Dr. Nehat Baftiu, mjeku që mbajti gjallë anesteziologjinë kosovare në kohët më të vështira
Gjilan – Në historinë e shëndetësisë kosovare, ka emra që nuk lidhen vetëm me profesionin, por me përgjegjësinë, sakrificën dhe qëndrueshmërinë përballë një sistemi shpeshherë të rrënuar. Një prej këtyre emrave është pa dyshim Dr. Nehat Baftiu, anesteziolog nga Ferizaj, një nga figurat më të spikatura të anesteziologjisë dhe mjekimit intensiv në Kosovë.
Me një karrierë disa dekadëshe, Dr. Baftiu ka qenë shtyllë e sigurisë kirurgjikale në vend, duke udhëhequr për vite me radhë Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Në një profil mjekësor ku mungesa e kuadrove dhe presioni profesional janë të jashtëzakonshme, ai ka mbajtur mbi supe barrën e një sistemi që funksiononte falë përkushtimit individual të mjekëve, e jo për shkak të politikave institucionale.
Profesioni si mision, jo si privilegj
Dr. Nehat Baftiu nuk është njohur vetëm si mjek, por edhe si edukator dhe udhërrëfyes profesional për breza të tërë anesteziologësh. Si profesor universitar, ai ka kontribuar drejtpërdrejt në formimin e kuadrove të reja mjekësore, duke bartur përvojën klinike dhe standardet etike në auditorë, aty ku ndërtohet e ardhmja e shëndetësisë.
Në kohë krizash shëndetësore, sidomos në periudha kur anesteziologjia në Kosovë përballej me mungesë dramatike të stafit, Baftiu ka qenë zëri që fliste hapur, pa ekuivoke, për rrezikun real që i kanosej sistemit shëndetësor. Ai nuk heshti asnjëherë përballë neglizhencës institucionale, duke e bërë të qartë se siguria e pacientit nuk mund të komprometohet.
Dorëheqja si akt profesional dhe moral
Dorëheqja e tij nga pozitat drejtuese në ShSKUK nuk ishte një akt i zakonshëm administrativ, por një mesazh i fortë profesional dhe moral. Ishte reagim ndaj kushteve të pamjaftueshme, mungesës së mbështetjes dhe mosvlerësimit të profesionistëve shëndetësorë. Një akt që tregoi se dinjiteti profesional është po aq i rëndësishëm sa vetë posti.
Nderimi i qytetit dhe respekti i kolegëve
Kontributi i Dr. Nehat Baftiut nuk ka mbetur pa u vlerësuar. Komuna e Ferizajt e ka nderuar me çmimin “Nderi i Qytetit”, duke e cilësuar si një figurë emblematike të shëndetësisë ferizajase dhe kosovare. Por nderimi më i madh për të mbetet respekti i pacientëve dhe i kolegëve, të cilët e konsiderojnë një profesionist të pakompromis, human dhe korrekt.
Një emër që mbetet referencë
Në një kohë kur shëndetësia kosovare vazhdon të përballet me sfida serioze, figura e Dr. Nehat Baftiut mbetet referencë e përgjegjësisë profesionale, shembull se si mjekësia nuk është vetëm zanat, por betejë e përditshme për jetën dhe dinjitetin njerëzor.
Dr. Nehat Baftiu është një nga ata mjekë që nuk kërkoi kurrë lavdi, por la pas gjurmë të thella profesionale, të cilat do të flasin gjatë për të, në sallat e operacionit, në auditorë dhe në ndërgjegjen e shëndetësisë kosovare.
Të tjerët për Nehat Baftiun, misionar, vizionar dhe shtyllë e palëkundur e shëndetësisë kosovare
Mbi të gjitha mjek. Profesor. Jetëshpëtues i qindra, mijëra jetëve njerëzore. Njohës i thellë dhe i përgjegjshëm i realitetit dhe sfidave të mjekësisë kosovare. Prof. Asoc. Dr. Nehat Baftiu është një emër i veçantë në shëndetësinë e Kosovës, jo vetëm në rrafshin kombëtar, por edhe më gjerë kishte shkruar Basri Lenjani.
Ai është frymëzues, misionar dhe vizionar, një përçues i qartë i mesazheve profesionale dhe njerëzore, i cili ia ka kushtuar jetën idealeve më të larta të humanizmit të vërtetë. Me përkushtim të palëkundur, Baftiu ka qenë mbështetës i fuqishëm i avancimit të shëndetësisë kosovare, i arsimimit dhe edukimit të gjeneratave të reja të mjekëve, si dhe shtyllë e fortë e ndryshimeve pozitive në sistemin shëndetësor të vendit.
Një jetë në shërbim të anesteziologjisë dhe pacientit
Gjatë gjithë veprimtarisë së tij profesionale, Prof. Asoc. Nehat Baftiu ka bërë punë të palodhshme dhe të pandërprerë në forcimin dhe avancimin e Anesteziologjisë, Mjekimit Intensiv dhe Kujdesit Emergjent në Kosovë. Kontributi i tij është ndjerë te studentët, kolegët, bashkëpunëtorët dhe te pacientët, me shumë suksese e arritje dhe pa asnjë kompromis profesional.
Jam thellësisht krenar që jam koleg dhe mik i pandarë i tij. Në çdo rrethanë, kontributi dhe vepra e Prof. Baftiut kanë qenë burim mësimi, frymëzimi dhe force morale për ne. Nga ai kemi mësuar dhe do të vazhdojmë të mësojmë edhe në të ardhmen. Pa dyshim, ai do të radhitet përherë në mesin e personaliteteve më të çmuara të shëndetësisë kosovare.
Qëndrim, dinjitet dhe respekt profesional
Prof. Asoc. Nehat Baftiu ka qëndruar i patundur në parimet e tij, sepse gjithmonë ka pasur përkrahjen e atyre që e njohin, e respektojnë dhe e vlerësojnë drejt. Ata që do të flijonin gjithçka për të mos lejuar që vepra e tij të nëpërkëmbet apo të përbuzet padrejtësisht.
Kontributi i tij vlerësohet me respekt dhe nderim të veçantë në mesin e profesionistëve të kujdesit shëndetësor. Ai është shembull i mjekut që nuk u dorëzua përballë vështirësive, i profesorit që edukoi me shembull dhe i njeriut që e pa profesionin si mision.
Të faleminderit për gjithçka që ke dhënë për shëndetësinë kosovare, miku im. Të uroj shëndet, jetë të gjatë dhe mirëqenie për ty dhe familjen tënde./rajonipress/



