Fundamenti

Teatri i Qytetit të Gjilanit dhe gjurma artistike e Bedrije Rexhepit

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Historia e Teatrit të Qytetit të Gjilanit është e pandashme nga emrat që i dhanë jetë, zë dhe identitet, e ndër ta zë vend të veçantë Bedrije Rexhepi, aktore dhe këngëtare, talenti i së cilës la gjurmë të pashlyeshme në skenën teatrore gjilanase që nga viti 1975.

E lindur në Malishevë të Gjilanit, Bedrije Rexhepi e nisi rrugëtimin e saj artistik herët, e udhëhequr nga dashuria për teatrin dhe muzikën, dy fusha që do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës së saj krijuese.

Në një rrëfim për rajonipress, ajo kujton me emocione vitet e para të angazhimit në Teatrin e Qytetit, rolet e bukura të interpretuara përkrah aktorëve të njohur, këngët dhe tekstet e shfaqjeve që edhe sot i ruan përmendësh, si dhe jetën e saj të mëvonshme në Kanada.

Për disa vite me radhë, Bedrije Rexhepi ishte zëri, talenti dhe figura femërore që identifikohej ngushtë me veprimtarinë e Teatrit të Qytetit të Gjilanit. Që nga viti 1975, ajo u shfaq në skenë përkrah emrave të shquar të teatrit kosovar, si: Jashar Shahiqi, Sabedin Shahiqi, Muharrem Sylejmani, Ruzhdi Mehmeti, Naser Zymberi, Mejreme Berisha, Shpresa Vokshi Hajdari, Xhevahire Murtezi, e shumë të tjerë, duke kontribuar në ndërtimin e një periudhe që sot konsiderohet si një epokë e artë e teatrit lokal.

“Teatrin dhe muzikën i kam dashur që nga fëmijëria. Me to jam marrë natyrshëm, deri në momentin kur u inkuadrova në Teatrin e Qytetit, ku kalova disa nga vitet më të bukura të jetës sime,” shprehet Bedrija, duke rikthyer kujtime nga ajo kohë.

Ajo veçon me krenari shfaqjet që i kanë mbetur thellë në zemër dhe kujtesë, si “Dasmë në luftë”, “Kryet e hudrës” dhe “Banesa e përbashkët”, të gjitha në regji të Muharrem Shahiqit. “Janë shfaqje që i mbaj ende në zemër dhe tekstet e të cilave i di përmendësh edhe sot,” thekson ajo.

Uji Dea

Bedrije Rexhepi kujton gjithashtu sfidat e kohës, veçanërisht për gratë në art. “Ishim vetëm katër femra në teatër: Xhevahire Murtezi – Shahiqi, Mejreme Berisha, Shpresa Vokshi – Hajdari dhe unë. Megjithatë, grupi i artistëve funksiononte si një familje e madhe, ku mbizotëronte respekti dhe dashuria për artin,” thotë ajo.

Në veçanti, Bedrija flet me admirim për regjisorin Muharrem Shahiqi, të cilin e përshkruan si një figurë të pazëvendësueshme të teatrit. “Ishte artist i madh, regjisor i përkushtuar dhe shumë i afërt me ne. Na trajtonte si fëmijët e tij,” kujton ajo me emocione.

Sot, Bedrije Rexhepi jeton në Kanada, së bashku me familjen dhe bashkëshortin e saj, Zeqirja Rexhepin, krijues dhe piktor me përmasa ndërkombëtare. Ajo është gjithashtu nëna e këngëtares së njohur Tringa Rexhepi, duke dëshmuar se trashëgimia artistike vazhdon brez pas brezi.

Përveç veprimtarisë artistike, Bedrije Rexhepi është edhe stiliste dhe drejton biznesin e saj me emrin “Hair By Bea”, duke dëshmuar se krijimtaria nuk njeh kufij as në kohë, as në hapësirë./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.