UBT

Nuhi Sadiku – ardhmëria e poezisë shqipe

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

LETËRNJOFTIM KOSOVE

Kush e di se ç`jam
erë e qetë nga veriu
apo
stuhi e furishme nga jugu
fëmijë i braktisur jam
Imagjinatë e ndrydhur shekullore

fjalë e pagermëzuar në buzët qumështore
histori e cunguar e njëmijë jetëve
djep i binjakëzuar me gjak
zjarr në sytë e të rënëve
tokë pjellore me gjak ujitur
diell në lindje perënduar
ushtar betejash jam
Kosovë emrin ma thonë

MESNATËS PO I A SHPALLIM SEKRETET

Mesnata ka trokitur portave të qytetit
duke depërtuar thellë në palcet e kohës

Klithmat e egërsuara
tashmë kanë vajtur dikund

Qetësia ka vendosur
pushtetin e saj

Një afsh lumturie ka mbuluar
personazhet prapa perdeve
prapa dritareve të avullisura

Mesnata ka trokitur portave të qytetit
po kërkon borxhin e marrë prej vitesh
kush puthjen e parë
kush atë të dytë
të tretë
të pafund

Po kërkon që t`i shikojë
reprizat e atyre shfaqjeve

Mesnatës po ia shpallim sekretet
do t`ia falim kujtimet
pa drojë

Ajo i ruan

Mesnata ka trokitur portave të qytetit
po zë vend shikimit tim nga terrasa

Po na falë kënaqësi

Unë asaj
po ia fal vargun
– Ja është për ty !

S`ËSHTË PREMTIM

Betohem

Do ta shuaj dhimbjen
S`e duroj në zemrën tënde
Po të dojë
Le të urdhërojë tek unë

Betohem

Do ta zhduk mërzinë
S`i ka hije fytyrës sate
Po të dojë
Le të ia mësyjë kah imja

Betohem

Errësirë s`do të ketë
po e zbeh bukurinë tënde
po të dojë hija jote
le të më sfidojë mua
bota do të rrokulliset nën këmbët tua
atëherë jotja zemër do të shëndrisë veç për mua

Betohem !

JANË PËRGJAKUR ËNDRRAT

FIDANISHTJA

Janë ç` ekuilibruar ëndrrat
në gjeometri po na servojnë
jetën
po e godasin me gurët e Sizifit

Trajektore dhimbjesh e kanë kapluar
Mbi trupin e saj po tërheqin paralele
Me një brisk
vrik e vrik
jetën po e copëtojnë

Gjakun do ta pijnë qentë
Mishin do ta hajnë krimbat

(Ky është ligji i persekutimit)

Jeta
do të na ngjajë në skeleturat
që çdo ditë po i shohim
në laboratoret politiko-kimike

Veç kush të rren
Ëndrrat janë trazuar
nuk janë më ato të përparshmet

Tash,
nga gjumi po zgjohemi
pranë atakeve kardiake
jetës ka kohë
që ia kemi parë kolapsin

Aq keq na kanë pushtuar ëndrrat
Medet për ne

Ëndrrat tona
arenë ndërluftimesh
janë kthyer
Po hiqen koka
Po prehen gjymtyrë
Po nxirren sy
Po shqyhen gojë

Na janë përgjakur ëndrrat
Po na vritet jeta

Në arena filmike
po e shikojmë

Po presim gjersa t`na dalë gjumi
që t` ikim syresh

N MEMORIAM

1. ( Luftëtari )

I patën thënë
Mos e kap pushkën
Se aty ka folenë
vet Djalli
Aty
Zot`ër tjerë
s`ka
Në anën tjetër
Atdheu çirrej
I sakatosur
I shtrirë
Përdhe
Ushtritë e botës ia behën
Kë ta dëgjojë
Mallin a Zjarrin
Zgjodhi
Zjarrin
Një emër më shumë
në sirtarin e të (pa) vdekurve
Një trup më shumë
në morgun e të vdekurve (të gjallë)

2. ( Dëshmorët )

Të gjallë jeni
Sa të hapëroj
pëllumbi i bardhë
I paqes
Mbi damarët tuaj
tashmë gjaku
ka shterrur
Etja e kobshme
iu ka kapluar
Ne
po iu ujisim
me lotët rrëke
të nënave

3. ( Amshim )

Dielli juaj
perënduar ka
ka rënë mbi kokat tona
V`shtirë që do të lindë ma
Emrat tuaj
Janë gdhendur
rrugëve të qytetit
(Ç)Do ditë po i shkelim

4. ( Zbrazëtirë )

Kush do ta plotësojë
boshllëkun tuaj
A do të zbresin
yjet nga qielli
A flamuri në gjysëmshtizë
Apo shiriti i zi
fotografisë sate
Kush do ta plotësojë boshllëkun tuaj
Kush
Askush

5. ( Në Histori )

Amaneti juaj
Ende
S`është jetësuar
Dhashtë Zoti
një ditë
Deri atëherë
qëndroni faqeve t`historisë
që t`iu shfletosin
Pjella juaj
Rrita Kosovës
Bijtë tanë