Një foto që flet më shumë se fjalët – avokatët gjilanas që sfiduan kohët më të vështira
Gjilan – Një fotografi e publikuar së fundmi nga avokati i njohur gjilanas Abdylaziz Sadiku ka rikthyer në kujtesë një brez juristësh që, për dekada me radhë, sfiduan periudha të vështira politike e shoqërore, duke mbrojtur ligjin dhe dinjitetin profesional në rrethana jo të lehta. Në këtë fotografi shihen disa nga emrat më të njohur të avokatisë gjilanase, mes tyre Shemsedin Pira, Arben Mustafa, Lumnije Azemi, Masar Morina, Enver Halili, Huma Jetishi, Musli Marovci, Vehbi Ismajli dhe i ndjeri Bajram Kadriu, figura që lanë gjurmë në jetën juridike të qytetit.
Fotografia, më shumë sesa një kujtim kolegjial, përfaqëson një dëshmi të përkushtimit dhe sakrificës që kërkon profesioni i avokatit. Përmes këtij imazhi, Sadiku ka rikthyer në vëmendje dashurinë, entuziazmin dhe solidaritetin profesional që kanë karakterizuar avokatët gjilanas nëpër etapa të ndryshme historike.
Avokati Abdylaziz Sadiku thekson se avokatia është ndër profesionet më sfiduese, një angazhim që kërkon profesionalizëm të lartë, përkushtim të vazhdueshëm dhe ndërgjegjshmëri të theksuar.
Sipas tij, është e padrejtë që palët – por edhe vetë avokatët – të pësojnë si pasojë e joefikasitetit dhe mungesës së cilësisë në punën e disa gjyqtarëve. “Derisa të mos ketë efikasitet, cilësi profesionale, kontroll dhe përgjegjësi ligjore në gjykata, pasojat do t’i bartim të gjithë”, shprehet Sadiku, duke nënvizuar domosdoshmërinë e një sistemi drejtësie funksional dhe të përgjegjshëm.
Abdylaziz Sadiku është një emër i konsoliduar në fushën e avokatisë kosovare. Përveç përvojës së gjatë profesionale, ai ka ushtruar edhe funksione të rëndësishme publike që nga viti 1973 e tutje, duke qenë aktiv në jetën institucionale dhe politike të kohës.
Pas përfundimit të fakultetit, në shkurt të vitit 1973 emërohet Kryetar i Lidhjes së Rinisë në Komunën e Vitisë, detyrë që e ushtron deri në vitin 1975, kur shkon në shërbimin ushtarak. Pas kthimit, në vitin 1976, emërohet Drejtor i Administratës së Përgjithshme të Komunës së Vitisë, pozitë që e mban deri në vitin 1979. Gjatë kësaj periudhe përfundon edhe Provimin Profesional për administratë në Prishtinë.
Në vitin 1979 ushtron detyrën e Kryetarit të Këshillit Komunal të Sindikatës në Viti, ndërsa në vitin 1980, pasi kishte përfunduar studimet e Jurisprudencës, zgjidhet Kryetar i Gjykatës Komunale në Viti. Në kuadër të politikave kadrovike të asaj kohe, në vitin 1986 emërohet anëtar i Kryesisë së Këshillit të Lidhjes së Sindikatave të Kosovës në Prishtinë.
Në shkurt të vitit 1988, në kuadër të të ashtuquajturit “diferencim politik”, ndaj tij shqiptohet masë ideopolitike dhe përjashtohet nga Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë. Arsyet lidhen me vizitën dhe përkrahjen që ai i kishte dhënë grevës së minatorëve të Trepçës, si dhe me mbështetjen e kërkesave të tyre për dorëheqjen e udhëheqësve të lartë politikë të kohës. Po ashtu, ai nuk kishte përkrahur ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Serbia, të cilat cenonin rëndë pozitën kushtetuese të Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974.
Pas kësaj mase, ai shkarkohet edhe nga pozita në Këshillin e Lidhjes së Sindikatave të Kosovës. Megjithatë, zhvillimet politike të fundviteve ’80 dhe rënia e sistemit komunist në Evropë e zbehën efektin e këtyre masave. Në tetor të vitit 1988 caktohet në pozitën e zëvendëssekretarit, e më pas edhe sekretarit të Bashkësisë Vetëqeverisëse të Interesit për Sigurim Pensional e Invalidor të Kosovës në Prishtinë.
Në këtë detyrë punon deri në nëntor të vitit 1990, kur me vendim të Kuvendit të Serbisë shkarkohet për shkak të mbështetjes dhe zbatimit të apelit për grevën e përgjithshme të shtatorit 1990 të punëtorëve shqiptarë. Ai nuk kishte ndërmarrë masa disiplinore ndaj punëtorëve që morën pjesë në grevë dhe, për më tepër, gjatë asaj periudhe komisionet mjekësore kishin njohur të drejtën e pensionit për një numër të madh punëtorësh shqiptarë të larguar nga puna.
Pas shkarkimit, emërohet në pozitën e referentit për zbatimin e sistemit pensional në shërbimin e Gjilanit, por në shkurt të vitit 1991 pushohet nga puna nga pushteti i atëhershëm serb me arsyetimin e “tepricës teknologjike”, ndonëse kishte përgatitje superiore profesionale. Sipas tij, synimi ishte zëvendësimi i kuadrove shqiptare me kuadro serbe.
Rrugëtimi i Abdylaziz Sadikut, i shpalosur përmes këtij rrëfimi dhe simbolikisht përmes një fotografie me kolegët e tij, dëshmon për një brez juristësh që nuk u tërhoqën përballë presioneve politike e institucionale. Ai përfaqëson figurën e avokatit që e sheh profesionin jo vetëm si zanat, por si mision në shërbim të drejtësisë dhe të qytetarit./rajonipress/


