Krimet në Komunën e Gjilanit, dëshmi dhe statistika nga 31 lokalitete
Gjilan – Një përmbledhje e të dhënave të mbledhura nga komisionet përkatëse pas luftës pasqyron qartë përmasat e krimeve të kryera në territorin e Komunës së Gjilanit gjatë viteve 1998-1999. Sipas këtyre të dhënave, viktimat janë regjistruar në 31 lokalitete, duke dëshmuar për shtrirjen e gjerë të dhunës ndaj popullatës civile. Dëshmitë e të mbijetuarve dhe shifrat e ftohta të statistikave tregojnë një realitet që nuk duhet harruar, njerëz të pafajshëm të vrarë, të plagosur e të djegur, vetëm pse ishin aty ku historia vendosi të jetë mizore. Dhe megjithatë, përtej dhimbjes, qëndron një detyrim moral, që këto histori të tregohen, që viktimat të mos mbeten vetëm numra dhe që kujtesa të shërbejë si thirrje për drejtësi.
Nuk është thjesht histori, është një plagë e hapur që ende flet. Në territorin e Gjilanit dhe më gjerë, vitet e luftës së fundit në Kosovë mbeten të gdhendura në kujtesën kolektive si një nga periudhat më të errëta, ku dhuna sistematike e regjimit të Slobodan Millosheviq u përkthye në tragjedi njerëzore të përmasave të rënda.
Janë histori që nuk mund të rrëfehen pa dhimbje, familje të tëra të shkatërruara, jetë të ndërprera në mes, trupa të djegur dhe plagë që nuk shërohen kurrë. Në çdo fshat e në çdo lagje, ka një emër që mungon, një zë që nuk dëgjohet më, një kujtim që rëndon mbi ndërgjegjen e brezave. Këto krime nuk ishin thjesht akte lufte, ishin sulme të drejtpërdrejta ndaj jetës, dinjitetit dhe vetë ekzistencës njerëzore.
Dëshmitë e të mbijetuarve dhe shifrat e ftohta të statistikave tregojnë një realitet që nuk duhet harruar, njerëz të pafajshëm të vrarë, të plagosur e të djegur, vetëm pse ishin aty ku historia vendosi të jetë mizore. Dhe megjithatë, përtej dhimbjes, qëndron një detyrim moral, që këto histori të tregohen, që viktimat të mos mbeten vetëm numra dhe që kujtesa të shërbejë si thirrje për drejtësi.
Sepse kujtimi nuk është vetëm dhimbje, është edhe qëndresë
Si ndër masakrat më të rënda konsiderohen ato në Llashticë, Zhegër, Llovcë, Zhegovc dhe Lladovë, zona që kanë pësuar humbje të mëdha njerëzore. Materiali i përgatitur në formë monografie ka pasur për synim dokumentimin e saktë të datave dhe dëshmive, duke krijuar një bazë të rëndësishme për kujtesën historike dhe trajtimin institucional të këtyre ngjarjeve.
Sipas statistikave të nxjerra nga një komision komunal në vitin 2001, lista e plotë e lokaliteteve me numrin e të vrarëve është si vijon:
Gjilan – 24
Llashticë – 21
Zhegër – 12
Lladovë – 7
Bresalc – 7
Vërbicë e Zhegovcit – 5
Llovcë – 4
Malishevë e Epërme – 3
Malishevë e Poshtme – 2
Velekincë – 3
Cërrnicë – 3
Vrapqiq – 3
Livoq i Epërmë – 3
Kmetovc – 3
Muqibabë – 3
Zhegovc – 3
Dunav – 2
Shurdhan – 2
Selishtë – 2
Gadish – 2
Ponesh – 2
Miresh – 2
Kokaj (Inatovc) – 2
Ranatovc (Preshevë) – 2
Stanqiq – 1
Pidiq – 1
Goden – 1
Pogragjë – 1
Bukovik – 1
Shillovë – 1
Makresh i Poshtëm – 1
Një element veçanërisht i rëndë që del nga këto të dhëna është struktura familjare e viktimave. Në shtatë raste janë vrarë bashkëshortë, ndërsa në pesë raste babë e bir. Po ashtu, në disa raste, pas ekzekutimit, trupat e viktimave janë djegur, me gjithsej 18 raste të tilla të evidentuara.
Ndërkohë, të dhënat nga terreni tregojnë se gjatë periudhës mars – qershor 1999 janë plagosur 111 persona në këtë komunë. Prej tyre, 102 janë plagosur gjatë periudhës më intensive të luftës, nga 24 marsi deri më 20 qershor 1999, ndërsa 9 të tjerë pas kësaj periudhe.
Këto të dhëna përbëjnë një dëshmi të fuqishme të asaj që ndodhi në Gjilan dhe rrethinë, duke mbetur një kujtesë e domosdoshme për të kaluarën dhe një thirrje për drejtësi dhe mos-harrim./rajonipress/


