Raporti i auditimit ngre alarmin në Komunën e Gjilanit: Dyshime për shkelje serioze financiare, administrative dhe procedurale
Gjilan – Raporti më i fundit i auditimit për Komunën e Gjilanit ka evidentuar një varg shkeljesh serioze ligjore, financiare dhe administrative, të cilat sipas ekspertëve mund të prodhojnë pasoja disiplinore, përgjegjësi financiare, madje edhe hetime institucionale nga organet kompetente.
Gjetjet e auditorit hedhin dyshime mbi mënyrën e menaxhimit të financave publike, procedurave të prokurimit dhe administrimit të pasurisë komunale, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi transparencën dhe ligjshmërinë e vendimmarrjes në nivel lokal.
Një nga çështjet më të rënda të evidentuara është keqklasifikimi i shpenzimeve në vlerë prej rreth 3.7 milionë eurosh.
Sipas raportit, pagesat që lidhen me vendime gjyqësore dhe procedura përmbarimore janë realizuar përmes kategorive të gabuara buxhetore. Njohës të financave publike vlerësojnë se një praktikë e tillë mund të përbëjë shkelje të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, manipulim të raportimit financiar dhe shmangie të kufizimeve buxhetore.
Po aq shqetësuese konsiderohet edhe çështja e angazhimit të 95 personave me kontrata për “shërbime të veçanta”, pa procedura të rregullta ligjore, pa konkurrencë dhe jashtë standardeve të prokurimit publik.
Sipas raportit, këto angazhime mund të përbëjnë shkelje të Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe Ligjit të Prokurimit Publik, duke ngritur dyshime për favorizim politik dhe mungesë transparence në punësim. Burime juridike vlerësojnë se kjo çështje potencialisht mund të trajtohet nga Inspektorati dhe Prokuroria, nëse konstatohet element i keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Auditimi ka evidentuar gjithashtu se Komuna ka bërë ridestinim të mjeteve nga projektet kapitale pa aprovimin paraprak të Kuvendit Komunal. Një veprim i tillë konsiderohet tejkalim kompetencash dhe anashkalim i organit mbikëqyrës demokratik, duke cenuar parimet bazë të kontrollit institucional mbi financat publike.
Në sektorin e prokurimit publik, raporti ka ngritur shqetësime edhe për inicimin e një tenderi rrugor në vlerë rreth 699 mijë euro pa projekt ekzekutiv. Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e projektit teknik krijon hapësirë për fryrje të kostove, punime shtesë të pakontrolluara dhe favorizim të operatorëve ekonomikë.
Probleme serioze janë evidentuar edhe në administrimin e pronave komunale. Sipas auditorit, Komuna ka realizuar vetëm 6.5 për qind të inspektimeve të pronave, ndonëse obligimi ligjor parasheh minimumin prej 20 për qind. Një mosveprim i tillë rrezikon humbje të të hyrave publike dhe moszbatim të barabartë të obligimeve tatimore.
Raporti përmend edhe vonesa të mëdha në pagesën e faturave, të cilat në disa raste kanë kaluar afatin ligjor prej 30 ditësh deri në 120 ditë. Një situatë e tillë jo vetëm që krijon rrezik për procedura përmbarimore dhe kamata shtesë, por reflekton edhe menaxhim të dobët financiar.
Një tjetër gjetje me peshë është mosregjistrimi i pasurisë publike në vlerë rreth 1.7 milion euro. Investime dhe pajisje të ndryshme nuk janë evidentuar në sistemet zyrtare financiare, duke krijuar rrezik për humbje, manipulim apo mungesë kontrolli mbi asetet publike.
Auditimi ka konstatuar po ashtu mbivlerësim të detyrimeve kontigjente dhe raportim jo të plotë për shfrytëzimin e pronave komunale, çështje që sipas ekspertëve mund të fshehin borxhe të papaguara, mungesë llogaridhënieje dhe dobësi serioze në kontrollin financiar.
Sipas vlerësimeve juridike dhe financiare, çështjet që konsiderohen më serioze dhe që mund të kërkojnë hetim institucional janë angazhimi i personave pa procedura ligjore, ridestinimi i buxhetit pa miratim të Kuvendit, procedurat e prokurimit pa projekt ekzekutiv, keqklasifikimi i miliona eurove dhe mosregjistrimi i pasurisë publike.
Këto gjetje pritet të trajtohen nga Auditori i Brendshëm, Inspektorati i Financave, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, Agjencia Kundër Korrupsionit dhe, në rast të dyshimeve për elemente penale, edhe nga Prokuroria kompetente./rajonipress/


