Fundamenti

Analizë: E drejtë , apo drejtësi

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Tribunali i Hagës liroi të enjten nga akuzat për krime gjeneralin serb Momcilo Perisic. Shkalla e parë atë e kishte dënuar me 27 vjet burg. Ky vendim u bë kështu pjesë e një sërë aktvendimesh paraprake: Ramush Haradinaj, Ante Gotovina, Mladen Markac… Ndryshon vetëm origjina e ish të akuzuarave dhe e viktimave të tyre.

Nga akuzat për krime lufte Haga ka liruar edhe një serb. Lirimi i tij paraqet një vazhdimësi të vendimeve të kohëve të fundit për lirimin e të akuzuarve. Në nëntor të vitit të kaluar, Ramush Haradinaj është shpallur i pafajshëm për herë të dytë. Ai akuzohej për krime kundër njerëzimit, të kryera ndaj serbëve në vitet 1998-1999.

Disa javë para tij, nga Tribunali i Hagës u liruan edhe dy gjeneralë kroatë: Ane Gotovina dhe Mladen Markac, të cilët shkalla e parë i kishte dënuar me 24, respektivisht me 18 vjet burg. Ata akuzoheshin për krime ndaj civilëve dhe ushtarëve të zënë rob, si dhe për dëbimin e serbëve nga Kroacia, në vitin 1995.

Parimisht, nuk është mirë të kontestohen aktvendimet, kur nuk ka ndonjë alternativë më të mirë. Por shtrohet pyetja: Si është e mundur që vendimet e shkallës së parë të kenë qenë kaq të gabuara? Apo, mos vendimet e shkallës së dytë janë një korrigjim politik i vendimeve rigoroze juridike të shkallës së parë?

Lejohet edhe pyetja tjetër: Pse udhëheqësit e luftës po lirohen kaq shumë kohëve të fundit, nga akuzat për krime? Athua Tribunali i Hagës për Krime Lufte në hapësirat e ish-Jugosllavisë është i mbingarkuar? Apo, mos atje po manifestohen edhe interesat politike?

Në Ballkanin Perëndimor gjithmonë ekzistojnë teoritë e komplotit. Për shembull, Kroacia nuk do të mund të futej në BE kësaj vere po të dëshmohej se gjeneralët e saj të liruar ishin pjesëmarrës në vrasjet dhe në dëbimet e serbëve gjatë aksionit ‘Oluja’ – që u mbështet logjistikisht nga këshilltarët amerikanë. Apo tjera, se Rramush Haradinaj ishte bashkëpunëtor i NATO’s në kohën e bombardimit të Serbisë, prandaj dënimi tij do t’i vinte në pikëpyetje edhe veprimet e Perëndimit.

E Perisic?!

Uji Dea

Është e qartë, Beogradi është zemëruar me aktgjykimet për lirimin e rasteve ku viktima ishin serbët, andaj me lirimin e Perisic atij i është dhënë përkrahja e nevojshme para bisedimeve vendimtare mes Serbisë dhe Kosovës – e cila ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008, me mbështetjen e vendeve perëndimore. Veç kësaj, Serbia tashmë ka futur në rend dite të OKB’së çështjen e Tribunalit të Hagës, kështu që tani do ta ketë shumë vështirë të dëshmojë njëanshmërinë e tij, respektivisht ta paraqes atë si një institucion antiserb.

Të gjitha këto teza tingëllojnë joshëse, megjithëse. në themel. nuk bëhet fjalë për fakte të dëshmuara por vetëm për supozime.

Ndoshta problemin e Gjykatës së Hagës do ta kuptojmë më mirë nëse pyetemi: Si duken faktet nga perspektiva e viktimës?

Gatë viteve të nëntëdhjeta zotërinjtë e liruar kishin përgjegjësi të ndryshme.

Si ushtarë me grada ata ishin të përfshirë në fushëbeteja të ndryshme. Mirëpo, ekzistojnë edhe disa ngjashmëri mes tyre. Nën hijen e luftimit të tyre ishin civilët, edhe pse Gjykata nuk ishte në gjendje të dëshmojë përgjegjësinë e tyre për krimet – që padyshim – u kryen asokohe. Veç kësaj, që të tre të përmendurit në sytë e popujve të tyre janë luftëtarë të drejtë dhe heronj, përderisa për popujt e tjerë, pjesë e të cilëve janë viktimat, ata shihen si kriminelë.

Haga nuk ka përgjigje për këto dilema – as juridike e as morale. Nacionalistët nga hapësirat e ish-Jugosllavisë edhe më tej vazhdojnë që këmbëngulësisht të mohojnë idenë e një ndjekjeje penale ndërkombëtare të bashkëkombësve të tyre. Nga ana tjetër, gjykatat vendore edhe më tej do të organizojnë pa vullnet gjykime në të cilat të akuzuar janë “heronjtë lokalë” e viktima “armiqtë në luftë”. Familjet e të vrarëve dhe të të dëbuarve gjithnjë e më shumë do të ndjehen se janë lënë në baltë nga të gjithë. Para syve të tyre hendeku në Tribunalin e Hagës mes së drejtës dhe drejtësisë po bëhet gjithnjë e më i thellë.

Është ky një zhvillim i rrezikshëm i ngjarjeve. Në mesin e gjeneratave të pasluftës, të cilat u rritën me mitet për heronjtë vendorë dhe me kriminelët e huaj të viteve të nëntëdhjeta, ka gjithnjë e më shumë nga ata që mendojnë në këtë stil: Nëse nuk ka drejtësi, nuk do të ketë as pajtim, as paqe.(DW)