Komuna e Vitisë shpërndau 112 mekanizma bujqësor
Viti – Me qëllim të përkrahjes së fermerëve vitias, sot komuna e Vitisë, konkretisht drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, ka bërë shpërndarjen e 112 mekanizmave të ndryshëm bujqësor.
Me këtë rast fermerët kanë përfituar 70 moto kultivatorë me frezë, 20 makina mbjellëse të grurit, 20 pllugj, 1 Atomizer për spërkatjen e pemëve dhe 1 makinë për shtruarjen e folisë.
Me këtë rast në ceremoninë e pranim dorëzimit të këtyre mekanizmave bujqësor i pranishëm ishte kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti dhe drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Naim Pira.
Haliti tha se komuna e Vitisë do të vazhdoj të përkrahë të gjithë fermerët vitias duke potencuar se së shpejti do të bëhet edhe furnizimi dhe shpërndarja me agroteknikë tjetër për fermerët përfitues.
Ai po ashtu tha se planifikimi për shpërndarjen e pasjeve të tjera në vitet në vijim do të bëhet sipas nevojës që kanë fermerët vitias si kultivues të kulturave të ndryshme bujqësore.
Kurse drejtori Pira bëri me dije se vlera e furnizimit të këtyre mekanizmave bujqësor është mbi 120 mijë euro dhe 80% e vlerës është mbuluar nga komuna kurse pjesa e mbetur prej 20% nga fermerët përfitues.
Ai po ashtu tha se së shpejti do të vazhdojnë edhe me shpërndarjen e mekanizmave të tjerë bujqësor për fermerët përfitues të kësaj komune.
Ai po ashtu tha se drejtoria për Bujqësi në Viti falë mbështetjes së kryetarit Haliti po vazhdon të përkrahë fermerët e saj të cilët njihen për kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore./rajonipress/

