Ermal Sadiku, talenti i ri i futbollit gjilanas, firmos kontratë profesionale trevjeçare me SC Gjilanin
Gjilan – Një prej talenteve më premtues të futbollit gjilanas, Ermal Sadiku, ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij, duke nënshkruar kontratë profesionale trevjeçare me Sport Club Gjilanin.
Mesfushori 19-vjeçar, i formuar në akademinë e klubit, është një prej shembujve të gjeneratës së re që po troket fuqishëm në dyert e ekipit të parë. Sadiku prej kohësh është promovuar në skuadrën seniore, ku me paraqitjet e tij, disiplinën taktike, përkushtimin në stërvitje dhe personalitetin në fushë ka arritur të fitojë besimin e stafit teknik dhe drejtuesve të klubit.
I dalluar për talent, teknikë, vizion në lojë dhe aftësi për të ndërtuar aksione nga mesfusha, Sadiku shihet si një futbollist me potencial të madh për të ardhmen e SC Gjilanit. Rritja e tij brenda strukturave të klubit është dëshmi se akademia vazhdon të jetë një burim i rëndësishëm për ndërtimin e skuadrës dhe promovimin e futbollistëve të rinj.
Kontrata trevjeçare për 19-vjeçarin përbën jo vetëm një vlerësim për punën dhe paraqitjet e deritanishme, por edhe një investim të klubit në të ardhmen e një futbollisti që premton shumë.
Për Sadikun, kjo është një mundësi për të vazhduar zhvillimin në një ambient ku është formuar që nga hapat e parë në futboll, ndërsa për SC Gjilanin, mbajtja dhe promovimi i një talenti të dalë nga akademia përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një skuadre me identitet dhe perspektivë.
Ermal Sadiku tashmë e ka marrë besimin profesional. Tani është radha e tij që talentin, punën dhe ambicien t’i shndërrojë në performanca dhe suksese në fushën e blertë./rajonipress/


