Dardanapress organizon debat për fuqizimin e grave dhe të rinjve në vendimmarrje
Kamenicë – Organizata Joqeveritare Dardanapress ka organizuar debatin “Roli i grave dhe të rinjve në zhvillimin e komunitetit dhe ndërtimin e një shoqërie të barabartë”, me fokus në fuqizimin e tyre dhe rritjen e pjesëmarrjes në proceset vendimmarrëse.
Debati u mbajt në kuadër të projektit “Barazia Fillon me Edukimin – Fuqizimi i Grave dhe të Rinjve për një Shoqëri të Barabartë”, ku u diskutuan sfidat dhe pengesat me të cilat përballen gratë dhe të rinjtë, si dhe mundësitë për përfshirjen e tyre më të madhe në institucionet publike dhe jetën shoqërore.
Kryesuesja e Kuvendit, Arbnore Beqiraj Fera, theksoi rëndësinë e përfshirjes aktive të grave dhe të rinjve në vendimmarrje, duke vënë në pah nevojën për mundësi të barabarta dhe bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile.
Gjatë debatit u trajtuan edhe çështjet e barazisë gjinore, qasjes në arsim, punësimit dhe zhvillimit profesional, si dhe rëndësia e konsultimeve publike dhe përfaqësimit të grave e të rinjve në mekanizmat institucionalë.
Ndër rekomandimet kryesore të dala nga diskutimi janë rritja e përfaqësimit të grave dhe të rinjve në proceset vendimmarrëse, fuqizimi përmes edukimit dhe trajnimeve, promovimi i mosdiskriminimit dhe forcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve komunale dhe organizatave të shoqërisë civile.
Në debat morën pjesë përfaqësues të institucioneve komunale, shoqërisë civile, organizatave që përfaqësojnë personat me aftësi të kufizuara, grupeve të grave, qendrës rinore dhe mediave lokale.
Projekti financohet nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës./rajonipress/

