Asllan Krasniqi, fotografi i eksodit që e dokumentoi dhimbjen e një kombi, objektivi si armë, fotografia si dëshmi
Gjilan – Në historinë e dhimbshme të popullit shqiptar, ka dëshmi që nuk janë shkruar me fjalë, por janë gdhendur në dritë dhe hije. Një nga këto dëshmi mban firmën e Asllan Krasniqit, fotografit që e ktheu aparatin në armë pa zhurmë dhe fotografinë në arkiv të kujtesës kombëtare. Për më shumë se gjashtë dekada, ai ka ndjekur nga afër eksodin, dhunën dhe mbijetesën e shqiptarëve, duke fiksuar me ndershmëri dhe guxim çastet më të errëta, por edhe më njerëzore të historisë së Kosovës. Vepra e tij nuk është thjesht dokumentim, është akt rezistence, betim për të mos harruar dhe dëshmi e gjallë për brezat që vijnë.
Rrënjët dhe fillimet e një misioni jetësor
Jeta dhe vepra e Asllan Krasniqit janë të lidhura ngushtë me historinë e dhimbshme, por edhe me qëndresën e popullit shqiptar. I lindur në Tugjec të Kamenicës, ai është një nga fotografët më të përkushtuar të diasporës shqiptare, i cili për më shumë se gjashtë dekada e ka kthyer aparatin fotografik në mjet dëshmie, rezistence dhe kujtese kolektive.
Në historinë e dhimbshme të popullit shqiptar, ka dëshmi që nuk janë shkruar me fjalë, por janë gdhendur në dritë dhe hije. Një nga këto dëshmi mban firmën e Asllan Krasniqit, fotografit që e ktheu aparatin në armë pa zhurmë dhe fotografinë në arkiv të kujtesës kombëtare. Për më shumë se gjashtë dekada, ai ka ndjekur nga afër eksodin, dhunën dhe mbijetesën e shqiptarëve, duke fiksuar me ndershmëri dhe guxim çastet më të errëta, por edhe më njerëzore të historisë së Kosovës. Vepra e tij nuk është thjesht dokumentim, është akt rezistence, betim për të mos harruar dhe dëshmi e gjallë për brezat që vijnë.
Që nga viti 1963, Asllan Krasniqi ka fokusuar objektivin e tij mbi fatin e shqiptarëve, duke dokumentuar dhunën, shpërnguljet e detyruara, eksodin dhe zhvillimet historike që lidhen drejtpërdrejt me Kosovën. Të shkruash për veprën e tij kërkon më shumë se një artikull, kërkon studim të thellë dhe analizë të gjerë, sepse arkivi i tij përfaqëson një kronikë vizuale të një kombi në lëvizje.
Nga Parisi në botë, fotografia si gjuhë universale
Që nga viti 1967 jeton në Belgjikë, ku edhe vazhdoi angazhimin e tij të pandërprerë me diasporën shqiptare. Si fotograf autodidakt, punën e nisi duke fotografuar refugjatët e parë kosovarë në Maqedoni, të cilët më pas u shpërngulën drejt Turqisë. Në vitin 1966 u diplomua në një kurs profesional të fotografisë gjatë shërbimit ushtarak në Slloveni, ndërsa më 1969 vazhdoi me korrespondencë studimet e artit fotografik në Paris.
Veprimtaria e tij profesionale u shtri në shumë vende të botës. Që nga vitet ’70, Krasniqi ka dokumentuar jetën e refugjatëve shqiptarë në Turqi – Stamboll, Bursa, Inegöl – e më pas edhe në SHBA, ku realizoi cikle fotografike në qytete si Uashingtoni, Nju Jorku, Los Anxhelosi, Hollivudi, Beverli Hills dhe Santa Monika. Arkivi i tij përfshin gjithashtu fotografi nga Parisi, Kana, Londra, Vjena, Barcelona, Bukureshti, Budapesti, Varshava dhe Venecia, duke trajtuar tema historike, kulturore dhe artistike.
Megjithatë, angazhimi më i madh dhe më i ndjeshëm i Asllan Krasniqit mbetet dokumentimi i tragjedisë së popullit të Kosovës gjatë viteve 1998-1999. Ai ishte ndër të paktët fotoreporterë shqiptarë nga diaspora që ndoqi nga afër eksodin e mbi një milion shqiptarëve të dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre. Nga kampet e refugjatëve në Belgjikë, Turqi, Shqipëri dhe Maqedoni, Krasniqi fiksuan me mijëra çaste dhimbjeje, shprese dhe mbijetese.
Një arkiv i gjallë i kujtesës kombëtare
Vetëm për periudhën e luftës dhe eksodit, arkivi i tij përmban mbi 15 mijë fotografi, ndërsa fondi i përgjithshëm i krijimtarisë së tij tejkalon një milion shkrepje. Ai ka përcjellë gjithashtu demonstrata, greva urie, manifestime dhe takime të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë aktivitetet e NATO-s, Parlamentit Evropian dhe konferencat diplomatike në Rambuje, Paris, Bruksel, Hagë e Londër. Në objektivin e tij janë fiksuar edhe personalitete botërore si Bill Clinton, Kofi Annan, Javier Solana, Tony Blair dhe George Bush.
“Pushka ime ka qenë aparati fotografik”
“Pushka ime ka qenë aparati fotografik,” thotë Krasniqi, duke e përkufizuar qartë misionin e tij. Të gjitha reportazhet, fotografitë dhe videot i realizoi vullnetarisht, me mjete personale, pa përfitime materiale, të shtyrë nga obligimi moral dhe ndjenja e thellë patriotike. “Sa herë që dëgjoja emrin Kosovë, ndodhesha atje,” shprehet ai.
Ambasador i Paqes dhe dëshmitar i historisë
Për kontributin e jashtëzakonshëm në dokumentimin e historisë dhe promovimin e paqes, Asllan Krasniqi është emëruar “Ambasador i Paqes” nga Rrjeti Global për Evoluim Socio-Ekonomik dhe Financiar (GSFEN). Ky vlerësim erdhi si mirënjohje për 59 vjet veprimtari të pandërprerë në shërbim të historisë, paqes dhe kujtesës kolektive të kombit shqiptar.
Eksodi ’99 – kronika vizuale e një tragjedie kombëtare
“Jam thellësisht i nderuar për këtë vlerësim, i cili më motivon të vazhdoj edhe më fuqishëm veprimtarinë time në fushën e fotografisë dhe përmes fondacionit ‘Eksodi ’99’,” ka deklaruar Krasniqi, duke falënderuar mbështetësit dhe bashkëpunëtorët e tij ndërkombëtarë.
Fotografia si oksigjen i jetës
Asllan Krasniqi mbetet një arkiv i gjallë i historisë shqiptare, një dëshmitar i kohës dhe një shembull i rrallë i përkushtimit total ndaj së vërtetës. Për të, fotografia nuk është thjesht profesion, është oksigjen, energji dhe mision jetësor./rajonipress/



