Vehbi Ibrahimi, dëshmori i parë i mërgatës shqiptare
Gjilan – Vehbi Ibrahimi lindi para 83 vjetësh në fshatin Uglar të Gjilanit, rrëzë Maleve të Karadakut të Idriz Seferit. Fëmijëria e tij u karakterizua nga tregimet e gjyshit Ramiz dhe babait Rexhep, si dhe nga përjetimet e nënës Hanemshahe nga Zhegra, e cila humbi 15 anëtarë të familjes nga represioni i pushtetit të atëhershëm. Këto përvoja do të formësonin karakterin dhe idealin patriotik të Vehbiut.
Mësuesit e tij, veçanërisht patrioti Mustaf Het Koka, luajtën rol të madh në edukimin dhe motivimin e tij drejt veprimtarisë kombëtare dhe përkushtimit ndaj arsimit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e përfundoi në Tuzlla, Bosnje e Hercegovinë.
Rrugëtimi arsimor dhe kontaktet patriotike
Në vitin 1961, Vehbiu regjistrohet në Fakultetin e Xehetarisë në Tuzlla. Jetesa në konvikt dhe eksplorimi i qytetit i dhanë mundësinë të takojë shokë të idealit patriotik. Në parkun e qytetit takon Shaban Tërstenen nga Sllakovci i Gjilanit, i cili e informoi për ngjarjet dhe likuidimin e Grupit Patriotik të kryesuar nga Hasan Ali Radmniku.
Në Tuzlla krijon shoqëri me Emin Jetishi, Qerim Shala, Qazim Qazimi, Masar Morina, Baki Limani dhe Ramadan Musliu, të cilët për shkak të aktiviteteve politike ishin shpërngulur në këtë qytet.
Kthimi në Kosovë dhe fillimi i veprimtarisë patriotike
Më 1961, Vehbiu kthehet në Kosovë bashkë me shokun e tij Daut Dautin. Ai punësohet në Kombinatin e Tekstilit në Gjilan, ku takon shokë të tjerë idealistë si Ejup Isufi, Avdush Ramadani, Sali Dalihu, Xhemail Shurdhani dhe Refik Dizdari. Në këtë periudhë formon Shoqërinë “Ismail Qemali”, një organizatë patriotike që mobilizonte shqiptarët për të mbrojtur çështjen kombëtare.
Në një mbledhje të Shoqërisë, Vehbi Ibrahimi mbajti një fjalim të zjarrtë, ku denoncoi regjimin titist-rankoviçist dhe përshkroi masakrat e kryera nga forcat serbe në Karadak. Për këtë veprimtari, ai u arrestua dhe u maltretua disa herë. Në vitin 1968, ai organizoi dhe mori pjesë në demonstrata kundër regjimit jugosllav, duke treguar kurajo të jashtëzakonshme.
Arritja në perëndim dhe aktiviteti në diasporë
Më 2 mars 1969, Vehbi Ibrahimi niset për Austri, duke marrë me vete librin “Zëri i Fshehtësisë Ushtarake”. Pas një udhëtimi të vështirë, ai arrin të dalë i sigurt në qershor të atij viti. Nga Austria, më 10 prill 1972, ai kthehet në Kosovë për të marrë pjesë në Kuvendin themeltar të BKDSh në Novosellë e Begut, afër Vushtrrisë, ku hyn në cilësinë e gazetarit francez pa u vënë re nga organet e pushtetit.
Më 21 tetor 1973, ai shkon në Bruksel, Belgjikë, ku vazhdon veprimtarinë patriotike me Shoqërinë “Ismail Qemali”. Në vitin 1975 ndjek një kurs ushtarak gjashtë javor për detyra speciale në Angli. Më 1977 zgjidhet arkëtar për Diasporë dhe zëvendëskomandant i Këshillit Ushtarak “Mbrojtja e Shqipërisë Etnike”, ndërsa më 1979 zgjidhet nënkryetar i BKDSh dhe udhëheq Komitetin Ushtarak.
Koordinimi me bashkëluftëtarët dhe atentati
Më 18 shtator 1981, rreth orës 22:30, Vehbi Ibrahimi vizitoi poetin Jusuf Gërvalla në Untergruppenbach, Gjermani, për të koordinuar veprimet kombëtare. Vetëm 22 ditë më vonë, ai bie dëshmor nga atentati i organizuar nga UDB-ja jugosllave, para derës së shtëpisë së tij në Bruksel. Vëllezërit Gërvalla dhe patrioti Kadri Zeka u vranë katër muaj më vonë nga e njëjta dorë.
Vehbi Ibrahimi u varros më 17 tetor 1981 në varrezat e Skarbekut në Bruksel. Pas çlirimit të Kosovës, më 2001, u rivarros në vendlindjen e tij, fshatin Uglar të Gjilanit, dhe më 2011 eshtrat e tij u vendosën në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Gjilan. Amaneti i tij ishte i qartë: të prehet në tokën e tij shqiptare.
Trashëgimia dhe vlera patriotike
Dëshmorët e mërgatës, si Vehbi Ibrahimi, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Musa Hoti dhe Enver Hadri, janë shembuj të veprimtarisë pa kompromis për lirinë dhe unitetin e kombit shqiptar. Ata nuk i takojnë asnjë partie politike; ata i takojnë kombit dhe historisë së tij.
Veprimtaria e tij patriotike dhe kurajoja e palëkundur e bëjnë Vehbi Ibrahimin një figurë të paharrueshme. Ai luftoi për lirinë e Kosovës dhe për realizimin e Shqipërisë Etnike, Demokratike dhe të Bashkuar, duke u bërë simbol i idealit dhe i sakrificës maksimale për atdheun.
Në emër të Besëlidhjes Kombëtare Demokratike Shqiptare (BKDSH) dhe të gjithë brezave shqiptarë, kërkohet që emri i tij të nderohet me titullin e lartë dhe suprem – Hero i Kosovës./rajonipress/


