Hidromorava

Sherafedin Kadriu -Jeta ime

/ 10 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Shkrimi i fundit që më publikohet nga Portalet Rajonale. Ishte viti 1961, kur Lufta e Ftohtë ndërmjet kampit kapitalist dhe atij socialist ishte në kulm. Në gusht të atij viti u ndërtua Muri i Berlinit, ndërsa unë u linda një muaj më vonë, në shtator të po atij viti. Ndërsa, një muaj më vonë, në tetor të 1961, ndodh përshkallëzimi i tensioneve mes SHBA dhe BRRSS.

U linda mes dy muajve karakteristikë të përplasjes Perëndim – Lindje. Ndoshta u linda gabimisht, se asnjëherë nuk më ka shkuar mbarë. Gjithçka të mirë me zor e kam bërë. Gjithçka në familje sillej rreth meje. Prindërit dhe dy motrat sytë i kishin te unë. Ndjehesha i privilegjuar. Prindërit edhe pse të pa shkollë, shumë e donin dijen. U kënaqeshin rezultateve të mira që ne fëmijët e tyre i arrinim në shkollë. Të tre fëmijët ishim të shkëlqyeshëm.

Sa herë lexoja, kërkonin të dinin se çfarë po lexoj. Shpesh më dëgjonin kur lexoja këngë legjendare shqiptare. I kuptonin më mirë. Një libër për Odisenë, në prozë, i përpunuar medoemos, e patën dëgjuar fillim e mbarim. E patën mbajtur mend të dy. Më vonë, pas çlirimit e patën parë si film. Nuk iu pëlqeu. Ndryshe e kishin konceptuar në kokat e tyre. Ndryshe e kishin vizatuar si ngjarje dhe ndryshe i kishin konceptuar personazhet.

Edhe këngët legjendare e lexoja/ në atë familjen e vogël me dashuri të madhe për dijen. , pa qenë të shkolluar. Fëmijërinë e kaloi në fshat, ku edhe kreu shkollën fillore me të gjitha pesa. Pastaj, regjistroi Gjimnazin shkencor në Gjilan, të cilin e kreu gjithashtu me të gjitha pesa.

Në një shkrim personal Sherafedini kujton: Gjatë vitit të parë udhëtoja nga Pogragja me autobus për çdo ditë. Atëherë nuk kishim orë. Po kishim një radio dhe nana ime zgjohej, a nuk flinte fare. Një Zot e di, po kur bëhej ora katër ajo më thërriste të zgjohesha nga gjumi që ta arrija me kohë autobusin. Asnjëherë nuk kam munguar, ndërsa në vitin e dytë, kur blemë shtëpi në qytet dhe e kisha afër shkollën, edhe mungoja. Si është kjo punë!!!

Klasa IV/5 doli më e mira në vitin 1979/80. Për këtë dëshmon edhe suksesi i nxënësve të kësaj klase në studime. 27 prej tyre mbaruan fakultete në profile të ndryshme, si mjekë, inxhinierë, juristë, ekonomistë, gjuhëtarë, kimistë etj. dhe disa arritën edhe grada shkencore – magjistra e doktorë shkencash.

Pas përfundimit të Gjimnazit me të gjitha pesa, ka konkurruar në Fakultetin Teknik, Drejtimi energjetikës, Tensioni i Lartë dhe është pranuar. Po, ishte gëzuar vetëm për pak. Emri i tij kishte qenë në krye të listës së pranimit. Por, ishte hidhëruar kur duhej të fillonte shkollimi sepse nuk kishte financa për ta nisur atë rrugë dijeje. U thye shpirtërisht! Prishtinën kurrë më nuk e deshi, jo vetëm në rininë e tij, po as kur u burrërua.

Pushoi një vit. Më pak gjumë se çdo i ri i kohës së tij. Asnjë natë pa e bërë gjumin rehat. Ëndrra të lodhshme. Universiteti i Prishtinës për çdo natë në ëndrrën e tij. E ai nuk arrinte ta kryente asnjë fakultet. Zgjohej i bërë ujë nga djersët.

Kur pa se mbeti dhe vitin tjetër, regjistroi Shkollën e Lartë pedagogjike në Gjilan, drejtimi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Jo se e deshi si shkollë, as si drejtim, e as si profesion, jo, por atë ndërmarrje e bëri vetëm që të mos rrinte kot. E hante shtëpia. Bile dilte…

Këtë shkollë e kreu me notë mesatare 9. Më pas kreu me korrespodencë Fakultetin Filologjik në Universitetin e Prishtinës, drejtimi Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, me notë mesatare 8.53. U nderua me diplomën “Student i dalluar” në kuadër të Universitetit të Kosovës në Prishtinë.

Ishte mësimdhënës i gjuhës shqipe në disa shkolla të Gjilanit. Nxënësit i deshi si fëmijët e tij. Ata vetë e thonë këtë. Jo për tërheqje vëmendjeje: ai i deshi edhe nxënësit serbë, të cilëve u dha gjuhë shqipe në Parallovë pa menduar përkatësinë e tyre. Një udbash i kohës, që vizitoi atë shkollë dhe rastësisht pa dashurinë e nxënësve serbë ndaj mësimdhënësit të tyre shqiptar, pyeti në mos kishte shqiptarë në shkollë e ai nuk e dinte, por përgjigjja arsyetuese e zëvendësdrejtorit serb e habiti: Jo, nuk ka shqiptarë, janë serbë, por e duan tej mase arsimtarin e gjuhës shqipe, i cili punon me ta shumë, e edhe i do.

Kur mori vesh se kush ishte arsimtari, udbashi tha: Nacionalistët janë të këtillë! Paraqiten si engjëj. Dhe, kur i thotë Sherafedinit: Ti ke qenë te ne në Sigurim!

Sherafedini nuk u zu keq, po iu përgjigj: Jo nuk kam qenë, po më keni marrë.

Ishte e vërtetë. Sherafedinin e kishin marrë udbashët në verën e vitit 1982, kur sapo kishte përfunduar vitin e parë në SHLP “Skënderbeu” në Gjilan. E maltretuan sa ua deshi qejfi, po nuk gjetën argument veç fjalëve se Sherafedini merrej me veprimtari armiqësore ndaj Jugosllavisë. I vemi nga shokët që e kishte vizituar ditën që e kishin lëshuar, diku pas orës tre pasdite, ishte shoku i tij i idealit, Ragip Ramdani nga Shillova.

Shpesh e kujtonte se nga Sigurimi i Gjilanit doli i mbathur me këpucë, se nuk e lejonin të dilte zbathur. Ama, sa nuk i pëlcitnin këmbët e rrahura keq e tashmë të ënjtura. Sidomos tabani i këmbëve. Që nga rruga përballë Teatrit, e deri në shtëpi, tani rruga “Medlin Olbrajt”, Sherafedibni eci zbathur. E kishte më lehtë…

Pas vitit 1995 punoi në SHMU “Abaz Ajeti në Gjilan”, ku dha maksimumin e angazhimit të profesionit dhe etikës mësues. Nxënësit e tij e jetuan orën e gjuhës shqipe. Ata kanë mbërri në ndjekjen e dijes. Për një periudhë kohore, rreth 2-3 vjeçare qe trajner i mësimdhënësve të shkollave të ndryshme të Gjilanit dhe Kamenicës në programin e KEC-it.

Veç shkollës e familjes, prioritet pati angazhimin atdhetar. Qysh në fëmijëri u edukua nga familja për dashuri ndaj tokës së tij. Në Gjimnaz bëri hapat e parë si veprimtar kundër Jugosllavisë. Ai lexonte literaturë që vinte nga grupet atdhetare që vepronin në Perëndim. Përkrahu demonstratat e vitit 1981 që u mbajtën në Prishtinë. Bashkë me disa nga shokët e tij në SHLP “Skënderbeu” në Gjilan, veproi atdhetarisht (Ragip Ramadani, Reshat Balaj, Hanëmshahja e lokalit “Studenti”, Bedri Mahmuti nga Ferizaj etj).

ARKATANA

Në vitin 1983, pas pranimit për mësimdhënës të Gjuhës shqipe në Bilinicë të Pogragjës, u përjashtua në krye të tri ditëve si i papërshtatshëm ideopolitikisht. Po, kështu i ndodhi edhe në vitin 1986, kur për herë të dytë përjashtohet i papërshtatshëm ideopolitikisht. Thjesht, kundërshtar i Jugosllavisë.

Në LDK u angazhua që në fillim të veprimit të partisë. Një kohë qe zëvendëskryetar i Nëndegës së Dytë/1, e më pas kryetar i saj. U mor në pyetje disa herë nga pushteti i kohës, edhe për veprimtarinë e tij humane duke qenë anëtar e veprimtar i Kryesisë së SHHB-së, Dega në Gjilan. U mor në pyetje disa herë nga Sigurimi jugosllav në Gjilan, por më trishtuesi qe ai i 5 Marsit të vitit 1998, në Ditën e Madhe të Sakrificës së Jasharëve të Prekazit.

Sherafedini, ndryshe nga të tjerët e përkrahu LDK-në. Ai pati besim në Ibrahim Rugovën se e njohu forcën e tij intelektuale dhe krijuese. I kishte lexuar të gjithë librat e tij. Ishte munduar të mësonte sa më shumë nga to. Ibrahim Rugovën dhe Anton Nikë Berishën i citoi më së shumti në temën e diplomës Veprimtaria prozaike e Ymer Shkrelit, atëherë kur përfundoi fakultetin. Por, kur u shfaq UÇK-ja, nuk e pati dilemën as më të vogël, zemra dhe shpirti i tij u radhit në anën e trimave, sepse besonte në luftën që po ndodhte. Dhe, kështu ndodhi. Liria erdhi për etnitetin historik në një sipërfaqe gjeografike me identitet kushtetues ambigye.

Të gjithë punuan për të. Kush më shumë e kush më pak. Në atë rrugëtim të vështirë fort, pati edhe gabime. Njerëzore e hyjnore bashkë. E rëndësishme fitorja!

Në vitin 2004, Sherafedini pranohet në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan, bashkëpunëtor profesional për kulturë jomateriale. I pjekur dhe i dashuruar në punën e tij, dha maksimumin. Dolën libra të ndryshëm, që për temë patën trashëgiminë materiale dhe shpirtërore të Rajonit të Gjilanit dhe më gjerë (Përfshiheshin Gjilani, Kamenica, Vitia, Novobërda, Hani Elezit, Kaçaniku, Ferizaj, Shtiem dhe Shtërpca, – për të gjitha këto komina ka shkrime).

Në vitin Në vitin 2018, ka përfunduar Masterin Shkencor për Arkeologji, specialiteti Prehistori, në ASA Tiranë, me notë mesatare 9.85, ndërsa temën e diplomës me titull Riti i varrimit gjatë e epokës së Hekurit në Kosovë, e mbrojti me 93 pikë nga 100 të mundshme. Mori titullin MT. sk. arkeolog.

BOTIME NGA TRASHËGIMIA KULTURORE

  • Kalaja e Pogragjës, Gjilan, 2008.
  • Riti i varrimit gjatë epokës së Hekurit në Kosovë, Gjilan, 2019.
  • Trashëgimia materiale e Gjilanit me rrethinë, Gjilan, 2021.

PËRFAQËSUAR NË BOTIME TË NDRYSHME

  • Në Monografinë e qytetit: Gjilani me rrethinë, Gjilan, 2012, prezantohet me punimin Trashëgimia materiale e Gjilanit me rrethinë.
  • Në librin Trashëgimia kulturore e Rajonit të Gjilanit 1, Gjilan, 2016, është përfaqësuar me 60 punime, në 6 prej tyre si bashkautor.
  • Në librin Trashëgimia materiale e Rajonit të Gjilanit 2, Gjilan, 2018, është përfaqësuar me 65 punime, në dy prej tyre bashkautor.

NGA BOTIMET PËR NËNË TEREZEN

  • Mehmetali Rexhepi – Sherafedin Kadriu (bashkautorë): Kohëngjeshje bamirësie, SHHB “Nënë Tereza”, Dega në Gjilan, 2000.

REDAKTIME, RECENSIONE DHE LEKTURA

  • Ka redaktuar katalogë, libra e shkrime letrare si dhe vepra të trashëgimisë shpirtërore dhe materiale, edituar nga QRTK, Gjilan dhe Klubi Letrar “Beqir Musliu”, Gjilan.

BOTIME LETRARE

  • Në kërkim të thellësive poetike, libri i parë në fushën e kritikës letrare, sh. b. “Beqir Musliu”, Gjilan.
  • Në kërkim të thellësive poetike 2, libri i dytë në fushën e kritikës letrare, sh. b.”Rozafa”, Prishtinë.
  • Rrugëtimi i një bashkatdhetari, monografi (bashkautor me Sabit Rrustemin), sh. b. “Beqir Musliu”, Gjilan.
  • Kur vdesin ngjyrat, – përmbledhje poetike, sh. b. “Beqir Musliu”, Gjilan.

KA DHE DISA VEPRA NË DORËSHKRIM.

Gjatë jetës së tij u nderua me mirënjohje, falënderime e diploma në fusha të ndryshme të angazhimit. Megjithatë, mirënjohja më e dashur për të, mbetet Diploma e marrë në vitin 1982 nga Universiteti i Kosovës, me çmimin “Student i dalluar”. Këtë diplomë e pati dashuri dijeje.

Në fund: Sherafedini la një familje të dashur, punëtore dhe atdhetare. I shprehim ngushëllime familjes dhe të gjithë dashamirëve të tij!

U prehtë në parajsë!

(Sabit Rrustemi)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.