Eko Higjiena

Paradoksi i lirisë: Nga UÇK-ja çlirimtare te dyshimi i brendshëm ndaj saj!

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Shefik Sadiku – Po t’i thuhej një shqiptari të Kosovës para 40–50 vitesh se një ditë do të krijohej një ushtri shqiptare që do të përballej me Serbinë dhe se, pas çlirimit, kjo ushtri do të përballej me përçmim nga vetë shqiptarët, kjo do të dukej jo vetëm e pabesueshme, por absurde.

  1. Një histori që askush s’do ta besonte

Po t’i thuhej një shqiptari të Kosovës para 40–50 vitesh se një ditë do të krijohej një ushtri shqiptare që do të përballej me Serbinë dhe se, pas çlirimit, kjo ushtri do të përballej me përçmim nga vetë shqiptarët, kjo do të dukej jo vetëm e pabesueshme, por absurde.

Dhe megjithatë, kjo ndodhi.

Për më shumë se një shekull, nga viti 1913 deri në vitin 1999, shqiptarët e Kosovës përjetuan dhunë sistematike: rrahje, burgosje, vrasje, masakra dhe dëbime. Në shumë raste, kjo dhunë mori përmasa gjenocidale. Në këto kushte, ideja për një forcë mbrojtëse nuk ishte luks, ishte domosdoshmëri për mbijetesë.

  1. Nga rezistenca paqësore te lufta e armatosur

Pas demonstratave të vitit 1981, represioni serb u ashpërsua edhe më tej. Shqiptarët u organizuan në forma të ndryshme: ilegalisht brenda vendit dhe politikisht në Perëndim.

Në vitet ’90, ndërsa Europa po ndryshonte, Serbia ndoqi një projekt të rrezikshëm: krijimin e “Serbisë së Madhe”, duke ndezur luftëra në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.

Fillimisht, shqiptarët e Kosovës ndoqën një rrugë paqësore. Por kur kjo rrugë nuk solli rezultate konkrete, lindi UÇK-ja – si përgjigje e fundit ndaj një shtypjeje të gjatë.

Me ndërhyrjen e NATO-s, kjo përballje përfundoi me largimin e forcave serbe dhe çlirimin e Kosovës në qershor 1999.

  1. Liria që solli edhe një përçarje të re

Çlirimi duhej të ishte moment bashkimi. Por, në mënyrë të papritur, ai u shoqërua edhe me një fenomen tjetër: fillimin e një diskursi përçmues ndaj UÇK-së.

U hodhën teza se:

UBT
  • UÇK-ja nuk e çliroi Kosovën,
  • nuk kontrolloi territore,
  • udhëheqësit e saj kishin ideologji të caktuara, si : marksiste, leniniste, enveriste etj , thua se shqiptarët po luftonin për ideologji e jo për çlirim kombëtar
  • madje se ajo ka kryer krime.
  • UÇK-ja nuk ka mundur t’i mbrojë civilët,
  • krimet e UÇK-së duhet të hetohen etj.

Këto pohime shpesh u bënë pa dallim, duke e trajtuar UÇK-në si një tërësi të vetme fajtore, pa ndarë përgjegjësinë individuale nga ajo kolektive.

  1. Lufta e narracioneve

Këtu fillon një betejë tjetër – jo me armë, por me narracione.

Duke e paraqitur UÇK-në si organizatë kriminale apo terroriste, u krijua një klimë që i shërbeu drejtpërdrejt narracionit serb. Serbia për vite me radhë kishte pretenduar se nuk po luftonte shqiptarët si popull, por “terrorizmin”.

Kur ky diskurs filloi të përsëritej edhe nga vetë shqiptarët, efekti ishte shumë më i fuqishëm.

Në këtë klimë u krijua edhe Gjykata Speciale – një zhvillim që shumëkush e lidh pikërisht me përhapjen e këtij perceptimi.

  1. Pyetja që nuk duhet shmangur

Çështja më e rëndësishme nuk është vetëm çfarë u tha për UÇK-në, por:

Si ndodhi që një pjesë e vetë shqiptarëve filloi ta shohë me dyshim ose përçmim një forcë që lidhet me çlirimin e tyre?

A është kjo pasojë e propagandës së jashtme?
A është rezultat i përçarjeve të brendshme politike?
Apo mungesë e një rrëfimi të qartë dhe të përbashkët për të kaluarën?

Historia nuk ndryshon lehtë, por mënyra si e tregojmë atë – po.

Dhe kur një popull fillon të dyshojë në vetë historinë e tij, atëherë problemi nuk është më vetëm historik – por edhe identitar.