Fundamenti

Ibrahim Uruqi – Hushi, dritë e pashuar e lirisë

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Vitet rrjedhin, shekujt ndërrohen, por kujtimi për dëshmorët e kombit mbetet i gjallë dhe i pashlyeshëm në ndërgjegjen tonë historike. Liria nuk është dhuratë; ajo ndërtohet me jetë të flijuara, me gjak të derdhur, me sakrifica të panumërta. Dhe mbi këtë themel qëndrojnë dëshmorët – nderi dhe krenaria e një populli që ka njohur dhimbjen dhe qëndresën. Në këtë panteon të lavdisë, emri i Ibrahim Uruqit – Hushit, qëndron si një simbol i ndërgjegjes së lartë dhe i vetëdijes që arrin deri te akti suprem i flijimit.

Ka emra që historia nuk i shkruan vetëm me fjalë, por i gdhend me gjak në ndërgjegjen e një kombi. Ibrahim Uruqi – Hushi është një ndër ata emra që nuk i përkasin vetëm një kohe, por përjetësisë së lirisë. Në kohët më të errëta për popullin tonë, ai u ngrit si një ndërgjegje e gjallë e qëndresës, si një trim sypatrembur që nuk njohu frikë përballë dhunës, as dorëzim përballë pushtimit.

Për të, liria nuk ishte ideal i largët, por betim i përditshëm, një rrugë që kërkonte sakrificë deri në flijimin e fundit.

Ai ishte zëri i heshtur i një populli që kërkonte dritë, krahu i fortë i luftës për çlirim dhe shpirti që nuk u përkul as në çastet më të rënda. Ibrahim Uruqi nuk jetoi gjatë, por jetoi mjaftueshëm për t’u bërë simbol, simbol i guximit, i besës dhe i dashurisë së pakushtëzuar për atdheun.

“Hushi” ishte ndër ata që nuk jetuan thjesht për vete, por për një ideal më të madh se jeta. Ai lundroi mbi dallgët e një kohe të përgjakur, duke e kthyer jetën e tij në një mision për liri. E deshi popullin e tij me një dashuri të pakushtëzuar, aq sa për të, flijimi ishte rruga e vetme drejt së ardhmes së lirë.

Fundamenti

Ai ra për të mos vdekur kurrë. Në Betejën e Marecit, më 21 prill 1999, në lagjen e Bullovitëve, Ibrahim Uruqi u ngjit në altarin e lirisë, duke luftuar me trimëri përballë forcave serbe. Ishte një ditë e rëndë, por njëkohësisht një ditë që vulosi përjetësinë e tij në historinë e qëndresës. Gjaku i tij mori emrin më të shenjtë, liri – ndërsa sakrifica e tij u bë themel mbi të cilin brezat do të ndërtojnë të ardhmen.

Ibrahim Uruqi – Hushi ishte një kolos i lirisë. As burgosja nuk arriti ta përkulte. Përkundrazi, ajo vetëm sa e forcoi betimin e tij: që jetën do t’ia falte lirisë, sepse për të nuk kishte vlerë më të lartë.

Ai la pas bashkëshorten, vajzën Albulenë dhe djalin Endritin, trashëgimtarë të një emri që sot është sinonim i krenarisë.

“Jam krenar që babai im ia kushtoi jetën idealit shekullor për liri,” shprehet Endriti, duke mishëruar zërin e një brezi që e njeh çmimin e lirisë. “Jam krenar me babën tim dhe me të gjithë ata që dhanë më të shtrenjtën për Kosovën.”

Sot, me krenari dhe dinjitet, shkolla fillore në fshatin Bresalc mban emrin e dëshmorit Ibrahim Uruqi – Hushi, duke e bërë të përhershme praninë e tij në jetën e përditshme të brezave që rriten në liri. Emri i tij nuk është vetëm kujtim, është thirrje për të mos harruar kurrë se liria ka emra, ka histori dhe ka gjak./rajonipress/