Katër ditë mes jetës dhe vdekjes, rrëfimi tronditës i vrasjes së Zyhrije Pirevës në pranverën e luftës 1999
Gjilan – Pranvera e vitit 1999 në Gjilan mbart ende plagë të hapura dhe kujtime që nuk shuhen. Më 28 mars të atij viti, në lagjen “Qener Qeshme”, jeta e një vajze të re u ndërpre dhunshëm, duke u kthyer në një simbol të dhimbjes civile gjatë luftës në Kosovë. Zyhrije Sherif Pireva, e lindur më 13 gusht 1978, u godit nga një granatë gjatë granatimeve të forcave serbe, që sipas familjarëve vinin nga lagjja “Zabeli i Sahit Agës”. Babai i saj, Sherif Ymeri, rrëfen se shpërthimi ishte fatal, por jo i menjëhershëm – Zyhrija luftoi për jetën edhe katër ditë të tjera.
Në pranverën e përgjakur të vitit 1999, kur dhuna nuk njihte kufij e as mëshirë, lagjet e qytetit u kthyen në skena tragjedish që goditën edhe më të pambrojturit. Granatat dhe plumbat e forcave ushtarake e policore serbe nuk kursyen as gratë, as të rinjtë, as civilët që nuk kishin asnjë lidhje me luftën.
Në këtë realitet të errët, ku jeta e njeriut vlente më pak se zhurma e armëve, u shënua edhe një nga krimet më të rënda në lagjen “Qener Qeshme”, një ngjarje që dëshmon brutalitetin e pakufishëm dhe dhimbjen që ende rëndon mbi kujtesën kolektive në Gjilan.
E dërguar me urgjencë në spitalin e Gjilanit, ajo iu nënshtrua ndërhyrjeve mjekësore, mes shpresës dhe ankthit të familjes. Por më 1 prill 1999, plagët rezultuan të pakapërcyeshme. Zyhrija ndërroi jetë, duke lënë pas një histori që sot kujtohet me dhimbje të thellë.
E njëjta ditë solli tragjedi edhe për një tjetër anëtare të familjes. Fikrije Bislim Pireva mbeti e plagosur nga i njëjti granatim, duke marrë plagë në të dy krahët. Por kalvari i saj nuk përfundoi aty. Teksa po transportohej për në spital nga familjarët, në qendër të qytetit automjeti i tyre u ndal nga paramilitarë serbë, të cilët hapën zjarr pa paralajmërim.
Sipas dëshmisë së Abdullah Pirevës, Fikrija u plagos sërish nga të shtënat, duke përjetuar humbje të madhe gjaku. Ajo arriti në spitalin e Gjilanit në gjendje të rëndë, ku mori ndihmën e parë mes kushteve të vështira të kohës.
Këto rrëfime mbeten dëshmi të gjalla të vuajtjeve të civilëve dhe të brutalitetit të luftës, duke rikujtuar se pas çdo date qëndrojnë histori njerëzore që kërkojnë të mos harrohen./rajonipress/

