“Adio”, ose të besosh në Babadimrin!
Nga Imer Mushkolaj – T’iu thuash qytetarëve të varfër “mos e braktisni Kosovën” është njësoj si t’u bësh thirrje që të rrinë në burg pa dritë, pa ushqim e pa shpresë se do të lirohen. T’iu besosh premtimeve se gjendja do të përmirësohet, është si t’i besosh ekzistencës së Babadimrit. Një Adio” Kosovës është rezultati i qeverisjes së keqe.
Autobusët më të shpeshtë që ditëve të fundit po bartin të rinj drejt Beogradit janë ata të kompanisë “Adio Tours”. Nga kryeqyteti serb, ata vazhdojnë drejt kufirit me Hungarinë, në përpjekje për të ikur nga Kosova në ndonjë vend perëndimor.
Emri i kompanisë, përkthyer në shqip, don të thotë “lamtumirë”. Nuk do të mund të gjendej fjalë më e përshtatshme për të përshkruar dhimbjen e këtyre njerëzve të cilët, 15 vjet pas luftës, kanë zgjedhur ta braktisin vendin e tyre, për të cilin kishin ëndrra e plane të mëdha, por që nuk i realizuan dot. Ta braktisin vendin, i cili iu ofron veç varfëri, papunësi e pasiguri, e aspak perspektivë. Ta braktisin vendin që është shndërruar në një burg masiv të më pak se dy milionë njerëzve, të cilët provojnë me çdo kusht ta thyejnë izolimin, të ikin larg e më larg e të mos kthehen më kurrë.
Asnjëri nga ta nuk niset me qejf në një rrugë të pasigurt e plot rreziqe. Asnjëri nga ta nuk niset për ekskursion. Ata janë të shtrënguar të veprojnë kështu, sepse shteti nuk iu ka ofruar asgjë. Nuk iu ka mundësuar shkollim cilësor, nuk iu ka mundësuar punësim e mirëqenie.
Ata janë të shtrënguar të marrin botën në sy, sepse udhëheqësit e shtetit i kanë konsideruar vetëm numra, i kanë parë vetëm si vota që ua kanë mundësuar të vijnë në pushtet, pa treguar pikë përgjegjësie që t’u sigurojnë një jetë më të mirë.
Dhe tash, po ky shtet që e ka për obligim t’u sigurojë qytetarëve të vet mirëqenie e jetë të dinjitetshme, përpiqet që me dhunë t’i ndalojë ata që të mos e braktisin vendin. Duke ua shkelur të drejtën elementare të lëvizjes zë lirë, shteti me polici përpiqet t’i ndalojë ata që të mos udhëtojnë drejt Serbisë – ndërkohë që kryeministri në largim ka nënshkruar marrëveshje me shtetin serb për lëvizje të lirë të qytetarëve.
Zyrtarëve shtetërorë tash iu ka ardhur ndëmrned të merren me pasojat e keqqeverisjes së tyre. Tash kur durimi i qytetarëve është sosur, tash kur bëhet bilanci i premtimeve të pambajtura, tash kur, siç tërheqin vërejtjen ata, po u dëmtuaka procesi i liberalizimit të vizave, tash kur po krijohen institucione të reja, por me njerëz e ide të vjetra – tash kur shpërthimi social do të ishte gjëja më normale që mund të ndodhë.
Në vend se të ndjejnë keqardhje e të japin përgjegjësi, ka nga zyrtarë shtetërorë që fajësojnë qytetarët pse po ikin nga ky vend – nga ky vend që nuk iu ofron të ardhme, sepse të ardhmen ua vodhën vetë ata.
* * *
“Adio” e kosovarëve të mjerë po ndodh bash në ditët kur dy partitë më të mëdha janë marrë vesh që të bashkëqeverisin. Përkundër zotimeve se nuk do të bëhej kurrë bashkë me Hashim Thaçin, Isa Mustafa i tha “adio” ish-Bllokut dhe vendosi t’i bashkohet shefit të PDK’së.
Gjatë fushatës parazgjedhore, njëra nga këto parti ka premtuar 200 mijë vende të reja pune, e tjetra 120 mijë. Por, më lehtë është t’i besohet Babadimrit, sesa realizimit të këtij premtimi.
Dhe, në vend që të shpejtojnë për të punuar diçka, për të realizuar ndonjë premtim që ua kanë bërë elektoratit, të dy partitë janë duke u marrë me ndarje postesh e pozitash – arsye e vetme kjo që i bëri bashkë.
Ndërkohë, të zhgënjyer me vendimin e Mustafës për t’ia vazhduar PDK’së qëndrimin në pushtet, votues të LDK’së po ia bëjnë çdo ditë e më tepër “adio” kësaj partie. Ata e kanë votuar Mustafën për kryeministër, por jo në një qeveri me PDK’në. Ata e kanë votuar Mustafën për kryeministër, por jo të një kabineti qeveritar me ish-anëtarë të SHIK’ut. Ata e kanë votuar Mustafën kryeministër, por jo për t’i mashtruar dhe mos e mbajtur zotimin “kurrë me PDK’në”.
Isa Mustafa mund të rehatohet në ekzekutiv bashkë me disa njerëz të tij, por vendimi për të bashkëqeverisur me PDK’në do t’i kthehet si bumerang. Ai dhe partia që udhëheq janë nisur rrugës për t’i thënë “adio” një vendi të dinjitetshëm në skenën politike kosovare. Siç i kanë thënë “adio” dinjtetit e moralit të tyre.
* * *
Autobusët e kompanisë “Adio Tours” po vazhdojnë të bartin kosovarë të zhgënjyer jashtë kufijve të vendit. Mjerimi po vazhdon të pllakos shumicën e qytetarëve dhe e vetmja gjë që po funksionon si duhet është lufta për pushtet.
T’iu thuash qytetarëve të varfër “mos e braktisini Kosovën” është njësoj si t’u bësh thirrje që të rrinë në burg pa dritë, pa ushqim e pa shpresë se do të lirohen. “Hashimi, a na premtoi 200 mijë vende pune në Kosovë apo jashtë saj?”, ishte pyetja e një miku tim në Facebook.
Premtimi se do të bëhet më mirë është më pak i besueshëm se ekzistenca e Babadimrit!

