Uji Dea

Bejtullah Kqiku, humanisti që i dha kuptim veprës dhe solidaritetit në Kosovë

/ 8 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Vdekja e Bejtullah Kqikut në gusht të vitit 2006 nuk ishte vetëm humbje familjare. Ajo u përjetua si një dhimbje kolektive nga qytetarët e Gjilanit, Anamoravës dhe më gjerë në Kosovë. Ishte ndarja nga një njeri që gjatë gjithë jetës së tij ndërtoi një model të rrallë humanizmi, përkushtimi shoqëror dhe atdhedashurie praktike, të mishëruar në vepra konkrete dhe ndihmë të drejtpërdrejtë për njeriun në nevojë.

Bejtullah Kqiku ishte një nga figurat më përfaqësuese të bamirësisë moderne kosovare. Ai ndihmoi pa dallim familje skamnore, familje dëshmorësh, invalidë të luftës, institucione arsimore, kulturore e fetare, si dhe projekte kombëtare me rëndësi të veçantë. Ndihmat e tij nuk ishin sporadike, por sistematike, të vazhdueshme dhe të ndërtuara mbi bindjen se pasuria ka kuptim vetëm kur shndërrohet në dobi shoqërore.

Një jetë e ndërtuar mbi punën dhe sakrificën

Bejtullah Kqiku u lind më 10 shkurt 1943 në fshatin Velegllavë të Dardanës, në një familje me kushte të vështira jetese. Humbja e hershme e babait e detyroi që në moshë shumë të re të marrë përgjegjësinë për familjen, duke u përballur me realitetin e rëndë social dhe ekonomik të kohës. Rrugëtimi i tij jetësor nisi me punë të rënda fizike, emigrim të përkohshëm dhe përpjekje të pandërprera për mbijetesë.

Pas shpërnguljes në Gjilan në vitin 1964, Kqiku fillimisht punoi si taksist, ndërsa më vonë si shofer autobusi në Ndërmarrjen Transportuese “Kosovatrans”, ku për afro dy dekada shërbeu në linja vendore dhe ndërkombëtare. Kjo përvojë e gjatë pune i dha jo vetëm siguri ekonomike, por edhe njohje të gjerë të realitetit shoqëror të Kosovës dhe mërgatës shqiptare.

Ndërtimi i një modeli ekonomik me përgjegjësi shoqërore

Nga viti 1990, Bejtullah Kqiku hyri në sipërmarrje private duke themeluar kompaninë “Bejta Commerce”, e cila më vonë u shndërrua në një nga ndërmarrjet më të rëndësishme prodhuese në fushën e drurit, ndërtimit dhe industrisë së materialeve ndërtimore në Kosovë. Ai ishte ndër pionierët e ekonomisë private vendore, duke investuar në prodhim, punësim dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Veprimtaria e kompanisë së tij nuk u kufizua vetëm në fitim. Ajo u shndërrua në instrument solidariteti, duke mbështetur bibliotekat me libra, botimin e veprave shqipe, ndërtimin e shkollave, ambulancave, xhamive, lapidarëve dhe memorialeve kombëtare. Për këtë arsye, Bejtullah Kqiku u quajt me të drejtë “Miku i madh i librit” dhe një nga mbështetësit më të mëdhenj të arsimit dhe kulturës shqiptare.

Kontributi gjatë luftës dhe pasluftës

Gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bejtullah Kqiku u angazhua drejtpërdrejt në mbështetjen logjistike të luftëtarëve, duke vënë në rrezik jo vetëm veten, por edhe familjen e tij. Ai kontribuoi me ushqime, veshmbathje, shtretër, mjete transporti dhe ndihmë financiare, ndërsa shtëpia e tij u granatua nga forcat serbe.

Pas luftës, ndonëse u nis nga kushte tejet të vështira, ai vazhdoi me këmbëngulje të rindërtojë bizneset dhe njëkohësisht të ndihmojë kategoritë më të prekura të shoqërisë, duke u bërë një shtyllë e rëndësishme e rimëkëmbjes ekonomike dhe sociale të vendit.

Trashëgimia morale dhe shoqërore

Mobi Casa

Figura e Bejtullah Kqikut është vlerësuar gjerësisht nga personalitete të jetës politike, fetare dhe shoqërore të Kosovës. Ai është krahasuar me Nënën Terezë për përkushtimin e tij të pakushtëzuar ndaj njeriut në nevojë. Sipas bashkëkohësve të tij, pothuajse nuk ka pasur projekt kombëtar ku ai të mos ketë qenë i përfshirë.

Bejtullah Kqiku ndërroi jetë më 11 gusht 2006, në moshën 63-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Megjithatë, vepra e tij humane mbetet e gjallë dhe vazhdon të frymëzojë breza të rinj, si shembull se si puna, ndershmëria dhe humanizmi mund të shndërrohen në forcë zhvillimi kombëtar.

Trashëgimia e tij nuk është vetëm ekonomike, por mbi të gjitha morale: një dëshmi se njeriu që jeton për të tjerët, nuk vdes kurrë.

Bejtullah Kqiku do të mbetet i pranishëm në kujtesën kolektive jo vetëm si një emër, por si një filozofi jete e ndërtuar mbi punën, sakrificën dhe përkushtimin ndaj atdheut. Ai është dhe do të mbetet frymëzim për të gjithë ata që patën fatin ta njohin, por mbi të gjitha për gjeneratat e reja, të cilat në figurën e tij gjejnë shembullin se si ndërtohet jeta me ndershmëri, guxim dhe përgjegjësi shoqërore.

Trashëgimia e tij nuk u shua me ndarjen nga jeta. Ajo vazhdon të marrë formë konkrete përmes veprave, vizioneve dhe investimeve që sot po realizohen nga djali Ademi dhe nipërit Blini dhe Bejta, djemtë e tashmë të ndjerit Basri Kqiku, të cilët edhe pas vdekjes së të atit dëshmojnë se janë bij të një shkolle jete të rrallë. Ndërtimi i Bazës së re të Asfaltit, pikërisht aty ku Bejta kishte projektuar më herët, është dëshmi e vazhdimësisë së një misioni që nuk njeh ndërprerje.

Kjo nuk është vetëm realizim infrastrukture, por një akt memorieje, përgjegjësie dhe besnikërie ndaj idealit të trashëguar: të punosh për vendin, të ndërtosh për të ardhmen dhe të mos e harrosh kurrë rrugën nga ke ardhur.

Rrëfim nga zemra: Si u nda Xhevrija nga një baba që u përkiste të gjithëve

Dëshmia e vajzës së tij, Xhevrije, shpalos dimensionin më njerëzor dhe më të thellë të figurës së Bejtullah Kqikut, atë të prindit që tejkalon kufijtë biologjikë dhe shndërrohet në strehë morale për shumëkënd. Me zë të thyer nga emocioni, ajo kujton se dhimbja për humbjen e babait është e papërfytyrueshme, jo vetëm sepse humbi prindin, por sepse u nda nga një njeri që ishte “prind” edhe për të tjerët, për ata që trokisnin në derën e zyrës së tij me shpresën e fundit.

Sipas saj, Bejtullah Kqiku nuk njihte indiferencë përballë nevojës njerëzore. Ai nuk i kthente kurrë shpinën askujt. Ndihmonte pa llogari, pa zhurmë dhe pa pritje shpërblimi. Xhevahirja dëshmon se me sytë e saj e kishte parë sesi ai nxirrte paratë nga xhepi për t’ua lehtësuar barrën njerëzve në hall, duke e bërë bamirësinë pjesë të përditshmërisë dhe jo akt të jashtëzakonshëm.

Raporti i saj me të atin ishte më shumë se lidhje prind-fëmijë. Ai ishte shok jete dhe bashkudhëtar në punë, një figurë mbështetëse nga e cila nuk u nda as në ditët më të rënda të sëmundjes. Përpjekjet për shërimin e tij, përfshirë trajtimin jashtë vendit, mbetën të pafrytshme përballë një sëmundjeje të rëndë, por nuk e shuan dot forcën e kujtimit dhe as madhështinë e veprës së tij.

Lotët që i rrjedhin ende sa herë përmendet emri i tij janë dëshmi e një dhimbjeje të thellë, por edhe e një krenarie të heshtur. Sepse jeta e Bejtullah Kqikut nuk u mat me fjalë, por me vepra: me qindra e mijëra familje skamnore të ndihmuara, familje dëshmorësh e luftëtarësh të mbështetura, rrugë, shkolla e ambulanca të ndërtuara, si dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në botimin e librit shqip. Pikërisht për këtë përkushtim ndaj dijes dhe kulturës, ai u cilësua me të drejtë si “Miku i madh i librit”.

Në rrëfimin e vajzës së tij, Bejtullah Kqiku shfaqet jo vetëm si figurë publike e humanizmit, por si një njeri i plotë, që jetoi për të tjerët dhe la pas një trashëgimi morale që nuk zbehet me kohën./rajonipress/