Eko Higjiena

Sabit Rrustemi, zëri letrar i qëndresës dhe identitetit kulturor nga Gjilani

/ 12 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Shkrimtari dhe veprimtari i kulturës gjilanase, Sabit Rrustemi është një nga figurat më të rëndësishme dhe më përfaqësuese të letërsisë shqipe bashkëkohore në Kosovë. Me një krijimtari të pasur, të guximshme dhe të palëkundur, ai ka ndërtuar një univers letrar ku fjala shndërrohet në akt qëndrese, ndërgjegjësimi dhe identiteti kulturor.

Në historinë kulturore të Gjilan, pak emra kanë arritur të ndërthurin me kaq dinjitet fjalën artistike, angazhimin qytetar dhe përgjegjësinë publike sa Sabit Rrustemi. Ai është ndër ata krijues që nuk e panë letërsinë vetëm si art të fjalës, por si mision shpirtëror dhe shoqëror, një hapësirë ku poezia, mendimi dhe qëndrimi qytetar bashkohen në një zë të vetëm.

Si poet dhe shkrimtar, ai ndërtoi një univers të pasur letrar; si intelektual dhe veprimtar publik, ai i dha Gjilanit kontribut në kulturë, në jetën politike dhe në komunikimin institucional, duke shërbyer edhe si zëdhënës i komunës.

Në këtë mënyrë, Sabit Rrustemi mbetet një nga figurat më përfaqësuese të letërsisë shqipe bashkëkohore në Kosovë, një krijues që e ktheu fjalën në akt qëndrese, ndërgjegjësimi dhe identiteti kulturor

I lindur më 3 prill 1959 në Terziaj të Zhegrës, komuna e Gjilanit, Sabit Rrustemi i përket brezit të krijuesve që letërsinë nuk e panë vetëm si art, por si mision. Arsimin fillor e kreu në Zhegër, shkollën e mesme në Gjilan, ndërsa studimet universitare në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë. Që në rini shfaqi prirje të theksuara krijuese, duke botuar poezinë e parë në shkurtin e vitit 1977, në revistën Zëri i rinisë.

Rruga e tij letrare u ndërpre dhunshëm në vitin 1981, kur u arrestua dhe u dënua me katër vjet burg nga regjimi jugosllav për shkak të botimit të tregimit “Nën maskën e mysafirëve”. Ky akt represiv e shndërroi Sabit Rrustemin në një nga shkrimtarët e rrallë kosovarë të persekutuar drejtpërdrejt për fjalën artistike. Por burgimi nuk e heshti zërin e tij – përkundrazi, e forcoi. Pas lirimit, ai u rikthye me një energji krijuese edhe më të thellë, duke ndërtuar një opus të gjerë poetik dhe prozaik që sot zë një vend të rëndësishëm në letërsinë shqipe.

Sabit Rrustemi është autor i dhjetëra veprave në poezi, tregime dhe prozë dokumentare. Ndër librat më të njohur të tij spikasin: Ku i la lisat era, Besoj në një diell, Variacione për lirinë, Ëndrra që puthet, Pika e zezë, ( tregime), Maska e mysafirëve, (tregime), Jetëshkrimi i Sylë Kopernicës, (prozë dokumentare), Natyrë me vaj, ( album poetik), Paqja e brishtë, Shiu i buzëve tua, Nën qerpikun tënd, si dhe vepra të përkthyera dhe të përfshira në antologji ndërkombëtare. Poezia e tij është poezi e prushit të madh: e ngjeshur, simbolike, me duf të brendshëm dhe mesazh të fuqishëm shoqëror e kombëtar.

Poezia e Sabit Rrustemit, mes zjarrit të mendimit dhe dritës së shpirtit

Universi poetik i Sabit Rrustemit ndërtohet mbi fjalën e kursyer, metaforën e thellë dhe ndjeshmërinë e fortë shpirtërore. Ai di ta bëjë vargun armë të mendimit dhe strehë të shpirtit. Poezia e tij është njëkohësisht zjarr dhe dritë, zjarr që nuk shndërrohet në hi dhe dritë që ndriçon ndërgjegjen e lexuesit. Në vargjet e tij gërshetohen motivi kombëtar, dashuria, dhimbja kolektive, absurdi shoqëror dhe shpresa njerëzore.

Përveç krijimtarisë letrare, Sabit Rrustemi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në jetën kulturore të Gjilanit dhe më gjerë. Ai është themelues dhe drejtues i Ars Clubit “Beqir Musliu”, një vatër e rëndësishme e krijimtarisë letrare që ka bashkuar rreth vetes dhjetëra shkrimtarë dhe krijues. Në kuadër të këtij angazhimi, ai udhëheq botimin e revistës letrare Agmia dhe ka qenë organizator i shumë aktiviteteve kulturore që kanë gjallëruar jetën artistike të Anamoravës, ( “Flaka e Janarit”, “Pranvera e librit”, Çmimi letrar “Beqir Musliu”, “Trekëndëshi poetik I paqes”, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, “ Tavolina poetike e së shtunës”, “Shpalime pranë verës” etj).

Sabit Rrustemi është poet që simbolizon atdhedashurinë, guximin, largpamësinë dhe përgjegjësinë intelektuale. Fjala e tij është frymëzim për artdashësit dhe për çdo lexues që kërkon kuptim, dinjitet dhe shpresë në letërsi. Ai i përket atij rrethi të rrallë krijuesish që letërsinë e kanë bërë mënyrë jetese, pasion të shpirtit dhe shërbim ndaj kombit.

Vepra dhe veprimtaria e Sabit Rrustemit nuk mund të përmblidhen në pak rreshta. Ato kërkojnë lexim, reflektim dhe kohë. Sepse Sabit Rrustemi nuk është vetëm shkrimtar, ai është një kujtesë e gjallë kulturore, një ndërgjegje letrare dhe një zë që vazhdon të flasë fuqishëm në kohën tonë.

Motivet kombëtare dhe shpresa njerëzore në vargjet e Sabit Rrustemit

Në vitin 1977, Sabit Rrustemi boton poezinë e tij të parë në revistën “Zëri i rinisë” të Prishtinës, duke shënuar kështu hyrjen e tij të hershme në jetën letrare. Në vitin 1981, ai bëhet shkrimtari i vetëm nga Kosova që burgoset drejtpërdrejt për shkak të botimit të një vepre letrare. Arrestimi dhe dënimi i tij lidhen me tregimin “Nën maskën e mysafirëve”, të botuar në revistën “Fjala” më 1 prill 1981, pikërisht në ditën kur demonstratat shqiptare për Kosovën Republikë mbushën rrugët e Prishtinës. Regjimi titist i Jugosllavisë e dënoi me katër vjet burg, duke i ndaluar njëkohësisht edhe botimin e krijimtarisë letrare.

Pas një dekade heshtjeje të imponuar, Sabit Rrustemi rikthehet në skenën letrare në vitin 1990, kur i botohet nga Redaksia e botimeve “Rilindja”, përmbledhja e parë poetike, e cila u ruajt në sirtarët e kësaj ndërmarrjeje nga redaktori e poeti I shquar Ali Podrimja, për nëntë vite, me titull, “Ku i la lisat era”, duke shënuar një kthesë të fuqishme në rrugëtimin e tij krijues.

Sabit Rrustemi – jeta, vepra dhe universi letrar i një prej zërave më të fuqishëm të letërsisë shqipe në Kosovë

Në panoramën e letërsisë shqipe bashkëkohore në Kosovë, emri i Sabit Rrustemi qëndron si një nga figurat më përfaqësuese dhe më produktive të krijimtarisë letrare. Poet, prozator dhe veprimtar i palodhur i kulturës, ai ka ndërtuar ndër vite një univers të veçantë poetik, ku fjala artistike bëhet njëkohësisht reflektim i shpirtit, dëshmi e kohës dhe shprehje e identitetit kulturor shqiptar.

Me një krijimtari të shtrirë në disa dekada dhe me dhjetëra vepra të botuara në poezi, prozë dhe publicistikë, Rrustemi ka arritur të krijojë një profil të veçantë në letrat shqipe. Përveç veprimtarisë krijuese, ai ka qenë edhe një organizator i rëndësishëm i jetës letrare në Kosovë, duke kontribuar në botimin dhe promovimin e shumë autorëve përmes institucioneve dhe iniciativave kulturore që ka udhëhequr.

Jeta dhe formimi

Shkrimtari Sabit Rrustemi u lind më 3 prill 1959 në fshatin Terzijaj, në komunën e Gjilan.

Shkollimin fillor dhe atë të mesëm e kreu në vendlindje dhe më pas në Zhegër dhe Gjilan. Studimet universitare i përfundoi në University of Prishtina, në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik, në vitin 1987.

Angazhimi i tij në letërsi fillon herët. Që nga viti 1977, ai fillon të botojë krijime në gazeta dhe revista letrare të kohës në Kosovë dhe jashtë saj.

Megjithatë, rruga e tij letrare nuk ishte e lehtë. Në vitin 1981, për shkak të tregimit “Nën maskën e mysafirëve”, të botuar në revistën Fjala, ai u arrestua dhe u dënua me burg, duke u përballur gjithashtu edhe me një ndalim politik në botim për një periudhë prej nëntë vitesh.

Pas kësaj periudhe represioni, në vitin 1990 ai rikthehet fuqishëm në jetën letrare dhe publike me botimin e librit të parë “Ku i la lisat era”, i cili u redaktua nga poeti i njohur Ali Podrimja dhe u mbështet nga poeti Faruk Tasholli.

Veprimtaria letrare dhe kulturore

Gjatë më shumë se katër dekadave krijimtari, Sabit Rrustemi ka botuar një numër të madh librash me poezi, prozë dhe shkrime publicistike. Poezia e tij shquhet për thellësinë metaforike, për ndjeshmërinë shpirtërore dhe për përfshirjen e motiveve kombëtare, ekzistenciale dhe njerëzore.

Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij lidhet edhe me organizimin dhe promovimin e jetës letrare në Kosovë. Për vite me radhë ai ka udhëhequr asociacionin alternativ të shkrimtarëve Ars Club Beqir Musliu, me seli në Gjilan, si dhe shtëpinë botuese me të njëjtin emër.

Përmes kësaj shtëpie botuese janë botuar rreth 200 vepra letrare, duke kontribuar në zhvillimin dhe promovimin e letërsisë shqipe në fushën e poezisë, prozës, kritikës dhe publicistikës.

Sot, Sabit Rrustemi jeton me familjen e tij në Zhegër, duke iu përkushtuar kryesisht krijimtarisë letrare.

Veprat e botuara

Krijimtaria e Sabit Rrustemit përfshin një numër të madh librash në poezi, tregime, rrëfime popullore dhe studime letrare.

Ndër veprat kryesore të tij janë:

“Ku i la lisat era” – poezi, 1990

“Besoj në një diell” – poezi, 1992

“Pika e zezë” – tregime, 1993

“Natyrë me vaj” – album poetik, 1994

“Jetëshkrimi i Sylë Kopernicës” – prozë dokumentare, 1994

“Variacione për lirinë” – poezi, 1997

“Maska e mysafirëve” – tregime, 1997

“Ëndrra që puthet” – poezi, 2001

UBT

“Paqja e brishtë” – poezi, 2007

“Shiu i buzëve tua” – poezi, 2009

“Nën qerpikun tënd” – poezi, 2009

“Zjarrmi e kthjelltë” – poezi, 2011

“Në fytyrën e një gjethi” – poezi, 2012

“Murale shpirti” – poezi, 2013

“Stina e meseleve I, II, III” – rrëfime popullore

“Grafite nënlëkurore” – poezi, 2015

“Ndezje yjesh në zemër” – poezi dashurie

“Pa një vdekje mbes” – poezi

“Për dashuri kurrë s’është vonë” – poezi

“Nëpër ëndrra të fjalëve” – poezi

“Zoti nuk më thotë harroje” – poezi

“Stina e rrëfimeve” – tregime popullore

“Vepra letrare, grishje e përhershme” – shkrime kritike

“Puhiza mëngjesore” – poezi, 2023

“Shprush nëpër dej” – poezi, 2025

Ndër veprat më monumentale të tij konsiderohet cikli poetik Hyjnorja ime je ti, i përbërë nga katër vëllime që përfshijnë gjithsej dymbëdhjetë libra poetikë.

Prezantimi në antologji

Krijimtaria e Sabit Rrustemit është përfshirë në shumë antologji letrare kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër të cilat:

“Djepi i lashtë”, Tiranë

“Antologji e poezisë moderne shqipe”, Gjermani

“Një gur i çarë”, përgatitur nga Ali Podrimja

“Tempulli i Fjalës”, Bukuresht

“Muza e mëmëdheut”, përzgjedhur nga Agim Vinca

“Lotët e virgjër”, Londër

Antologjia e poezisë shqipe në gjuhën turke

Antologjia e poezisë së përshpirtshme shqipe.

Çmime dhe vlerësime

Gjatë periudhës 1977–2026, Sabit Rrustemi është shpërblyer në shumë konkurse dhe manifestime letrare në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, si për poezi ashtu edhe për prozë.

Krijimet e shpërblyera në poezi janë botuar në një libër të veçantë në vitin 2023, nën titullin, “PUHIZA MËNGJESORE”.

Ndër vlerësimet më të rëndësishme janë:

Libri “Në fytyrën e një gjethi” – shpallur libri më i mirë i vitit në Mitingun Ndërkombëtar të Poezisë në Gjakovë (2013).

Libri “Murale shpirti” – shpallur libri më i mirë i vitit nga Ministira e Kulturws në vitin 2014.

Studime dhe kritika për veprën e tij

Për krijimtarinë e Sabit Rrustemit kanë shkruar shumë nga emrat më të njohur të kritikës dhe studimit letrar në hapësirën shqiptare, ndër ta:

Për veprimtarinë letrare të Sabit Rrustemit kanë shkruar thuaja emrat më të shquar të kritikës letrare nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut, si: Prend Buzhala, Ramadan Musliu, Xhemail Mustafa, Anton Nikë Berisha, Timo Mërkuri, Shefqet Dibrani, Sherafedin Kadriu, Nexhat Rexha, Emin Azemi, Mehmetali Rexhepi, Faik Shkodra, Mimoza Erebara, Fatmir Terziu, Ahmet Selmani, Irena Gjoni, Fatmir Minguli, Zejnepe Alili Rexhepi, Ramadan Mehmeti, Arsim Halili, Ajete Zogaj, etj. etj.

Prej këtyre emrave, Timo Mërkuri, shkrimtar e studiues letërsie, nga Saranda, ka botuar një libër studimor me titull, “Për poezinë e Sabit Rrustemit, (2024), ndërsa Shefqet Dibrani ka botuar gjithashtu një vepër studimore, me titull, “SIMBOLIKA MAGJIKE E Nr. 12”, ku është përqendruar vetëm te kryevepra e tij në 4 vëllime, HYJNORJA IME JE TI, përmes shtëpisë botuese “Faik Konica”, gjatë vitit 2025.

Në tërësinë e saj, krijimtaria e Sabit Rrustemit përbën një nga kontributet më të rëndësishme në letërsinë shqipe bashkëkohore në Kosovë, duke e bërë atë një nga zërat më të veçantë dhe më të qëndrueshëm të poezisë dhe prozës shqiptare./rajonipress/