Eko Higjiena

Atje ku Prusti ishte në kërkim të kohës së humbur…

/ 5 minuta lexim

Nga Salih Kabashi – Qytet pasanikësh fisnikë, borgjezësh të ndritur, vend ku poetë, shkrimtarë, piktorë, aktorë teatri e filmi çmenden dashurie. Qytet me gjoksin hapur kah deti me klimë oqeanike dimrash të ftohtë e vera të nxehta.

Cabourg-u, dikur fshat i vogël peshkatarësh, sot është vendi ku romantika zgjat 24 orë. Gjithë çka është vlerësuar në Paris, ka gjetur vend në këtë qytet. Bukuria e sotme urbane fillon me kthesën që ndodhi kur një avokat dhe ndërmarrës parisien me emrin Henri Durand-Marimbau, bleu terrenin buzë detit, ngriti digën që do të shpëtonte bregun nga erozioni, ngriti një hotel dhe një kazino, por edhe një shëtitore të gjerë rrethuar me det e gjelbërim, të gjatë rreth 3 kilometra… Tash ajo me gati 4 kilometrat e saj konsiderohet shëtitorja më e madhe bregdetare evropiane e botërore.

Kah viti 1908 arkitektët Lucien Viraut e Emile Mauclerc rinisën urbanizmin e arkitekturimin e ri të Cabourg-ut në një trajtë radiokoncentrike, yrnek nga arenat e teatrove antike greko-romake, ku “Grand Hotel” dhe “Casino” paraqesin ansamblin më koherent dhe më mirë të konservuar të Belle Ėpoque, ku salla e spektakleve dhe holli i hotelit nga viti 1993 paraqesin objekte të titullit monument historik.

Ndërtimet e udhëhequra nga Viraut e Mauclerc shoqërohen me mbjelljen e disa qindra drunjve që sot mbushin me hije parqe e buzërrugë, gjëra që kujtojnë ngritjen e madhe të quajtur gjerësisht Belle Époque, etapë e përparimit të fuqishëm shoqëror, ekonomik, politik e teknologjik ndërprerë nga Lufta e Parë Botërore.

“Grand Hotel” mban nën kulm të tij kazinonë, një shkollë, hotelin dhe postë-telegrafin të pavdekësuara shkrimtari i madh francez Marcel Proust, të cilit aq shumë i kishte pëlqyer të zinte dhomat e gjera të këtij hoteli me dritaret që nga njëra anë shikojnë detin, në tjetrën kopshteve të lulëzuar. Në restorantin e hotelit, pranë shëtitores, Marcel Prousti merrte vaktet tri herë në ditë, duke shijuar ushqimet e pijet delicioze, të rafinuara e të paharrueshme të kuzhinës gjerësisht të njohur normande si dhe të kalonte ditët e tij nën përkujdesje të përhershme të personelit hotelier.

Marcel Prousti, shkrimtari i famshëm francez, bir i një profesori në medicinë dhe i një nënë shumë të pasur të Parisit, lindur më 10 korrik 1871, qysh fëmijë vizitoi disa vende në Calvados, ndër to edhe Cabourg-un. Kishte një arsye të fortë. Prousti si 9-vjeçar u prek nga probleme të rënda frymëmarrjeje, të cilat s’iu ndanë deri në vdekjen e tij të hershme, më 18 nëntor 1922.

Nga viti 1907 deri në vitin 1914 ai, çdo verë, ishte pushues në këtë qytet bregdetar.

Ai aty, nga 1908 deri në 1909, ka shkruar pjesën më të madhe të veprës e tij të famshme: “À la recherche du temps perdu” (“Në kërkim të kohës së humbur”), roman në shtatë vëllime, tre nga të cilët, shkruar më 1922, kanë parë libraritë më 1927, pas vdekjes së autorit. Një pjesë e zhvillimeve në roman rrotullohen në “Hotel Grand”, i cili në veprën e Proust-it njihet me emrin tashmë shumë popullor dhe gjerësisht të njohur “Balbec”.

Marcel Proust-i ishte i dashuruar në “Balbec”-un e tij. Cabourg dhe Calvadosi e kujtojnë me nder dhe përjetësisht mysafirin e tyre me nam.

Fundamenti

André Gid donte ta vizitonte Proustin në hotelin e tij në Normandi. Marcel Proust i ishte përgjigjur me një letër që të mos e merrte rrugë. I tregonte se për shkak të vështirësive të tij respirative, ai rregullisht hidhte në një enë me ujë të vluar barishte të ndryshme që sado kudo ndihmojnë çlirimin e rrugëve të frymëmarrjes… I kishte shkruar : Mos eja! Nuk durohet duhma e rëndë edhe kur hapen të gjitha dyert e dritaret…

*******

Shëtitorja më e madhe dhe ndër më të bukurat e botës ka qenë diçka që e ka frymëzuar dhe që i ka dhënë elan krijimtarisë së Marcel Proustit. Në veprën e tij kanë zënë vend edhe dyndjet plot salltanet të grave borgjeze veshur me fustane të gjerë e të bardhë tek ecin mbi trotuarin e gjerë buzë deti me valët që venë e vijnë duke bërë zhurmë si të bletët ndër zgjoje.

Shëtitorja impresionante mban emrin “Promenade Marcel Proust”. Proust-i me erën nga deti, kripën, jodin…, mbante në funksion mushkëritë dhe shëndetin e tij të brishtë.

Isha ku ka qenë Marcel Prousti. Edhe unë në kërkim të kohës së humbur…

Për fund një copëz legjende mbi depërtimi e vikingëve në Normandi. Ata u vendosën në kodrinat sipër Cabourgut dhe po bëheshin gati ta shkatërronin.

Por atyre ua mori sytë një grua e bukur që ata çdo mëngjes nga kodra sipër e shihnin tek dilte dhe pasi që njëherë lante petkat e sjella me vete, hiqte me dalëngadalë vellon dhe shaminë e saj të bardhë dhe duke hedhur shikimin përreth niste piruetën e saj vallëzuese të larjes. Dridhej e përdridhej trupi i saj nën vrushkuj uji. Dy gërshetat e flokëve tundeshin dhe zbrisnin mbi lëkurën e bardhë të trupit të saj të drejtë, të lëvizshëm e të lakueshëm si të një gjarpri.

Vikingët ishin trembur e mahnitur nga bukuria e një gruaje të hirshme normane dhe kishin ikur.

Legjenda nuk thotë më shumë. E thashë: ajo këtu nuk është e plotë, është vetëm një copëz legjende./zeri/