Al Jazeera: Formësimi i ëndrrës olimpike të Kosovës
Pierre de Coubertin thoshte: “Shpirti olimpik nuk është pronë as e një race, e as i një moshe”.Kjo thënie i përshtatet më së shumti 75-vjeçarit Ali Pllana, kryetar i Federatës së Shenjëtarisë të Kosovës (FSHK). Ndonëse kampion i katërfishtë në ish-Jugosllavi, Pllanës kurrë nuk iu dha e drejta për të konkurruar në Lojërat Olimpike.
“Para suksesit të arritur në fushën sportive, merreshin parasysh prejardhja, familja dhe pikëpamjet politike,” kujton për Al Jazeera, ekonomisti i diplomuar Pllana i cili i ka kushtuar këtij sporti më shumë se pesë dekada të jetës së tij.
Në moshën gjashtë vjeçare, Pllana ka humbur babain, i cili u vra nga ushtria jugosllave ndërsa vëllai i tij 18-vjeçar u burgosë.
Pas demonstratave të vitit 1981 nga ana e shqiptarëve të Kosovës në Prishtinë, kryeqytet i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës të asaj kohe, sportistët kanë vuajtur shumë.
Në vitin 1989, Federata e Shenjëtarisë të Kosovës ka pushuar së ekzistuari dhe ushtria Jugosllave i ka detyruar sportistët që të dorëzojnë të gjitha pajisjet. Ata gjithashtu kanë konfiskuar koleksionin privat të armëve të Pllanës, në mesin e tyre ekzemplarë të rrallë dhe dhurata nga udhëheqësit politik të kohës, transmeton Indeksonline.
Dy vite më vonë, aktivitetet e shenjëtarisë u ndaluan në Kosovë. Në të njëjtin vit, atletët e Kosovës braktisën garat në Jugosllavi dhe nuk u lejuan të përfaqësojnë vendin e tyre në gara ndërkombëtare.
Kosova u bë lajm ndërkombëtar në vitin 1999, kur forcat e udhëhequra nga presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq u përpoqën të shtypin fushatën për pavarësi të shumicës etnike shqiptare, gjë që u mori jetën më shumë se 13.000 njerëzve në Kosovë.
Pllana ishte cak i një sulmi me snajper derisa ishte duke hyrë në shtëpinë e tij në Prishtinë. Një goditje fati e shpëtoi, duke e lënë të plagosur. Sulmi e bëri atë më të fortë.
Menjëherë pas përfundimit të luftës në vitin 1999, kur Kosova u çlirua nga Serbia, Pllana formoi sërish Federatën e Shenjëtarisë.
Ai e ndjeu këtë si “obligim” ndaj vendit të tij, për t’i orientuar gjeneratat e reja. Pas aplikimit për anëtarësim në Federatën Ndërkombëtare të Shenjëtarisë, Pllana ka kaluar shumicën e kohës së tij në zyrë, duke punuar për njohje ndërkombëtare për FSHK.
Ai nuk ka punëtorë të rregullt, por vetëm disa vullnetarë.
“Të përfaqësoja Kosovën në Olimpiadë ishte diçka që unë e kam ëndërruar për veten time,” thotë Pllana për Al Jazeera, duke shtuar se ka pasur raste kur sporti ka qenë përparësi, madje edhe para familjes. “Për fat të keq, ëndrra nuk u realizua për arsye politike.”
Sukseset në xhudo
Sinjali i gjelbër nga Komiteti Ndërkombëtar Olimpik, erdhi si lajm i mirëpritur për trajnerin e xhudos Driton Kuka, i cili ishte kandidat potencial për Olimpiadë, derisa ëndrrat e tij u shtypën nga politika.
“Karriera ime ka përfunduar kur ajo ishte dashur të fillojë, në moshën 20 vjeçare,” tha Kuka. Për 24 vjet, Kosova ka humbur breza të atletëve, por tani Kuka ndihet i kënaqur, pasi “të gjithë mund të shohin se nën qiellin e Kosovës, linden talent të rrallë”.
Xhudistja Majlinda Kelmendi festoi një vit të shkëlqyeshëm dhe kryesoi si fituese në listën botërore të prestigjit, duke u shpallur xhudistja më e mirë në botë për 2014 nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos.
Ajo ka lindur më 1991, në të njëjtin vit kur ka filluar izolimi i sportit në Kosovë.
Sipas Kukës, rezultatet e Kelmendit dhe performanca e saj ishin kyçe për pranimin e Kosovës nga ana e Komitetit Olimpik.
Lufta
Kelmendi ka filluar të ushtrojë xhudo në qytetin e saj të lindjes, Pejë, në vitin 1999. Salla sportive ku ajo ushtron është ndërtuar nga familja e trajnerit, ndërsa i ka mbijetuar edhe zjarrit të luftës. Ajo është përdorur një kohë si strehë nga familja e Kukës pas luftës, pasi shtëpitë e tyre ishin shkatërruar.
Përveç rrëzimit të kundërshtarëve në tapetin e mundjes, gjatë gjithë karrierës së saj, Kelmendi është dashur të rrëzojë barriera të vëna nga politika ndërkombëtare, që kishte bllokuar rrugën e saj për të konkurruar në garat ndërkombëtare për vendin e saj.
Edhe pse kishte arritur rezultatet e kërkuara për Olimpiadë, Kelmendit nuk i është lejuar të përfaqësojë Kosovën në Londër 2012. Në vend të kësaj, ajo ishte zgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë.
Por tani, bartësja e flamurit të Kosovës është shumë e kënaqur me faktin se suksesi i saj ka sjellë njohje ndërkombëtare dhe beson se atletët e Kosovës e meritojnë atë.
Derisa Rio 2016 afrohet, Kelmendi është e mbërthyer në mes ndjenjës së krenarisë dhe frikës – me përgjegjësinë e madhe për të bërë krenar kombin e saj, derisa bën histori, duke bartur me vehte ëndrrën olimpike të 24 gjeneratave. / Al Jazeera English/ Indeksonline/


