UBT

80 të intervistuar për rastin e stentave

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Besim Kelmendi, i cili po e heton rastin e stentave, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Jeta në Kosovë”, tha se deri më tash i ka marrë në pyetje rreth 80 persona.

Pas arrestimit të tetë mjekëve dhe një tekniku më 9 tetor të këtij viti, prokurori Kelmendi tha se kanë vërshuar dëshmitarë për të treguar përjetimet e tyre gjatë trajtimit me stenta. Deri para arrestimit ai tha se kanë pasur problem për të gjetur dëshmitarë të kësaj natyre, edhe pse hetimet kanë nisur qysh në vitin 2012.

Prokurori Besim Kelmendi është i bindur se kanë dëshmi të mjaftueshme për ta çuar këtë rast në gjykatë.

“Ne po e trajtojmë këtë rast duke menduar se kemi dëshmi të mjaftueshme për ta çuar këtë rast në gjykatë, në bazë të provave që kemi siguruar deri në këtë fazë të procedurës”, tha prokurori Kelmendi.

Deri në këtë fazë të hetimeve ai tha se i ka intervistuar hiç më pak se 80 persona, përfshirë dëshmitarë, të dëmtuar, të pandehur dhe të tjerë.

“Në këtë fazë të hetimeve kemi marrë në pyetje pothuajse 80 persona, duke përfshirë të dëmtuar, dëshmitarë, të pandehur, duke përfshirë persona që kanë qenë të punësuar, qoftë në institucionet publike, apo ato private, qoftë në Ministrinë e Shëndetësisë”, tha Kelmendi.

“Kemi siguruar disa prova-dëshmi të shkruara, apo prova materiale. Të gjitha këto dëshmi deri më tani tregojnë që ne vërtet kemi pasur një arsye të fortë që kemi filluar hetimet për këtë rast”, shtoi ai.

Më 9 tetor të vitit 2014 policia e Kosovës arrestoi 8 mjekë dhe një teknik medicinal, përderisa i dyshuar në këtë rast ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.

Prokurori Special, Besim Kelmendi e arsyeton mos-arrestimin e ministrit Agani. Ai tha se ministri Agani është nën hetime për shkak të mosveprimit të tij, pasi që, Prokuroria ka dyshime se ai kishte informata se çka po ndodhte nëpër spitale publike dhe në ato private, të paktën, me ato spitale private me të cilat kishte marrëveshje Ministria e Shëndetësisë.

Fundamenti

“Kur unë i kam filluar hetimet ndaj të gjithë të pandehurve kam pasur një dyshim të arsyeshëm se këta njerëz janë duke u marrë me këto veprimtari ku ka qenë i përfshirë edhe ministri. Ministri është këtu nën hetime për shkak të mosveprimit të tij, jo për shkak të veprimit”, deklaroi Kelmendi në intervistën për emisionin “Jeta në Kosovë”.

Agani ishte ftuar në Prokurori në cilësinë e të dyshuarit. Por kjo e kishte habitur ministrin, edhe pse nuk u arrestua.

Pretendimet e prokurorit Kelmendi ndaj tij, ai i quan të paqëndrueshme.

“T’ju them të drejtën, unë kam qenë i befasuar pse të ftohen më cilësinë e të dyshuarit. Sepse prej asaj që unë e pash në komunikatën e Prokurorisë Speciale, akuzat të cilat vijnë për shkeljen e dyshuar të Ligjit të Prokurimit Publik, ose nënshkrimin e marrëveshjeve të paligjshme, të cilat kanë favorizuar spitalet e caktuara private, përfundimisht për mendimin tim nuk qëndrojnë”, kishte deklaruar ministri Agani një ditë pas arrestimit të mjekëve, më 10 tetor 2014.

Për të ardhur deri te këto dyshime, prokurori Kelmendi tha se hetimet e para nisën qysh në vitin 2012.

“Hetimet e para kanë ardhur në vitin 2012, mirëpo kanë ardhur duke u shtuar veprimet hetimore në vitin 2013”, tha ai.

Sipas tij, është dashur që të vërtetohen pretendimet e pacientëve lidhur me trajtimet joadekuate të tyre gjatë ofrimit të shërbimeve mjekësore.

Por nxjerrja e dëshmive nuk ishte rrugë e lehtë për prokurorin Kelmendi. Ai tha se, në fazën e parë të hetimeve kanë pasur shumë telashe për të siguruar dëshmitarë. Kurse në fazën e dytë, pas arrestimeve të mjekëve më 9 tetor, ai tha se kanë vërshuar dëshmitarët drejt zyrës së tij.

“Ne kemi pasur dy fazat – njërën fazë para se të fillojë faza e arrestimeve, ku njerëzit kanë hezituar që të vijnë te ne dhe të japin deklarata, dhe kemi pasur vështirësi tepër të mëdha për të siguruar dëshmitarë, të cilët vijnë dhe flasin për trajtimin e tyre mjekësor, qoftë në klinikat private apo publike. Dhe menjëherë pas arrestimit janë paraqitur, kanë vërshuar njerëz në zyrën time për të dhënë deklarata, për të dëshmuar për atë çka u ka ndodh”, tha prokurori Kelmendi. /kallxo.com/