Valon Selimi i drejtohet Kurtit me letër të hapur: Kërkon mbylljen përfundimtare të deponisë së Velekincës
Gjilan – Valon Selimi, i cili është angazhuar për mbylljen e deponisë së mbeturinave në Velekincë dhe rehabilitimin e zonës përreth, i ka drejtuar një letër të hapur kryeministrit Albin Kurti dhe qytetarëve shqiptarë. Përmes saj, ai kërkon përgjigje zyrtare dhe një angazhim konkret institucional për zgjidhjen përfundimtare të problemit, duke iu referuar dokumenteve dhe konstatimeve të institucioneve ndër vite. Selimi u bën thirrje qytetarëve, banorëve dhe mërgimtarëve që ta mbështesin nismën përmes një peticioni qytetar, duke theksuar se qëllimi i tij është mbrojtja e mjedisit dhe e së ardhmes së brezave të rinj.
Letër e hapur
Albin Kurtit dhe popullit shqiptar
Për mbylljen përfundimtare të deponisë së Velekincës dhe rehabilitimin e territorit
I nderuar z. Kurti,
Të dashur bashkëkombës,
Ju kam njohur në qendresë, para se t’ju njihja në pushtet. Si i ri, kam qenë përkrahës i flaktë i angazhimit tuaj për vetëvendosje dhe dinjitet kombëtar. Kur Lëvizja Vetëvendosje hyri në politikën zgjedhore më 2010, u distancova. Jo nga idealet që na bashkonin, por nga politika partiake, së cilës nuk i kam besuar kurrë.
Për vite ju kam vëzhguar, pa e humbur respektin për njeriun e qëndresës. Kur morët drejtimin e Qeverisë, shpresova se shqiptari i thjeshtë më në fund do të dëgjohej e do të trajtohej me dinjitet. Sot po ju shkruaj për atë shpresë.
Jam shqiptar, i lindur në Gjilan më 1986, bir i Muhaxherëve të Uglarit, me rrënjë që mbartin kujtesën e shpërnguljeve të vitit 1878. Në vitin 1999, familja jonë u dëbua nga forcat serbe. Pak minuta pas largimit, shtëpia jonë u dogj. U kthyem pas luftës, por ajo mbeti e djegur për vite.
Në vitin 2001, kur besoja se më në fund ishim të lirë në tokën tonë, mori formë projekti i deponisë së Velekincës. Familja ime dhe banorë të fshatit tonë e kundërshtuan. Fshatrat përreth ende nuk i kuptonin pasojat që mund të kishte për gjithë territorin.
Isha adoleshent. Ndjeva zemërim të thellë e pafuqí. Por e kuptova se një veprim i pamenduar nuk do t’ia kthente asgjë asaj toke. Para se të largohesha, u ula pranë një lisi, qava me shpirt dhe i dhashë vetes një besë: një ditë kam me u kthye.
Jeta më çoi në Gjenevë, ku ndërtova familjen time. U bëra baba dhe zviceran, por mbeta shqiptar me gjak, gjuhë, kujtesë e rrënjë. Ndërkohë, deponia mbeti. Edhe shtëpia jonë e djegur.
Pas një jete mundi e sakrifice në mërgim, babai im vendosi të kthehej dhe e rindërtoi shtëpinë me kursimet e tij. Kur e pyeta pse pikërisht aty, pas gjithë asaj që kishim përjetuar dhe mundësive për të jetuar diku tjetër, më tha: «Se këtu i shoh andrrat e mia.»
Përgjigjja më tronditi. Nuk foli për pronën, dëmet apo largimin tonë të dikurshëm. Foli për atë që ende ishte në atë tokë, ndoshta edhe me shpresën se deponia do ta përfundonte ciklin e saj.
Pastaj djali im më pyeti: «Babi, pse ia kanë ba kështu natyrës?» Nuk pata përgjigje. Ato fjalë ma zgjuan besën e dikurshme.
Në vitin 2026 u ktheva te i njëjti lis. Nuk kisha më lotët e zemërimit të adoleshentit. Kisha përgjegjësinë e një babai. Kuptova se kthimi nuk ishte për të larë hesapet me të kaluarën, por për të marrë përgjegjësi për të ardhmen.
Nga kjo lindi vizioni LA EVO. PARK. Nuk kërkova fajtorë, as skandal. Propozova të ndërtonim së bashku: të mbronim pyllin, ujin, tokën e kujtesën dhe t’ua linim fëmijëve një vend ku jeta mund të kthehej. Por së pari duhej një përgjigje: Pse nuk po mbyllet deponia e Velekincës?
Çfarë tregojnë dokumentet
Biseduam me banorët, iu drejtuam përfaqësuesve lokalë, Komunës, Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), ministrive dhe partnerëve ndërkombëtarë. Kërkuam qasje në dokumente, zhvilluam takime dhe dërguam kujtesa. MMPHI dhe Avokati i Popullit na dhanë përgjigje e dokumente. Klan Kosova e bëri çështjen publike. Kjo punë nxori në pah një histori ankesash dhe konstatimesh zyrtare që na paraprinë prej shumë vitesh.
Më 3 qershor 2009, një komision parlamentar vizitoi Gjilanin dhe trajtoi problemet e mbeturinave dhe ujërave në Uglar. Gjatë viteve 2009–2013, inspektimet komunale dokumentuan rrjedhje të ujërave të ndotura dhe dëme në toka bujqësore e në një fermë të Uglarit. Më 14 maj 2012, Drejtoria e Inspeksionit inicioi procedurë kundërvajtëse ndaj KMDK-së, me protokoll nr. 330.
Më 11 prill 2019, Avokati i Popullit publikoi raportin Ex Officio nr. 479/2017. Në përgjigjen e saj të 6 majit 2019, Komuna e Gjilanit pranoi me shkrim se gjendja përbënte shqetësim të vazhdueshëm dhe se kishte ndërmarrë iniciativa për mbylljen e deponisë.
Më 12 korrik 2022, MMPHI refuzoi kërkesën e KMDK-së për Leje Mjedisore të Integruar, sepse operatori nuk kishte plotësuar dokumentacionin dhe kushtet teknike e mjedisore brenda afatit të caktuar. Vlerësimi teknik që shoqëron vendimin konstaton edhe tejkalime të vlerave kufizuese. Shkresa përcjellëse mban referencën nr. 13/2524/MMPHI.
Më 8 shtator 2026, Zyra juaj regjistroi kërkesat tona me protokoll nr. 1035 dhe 1036 dhe i përcolli në MMPHI. Më 14 shtator u krye një inspektim i ri.
Në përgjigjen e 18 shtatorit 2026, Inspektorati konfirmoi se deponia ishte aktive; se vetëm gjatë gushtit ishin depozituar 8.097 tonë mbeturina; se po ndërtoheshin qeliza të reja; dhe se operatori nuk posedonte Leje Ujore. Konfirmoi gjithashtu refuzimin e kërkesës për Leje Mjedisore të Integruar. Operatorit iu urdhërua të riaplikonte për lejen mjedisore dhe të vazhdonte procedurat për lejen ujore.
Më 9 tetor ju drejtova një kujtesë zyrtare. Për bazën ligjore të vazhdimit të veprimtarisë dhe për mbylljen e rehabilitimin ende nuk kemi marrë përgjigje të plota.
Zoti Kurti, nuk ju ngarkoj me vendimet e qeverive para jush. Por vendimi i vitit 2022 dhe konstatimet e shtatorit 2026 kërkojnë përgjigje nga institucionet që drejtoni. Çfarë është bërë pas tyre? Mbi cilat autorizime vazhdon veprimtaria? Kush ka kontrolluar zbatimin e masave dhe mbi çfarë baze po ndërtohen qelizat e reja?
Kam trokitur në dyert e institucioneve, kam dëgjuar banorët, kam kërkuar e shqyrtuar dokumente dhe kam dërguar kujtesa zyrtare. Edhe pasi çështja u bë publike, përgjigjet vendimtare mungojnë.
Nuk kërkoj të shpallet fajtor askush pa prova. Kërkoj që institucionet t’u përgjigjen dokumenteve të veta.
Nuk jam kthyer për të organizuar peticione, as për t’u përballur me shtetin tim. Jam kthyer për të ndërtuar. Të detyrohesh të ndërmarrësh gjithë këta hapa për të marrë një përgjigje të thjeshtë e të dokumentuar nga institucionet është e papranueshme. Pikërisht kjo na ka sjellë deri te përgatitja e një peticioni qytetar.
Kërkesa për mbyllje përfundimtare
Kërkojmë mbylljen përfundimtare të deponisë ekzistuese të Velekincës dhe rehabilitimin e plotë të zonës.
Ju kërkoj përgjigje zyrtare me shkrim përpara së premtes, 30 tetor 2026, me një angazhim të qartë për mbylljen përfundimtare dhe rehabilitimin e plotë. Përgjigjja duhet të përcaktojë vendimet dhe masat konkrete, institucionet përgjegjëse, afatet e zbatimit dhe mënyrën e financimit të rehabilitimit.
Përcjellja e shkresave nga një zyrë në tjetrën nuk e përmbush këtë kërkesë. Jam i gatshëm të paraqes dosjen dhe të bashkëpunoj për këtë zgjidhje. Një takim ka vlerë kur çon në vendime dhe në zbatim.
Zoti Kurti, ju kam respektuar kur kërkonit llogari nga pushteti. Sot pres që të njëjtën llogari ta japin institucionet që drejtoni. Ende dua të besoj se qytetari që troket me të vërtetën e tij dhe me dokumentet e shtetit në dorë, dëgjohet në vendin e vet.
Fjala ime për popullin tim
Të dashur bashkëkombës, po ju drejtohem si njëri prej jush. Mërgimi më dha mundësinë të ndërtoja jetën time, por rrënjët më kthyen këtu. Në këtë tokë babai im ende sheh andrrat e tij. Për të njëjtën tokë, djali im më kërkon një përgjigje. Sot ju kërkoj të më ndihmoni që ajo pyetje të mos mbetet pa përgjigje edhe për brezin e tij.
Ju ftoj ta mbështesni kërkesën për mbylljen përfundimtare të deponisë dhe rehabilitimin e plotë të zonës, pavarësisht bindjeve politike. Banorëve, mërgimtarëve dhe kujtdo që mund të ndihmojë me dijen, zërin apo nënshkrimin e vet, u kërkoj të bëhemi bashkë për këtë vend.
Ju ftoj ta mbështesni peticionin qytetar me nënshkrimin tuaj. Do të vazhdojmë paqësisht, me mjetet qytetare dhe ligjore, duke mbetur të gatshëm për bashkëpunim.
Besën që i dhashë vetes pranë atij lisi po e mbaj. Jam kthyer. Tani dua që djalit tim t’i tregoj një ditë se çfarë bëmë së bashku për atë tokë.
Me respekt,
Valon Selimi

