Rendi është
Nga Blerim Shala – Nëse ndeshja përfundon baras, pasojnë vazhdimet dy herë nga pesëmbëdhjetë minuta. Nëse as atëherë nuk dihet fituesi, i vjen rendi penalltive. Dikush duhet patjetër të dalë ngadhënjimtar. Nuk bën ndryshe. Nuk ka përsëritje të lojës.
I dimë të gjithë këto rregulla, sepse (mbase) nuk ka kush prej nesh që nuk po e përcjell Kampionatin botëror në futboll, i cili ka hyrë tashmë në atë fazën finale.
Me 19 korrik, të dielën e ardhshme pra, do të dihet kush do ta merr kurorën e mbretërve të këtij sporti që vazhdon të jetë më i popullarizuari dhe më republikani në Botë.
Nuk ka sport më demokratik. Sekush mund të bëhet futbollist i madh. Edhe prej vendeve më të varfra.Nuk ka biznes më të madh sportiv. Miliardat sillen këtupari.Etj. etj.Deri në pafundësi mund të flasim dhe të shkruajmë për këtë sport.Sidoqoftë, nuk e kemi ndërmend të merremi tutje me futboll.
Çfarë na pëlqen nga këto Rregullat e ndeshjeve eliminuese, është që ato nuk lënë vend për ngecje, zvarritje dhe përsëritje.Sa mirë do të ishte nëse edhe në këtë politikën tonë, që njeh vendnumërimin që nga dhjetori i vitit 2024 (kur u shpërnda Kuvendi i parë i shtetit të Kosovës që zgjati katër vjet të plota), do të zbatohej e njëjta procedurë, të cilës do t’i nënshtroheshin të gjithë politikanët kryesorë dhe partitë e tyre.
Mirë, këtu, në këtë ‘sport’, loja pas-zgjedhore nuk nisë me rezultatin zero : zero.Partitë kanë marrë në zgjedhjet e lira dhe demokratike atë ‘kartelën’ që ka vlera të ndryshme për subjektet e ndryshme.Është thënë qindra herë, por nuk ka gjë të keqe nëse e përsërisim prapë: Partitë ia njohin njëra-tjetrës rezultatet e zgjedhjeve, dukuri kjo që thuaja në gjithë këtë anë të Evropës, vlen vetëm për Kosovë.
Është kjo arritje që neve na duket e natyrshme, e vetë-kuptueshme, por kjo nuk është.Tek e fundit, edhe në Amerikë patëm, pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, kontestim të rezultatit, madje edhe akuza për fabrikimin e tyre.Pra, ata hapat paraprakë që përgatisin këtë procesin e krijimit të pushtetit qendror të Kosovës, e që realisht, janë më të vështirët, ne po i bëjmë si duhet.
Po i bëjmë zgjedhjet, po e pranojmë rezultatin e tyre, dhe kur duhet ta bëjmë atë hapin final, të akordit politik, ne po rrëzohemi. Dhe madje, po e gjejmë shtegdaljen nga ky qorrsokak në të cilin po e futim veten (askush tjetër nuk ka faj këtu, këtë e dimë të gjithë), duke u kthyer në Pikën Zero, te ai rezultati zero : zero, pra, për të mbajtur edhe një herë zgjedhjet parlamentare në Kosovë.Kemi votuar tre herë pra për 15-16 muaj.
Kemi pas rezultat zgjedhor, por jo edhe rezultat politik.E pra, sa mirë do të ishte nëse politikanët dhe partitë tona do të ishin të detyruar, si në një ndeshje futbolli, patjetër t’i sqarojnë hesapet në mes veti dhe të mos kenë mundësi që sërish të na dërgojnë në zgjedhje të reja.
Ne po e përjetojmë të gjithë një lodhje me zgjedhjet dhe një rraskapitje me të gjitha këto zhvillimet e më pasme, të cilat nuk po janë në gjendje ta prodhojnë një pushtet të plotë qendror, për të cilin zaten edhe ndërmerret i gjithë ky proces.Nuk ka më kuptim të bëhen zgjedhjet, nëse askush nuk është në gjendje të na garantojë që do Kosova do të bëhet me Kuvend dhe Qeveri të qëndrueshme dhe me President.
Kosovës i duhet një periudhë e re katërvjeçare me stabilitet politik.Por, mos të paragjykojmë. Ndoshta kësaj radhe, në verën e dytë problematike politike, do të kemi lajme të mira të cilat do ta konfirmojnë një pajtim politik që brenda pak javësh, apo, në muajin gusht, të bëhemi me të gjitha institucionet e pushtetit qendror.
Rendi është.


