Mustafa: Vendimi i 16 shtatorit ka goditur rëndë Kosovën, është goditur lufta çlirimtare
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka kritikuar vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Duke folur në emisionin “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Mustafa tha se aktgjykimi i 16 shtatorit ka goditur rëndë Kosovën dhe popullin e saj.
“Vendimi i gjashtëmbëdhjetë shtatorit ka goditur rëndë Kosovën, ka goditur rëndë popullin e Kosovës. Është një vendim i papranueshëm dhe i padrejtë. Është goditur lufta çlirimtare, është goditur kauza me të cilën kemi ardhë deri te liria dhe deri te shteti”, tha Mustafa.
Sipas tij, ky vendim prek jo vetëm të kaluarën, por edhe të tashmen dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës.
“Me këtë është goditur edhe e kaluara, edhe e tashmja, por është goditur edhe e ardhmja e shtetit të Kosovës dhe ky qëndrim nuk është i pranueshëm”, u shpreh ai.
Deputeti i PDK-së tha se kundërshtimi ndaj aktgjykimit po shprehet edhe përmes protestave të qytetarëve në Prishtinë.
“Fakti që nuk është i pranueshëm, po dëshmohet çdo ditë edhe nga protestat masive, që po vazhdojnë çdo ditë e çdo natë nga qytetarët e Kosovës, të cilët shprehen lirshëm dhe me zë të lartë që nuk mundet një gjykatë të marrë vendime të tilla të padrejta në emër të popullit të Kosovës”, deklaroi Mustafa.


