Arsim Gërxhaliu, mjeku ligjor që i dha zë së vërtetës dhe dinjitet kujtesës kombëtare
Gjilan – Në një nga fushat më të ndjeshme dhe më të vështira të mjekësisë, aty ku shkenca përballet drejtpërdrejt me dhimbjen, drejtësinë dhe kujtesën historike, emri i Arsim Gërxhaliut zë vend të veçantë. Mjek ligjor me përvojë të gjatë, ai është një nga figurat kyçe të mjekësisë forenzike në Kosovë, i njohur për profesionalizëm, integritet dhe përkushtim të palëkundur ndaj së vërtetës.
Arsim Gërxhaliu ka shërbyer për vite me radhë si drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, duke udhëhequr një institucion jetik për sistemin e drejtësisë dhe hetimeve penale. Në këtë rol, ai ka qenë përgjegjës për organizimin dhe realizimin e ekspertizave mjeko-ligjore, autopsive dhe analizave forenzike që kanë ndihmuar zbardhjen e rasteve të ndjeshme dhe proceseve të rëndësishme gjyqësore.
Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij lidhet me identifikimin e viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Gërxhaliu ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në gërmimet e varrezave masive, autopsitë dhe dokumentimin shkencor të krimeve të luftës, një punë e rëndë, e ndërlikuar dhe emocionalisht sfiduese, por e domosdoshme për drejtësinë dhe respektin ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.
Përveç angazhimit profesional, Arsim Gërxhaliu ka qenë edhe zë publik në debatet që lidhen me mjekësinë ligjore, forenzikën dhe drejtësinë, duke dhënë intervista dhe sqarime për raste të ndjeshme me interes të gjerë shoqëror. Qasja e tij ka qenë gjithmonë e matur, shkencore dhe e bazuar në fakte, larg sensacionalizmit.
Kontributi i tij nuk është kufizuar vetëm brenda vendit. Ai ka përfaqësuar Kosovën në konferenca ndërkombëtare të mjekësisë ligjore dhe forenzikës, duke ndarë përvojën kosovare me ekspertë nga vende të ndryshme të botës. Po ashtu, i angazhuar në fushën akademike si profesor dhe kryetar i Bordit të Institutit të Forenzikës në UBT, duke kontribuar në edukimin e brezave të rinj të ekspertëve.
Për punën e tij profesionale dhe kontributin e jashtëzakonshëm në identifikimin e viktimave të luftës dhe dokumentimin e krimeve, Arsim Gërxhaliu është nderuar me “Kryqin e Nderit të Argjendtë” nga organizata gjermane Volksbund Deutsche Kriegsgräberfürsorge, një vlerësim ndërkombëtar që dëshmon peshën dhe rëndësinë e punës së tij.
Arsim Gërxhaliu mbetet figurë e respektuar në fushën e mjekësisë ligjore, një profesionist që i ka shërbyer së vërtetës me dije, etikë dhe përgjegjësi njerëzore. Në një shoqëri që ende kërkon drejtësi dhe qartësi për të kaluarën e saj, puna e tij mbetet një shtyllë e rëndësishme e kujtesës dhe dinjitetit kombëtar.
Arsim Gërxhaliu rrëfen momentin kur ‘takoi’ historinë: Putha në ballë trupin e Adem Jasharit
Eksperti i njohur mjekoligjor, Arsim Gërxhaliu, ka ndarë një rrëfim prekës nga përvoja e tij gjatë identifikimit të trupave të viktimave të luftës së Kosovës, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.
Në disa fotografi të publikuara më herët, Gërxhaliu shihet duke puthur mbetjet kockore të Adem Jasharit, një akt simbolik që tregon respektin e tij të thellë dhe rëndësinë historike të momentit.
Ai rrëfen se pas përfundimit të luftës, në vitin 2002, ekipi i tij nisi punën për identifikimin e trupave të varrosur në Institutin e Mjekësisë Ligjore, një proces intensiv që zgjati 13 ditë, me nga 12-13 orë punë çdo ditë.
“Menjëherë pas luftës u rikthyem në institucionet tona, pas 10 vitesh, në Institutin e Mjekësisë Ligjore që për shqiptarët ishte i mbyllur. Trupat kanë qenë në Institut, gjetëm disa nga raportet e autopsive, një numër i vogël, dhe në mesin e tyre ishte edhe raporti i komandantit legjendar, Adem Jashari. Njoftova familjen dhe profesorin Murati, i cili shprehu gatishmërinë që të rihapen dhe të kryhen ekspertizat nga specialistët vendorë. Ishte një punë e gjatë, por çdo gjë u dokumentua dhe xhirua,” tregon Gërxhaliu.
Gjatë procesit, ekipi i tij përdori për herë të parë në Kosovë analizën ADN, duke siguruar verifikimin e pjesëmarrësve të familjes Jashari dhe duke konfirmuar identitetin e komandantit legjendar.
“Momentet e atyre ditëve i kam përjetuar edhe pas 18 viteve. Ishte emocion i madh, ndjeja se isha duke prekur historinë. Dita e parë ishte mburrëse, por edhe frikësuese – në një vend me 54 varre, disa të goditura, disa pa identitet të qartë. Nga të gjithë vëllezërit e familjes Jashari, disa ishin varrosur gabimisht, disa në fshatra të afërta pa u njohur mirë. Për herë të parë u përdor ADN dhe u verifikua çdo pjesëmarrës,” rrëfen ai.
Ai kujton momentin më prekës personal: “Kafka e Adem Jasharit ishte e fundit që lash. Emocioni bëri të vetën dhe e putha në ballë. Sakrifica e tij është e përjetshme, një shembull unik për të gjithë.”
Ky akt simbolik dhe përkushtimi i ekspertëve mjekoligjorë pasqyrojnë respektin e thellë për figurën e Adem Jasharit dhe sakrificën e tij, e cila, sipas Gërxhaliut, do të mbetet në kujtesën e popullit shqiptar për mijëra vite.
“Ma gjej…” – Rrëfimi prekës i Arsim Gërxhaliut për prindin që vdiq pa e kuptuar fatin e vajzës së tij
Ish-drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, ka ndarë një rrëfim të dhimbshëm dhe prekës nga përvoja e tij me familjarët e personave të zhdukur gjatë dhe pas luftës. Një histori që prek zemrën dhe rikujton vuajtjet e pafundme të atyre që kanë humbur të dashurit e tyre.
Gërxhaliu rrëfen se shumë prindër dhe të afërm të të zhdukurve kanë vdekur pa e ditur kurrë fatin e fëmijëve ose të familjarëve të tyre. Mes tyre edhe baba i një vajze të zhdukur, i cili për vite me radhë kërkoi përgjigje, por nuk e gjeti kurrë.
“Ai ka vdekur për fat të keq. Për mua është edhe më dhimbshëm, sepse sa herë jemi takuar ka qarë. I ka munguar vajza e tij. Çdo takim mbaronte me një përqafim dhe fjalët: ‘Ma gjej vajzën…’. Kjo është pjesa më e vështirë, shumë familjar po e lënë këtë jetë pa e ditur fatin e të afërmve, pa marrë kurrë një informacion,” rrëfen Gërxhaliu me zë të ngarkuar nga emocioni.
Ai shton se kjo dhimbje nuk përfundon me të vdekurit, sepse edhe shumë të gjallë po e lënë këtë botë pa përgjigje. Gërxhaliu përmend rastin e Bajram Çerkinit, i cili nuk arriti të gjejë eshtrat e djalit të tij, Reshatit.
“Kemi kaluar 26 vjet që nga lufta. Këto janë periudha të vështira, sidomos ditët e përkujtimeve, kur të gjithë shkojnë tek varrezat. Disa prej tyre janë të zbrazëta, dhe pavarësisht kësaj, familjarët dërgojnë lule. Por shumë të tjerë kanë vdekur pa e ditur fatin e të dashurve të tyre. Së fundi kemi bacën Bajram, që shkoi pa e gjetur asnjë informacion për Reshatin, djalin e tij,” tregon Gërxhaliu me dhimbje të thellë.
Rrëfimi i tij është një kujtesë e dhimbshme se sakrificat dhe humbjet e luftës nuk maten vetëm me numra – ato maten në lotët e prindërve, në mungesën e përgjigjeve dhe në zemrat e plagosura të familjeve që ende presin drejtësi dhe paqe për të dashurit e tyre./rajonipress/


