buxhet paraqet një rritje prej 27,7 për qind krahasuar me vitin aktual dhe paraqet rritjen më të madhe vjetore në historinë e re të Kosovës”. Abazi mendon se buxheti është planifikuar mirë dhe synon përmirësimin e pikave më të dobëta të Kosovës, siç janë: rendi dhe ligji, shëndetësia dhe arsimi. “Kjo ngase në këto tri fusha është paraparë që buxheti të investojë më tepër, bile shumë më tepër sesa që është bërë në vitet e kaluara. Edhe investimet kapitale parashihen të rriten për 15 për qind, respektivisht për 75 milionë euro”. Sipas Abazit, e gjithë kjo rritje buxhetore prej 500 milionë më tepër se buxheti aktual, përkundër uljes së taksave, sigurisht se do të mbushet edhe duke luftuar informalitetin, krimin dhe kontrabandën.”Me buxhetin e vitit të ardhshëm, Qeveria, duke investuar në rend dhe ligj, shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë, do të hapë rrugë për investime më të mëdha të sektorit privat dhe për thithjen e investimeve të huaja”, është shprehur ai.

GRAPCI: BUXHETI NË TË ARDHMEN TË DESTINOHET PËR FUQIZIMIN E ARSIMIT NË KOSOVË

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot” thotë se, përveç fushave tjera, buxheti në të ardhmen të destinohet edhe për fuqizimin e arsimit në Kosovë, ngase ndërtimi i infrastrukturës rrugore, siç ishte ndërtimi i autostradave, ndonëse ishte cilësuar si i nevojshëm, nuk kishte ndihmuar në zbutjen e problemeve ekonomike dhe sociale të vendit. “Por, gjithsesi se është e nevojshme që të vazhdohet me projektet e nisura infrastrukturore nga qeveritë e kaluara, pasi që infrastruktura e përshtatshme rrugore për transport është edhe një kusht për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Mirëpo, prapëseprapë prioritet duhet që të jetë forcimi i sistemit arsimor në vendin tonë”, është shprehur ai. Sipas Grapcit, investimet në sistemin arsimor duhet që të jenë njëra nga orientimet më të domosdoshme që duhet t’i bëhet buxhetit.”Është e rëndësishme që mjetet e buxhetit të Kosovës të orientohen në cilësinë e arsimit, veçanërisht atij profesional, që është edhe një kërkesë jo vetëm e institucioneve ndërkombëtare, por edhe e vetë bizneseve, të cilat vuajnë nga mospërshtatja e ofertës me kërkesën në tregun e punës. Pra, të investohet jo vetëm në infrastrukturën fizike shkollore, por edhe në përmirësimin e cilësisë së arsimit nga nivelet më të ulëta të arsimit deri tek institucionet shkollore të nivelit të lartë”, është shprehur ai.

MALOKU: TË MBËSHTETET SEKTORI PRIVAT

Afaristi Ramadan Maloku është shprehur për “Kosova Sot” se që nga paslufta e deri më sot investimet më të shumta janë bërë në infrastrukturë rrugore dhe ishin për ndërtimin e autostradave. “Fillimisht është ndërtuar autostrada e kombit “Ibrahim Rugova”, që lidh Kosovën me Shqipërinë, kurse në përfundim e sipër është autostrada “Arbën Xhaferi”, që lidh Kosovën me Maqedoninë, si dhe në zgjerimin e rrugëve nacionale dhe shumë projekte tjera. Tani, në kohën kur Qeveria e vendit tashmë e ka finalizuar përpilim e projekt-buxhetit për vitin 2019, si përfaqësues i bizneseve po e jap vlerësimin tim për orientimin e këtyre mjeteve. Investimet më të nevojshme janë ato në ngritjen e ekonomisë së vendit përmes projekteve që zhvillojnë sektorin privat. Kosova i ka disa objektiva, në të cilat duhet të orientohet, siç janë rruga integruese, edukimi, ekonomia, ambientalizmi. Në këtë drejtim duhet të mbështet sektori privat, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe në veçanti të jemi të orientuar në sektorin prodhues. Por, një objektiv i tillë nuk mund të arrihet nëse nuk kemi edukim dhe fuqi punëtore të kualifikuar dhe të krijojnë kushte që buxheti në të ardhmen të destinohet, përveç fushave tjera, edhe për fuqizimin e arsimit në Kosovë”, është shprehur Maloku për gazetën “Kosova Sot”.