Botëkonceptime dhe perspektiva poetike
Poezia e Gjergj Fishtës, sa i përket poetikës së tij dhe perspektivave të krijimit, varion nga vepra në vepër. Ai herë na shfaqet si një romantik i vonuar, herë si një poet me nota realiste. Derisa te “Lahuta e Malësisë”, na paraqitet me një tip të artit nacionalist e folklorik, me vargje të ngjashme si të ciklit të “Këngëve të Kreshnikëve”, te “Mrizi i Zanave” dhe “Vallja e Parrizit” kemi një mënyrë tjetër të krijimeve, ku më nuk shohim intencën autoriale për krijimin e epit nacional, por për krijimin e lirikave nacionale. Në këto dy vepra kemi edhe poezi me temë fetare, por edhe disa poezi që kanë tematikë shoqërore.
Poezia shqipe në periudhën në mes të dy Luftërave Botërore shënon njërën nga etapat më të arrira në mbarë historinë e zhvillimit të letërsisë shqipe në përgjithësi. Me këtë periudhë identifikohen katër poetë, si Migjeni, Fan S. Noli, Gjergj Fishta dhe Lasgush Poradeci, që paraqesin poetika dhe perspektiva të ndryshme, si tematike, po ashtu edhe botëkonceptime të ndryshme mbi artin poetik.
Në mes të tyre më shumë hasim dallueshmëri sesa ngjashmëri tematike, ideore apo stilistike e formale. Secili është më ndryshe se tjetri dhe më i veçantë se tjetri. Po që se, ndonjëherë tentojmë ta bëjmë një hierarki të vlerës së tyre apo të renditjes së tyre, do të jetë një “aventurë” e vështirë mu për shkak të këtyre dallueshmërive. “Hierarki” të tilla kanë bërë vetëm interpretimet e studimet ideologjike, duke e lënë herë para Migjenin e Nolin e herë para Fishtën, varësisht prej ngjyrave politike e partiake të këtyre interpretimeve. Studiuesit me orientime të majta gjithnjë e kanë vënë para Migjenin e Nolin, ndërsa e mohonin Fishtën, ndërsa ata me orientime të djathta e vënin para Fishtën, ndërsa i lënin anash Migjenin e Nolin. Lasgushi, meqë ishte poet i dashurisë, ishte i pranueshëm për të dy palët.
Sa i përket mënyrave të krijimit poetik apo poetikës, mund të themi se poezia e Migjenit ka një afri me atë të Nolit, por një dallim të theksueshëm me atë të Fishtës dhe Lasgush Poradecit. Arti poetik i Migjenit ka elemente të poetikës realiste, me nuanca të theksuara të ekspresivitetit dhe të një realizmi social, ndërkaq te Noli shquhen notat e ekspresionit realist, me një sipërtheksim të diskursit politik, ani pse ai i fshehur përmes figurës alegorike e biblike. Te i dyti kemi një rikontekstualizim të figurave biblike, si ta zëmë te asaj të Krishtit, të cilin ai e shfrytëzon për ta plasuar mesazhin autorial, që është i identifikueshëm me idetë e tij politike. Pra, kemi një element të kriticizmit politik në poezitë e Nolit, të cilin nuk e kemi në ato të Migjenit, pikë që i bën të dallueshëm këta dy poetë.
Poezia e Gjergj Fishtës, sa i përket poetikës së tij dhe perspektivave të krijimit, varion nga vepra në vepër. Ai herë na shfaqet si një romantik i vonuar, herë si një poet me nota realiste. Derisa te “Lahuta e Malësisë”, na paraqitet me një tip të artit nacionalist e folklorik, me vargje të ngjashme si të ciklit të “Këngëve të Kreshnikëve”, te “Mrizi i Zanave” dhe “Vallja e Parrizit” kemi një mënyrë tjetër të krijimeve, ku më nuk shohim intencën autoriale për krijimin e epit nacional, por për krijimin e lirikave nacionale. Në këto dy vepra kemi edhe poezi me temë fetare, por edhe disa poezi që kanë tematikë shoqërore.
Poetika e vargjeve të Lasgushit është krejt e ndryshme në raport me atë të tre poetëve të mëparshëm. Në të shfaqet një lloj vazhdimësie, por edhe dalje e natyrshme prej poetikës së lirikës së dashurisë së poetëve romantikë evropianë, por dhe të atyre shqiptarë, si Naimi e Asdreni. Po ashtu, poezia e tij, për herë të parë në letërsinë tonë integron elementet e poetikës simboliste, e ndikuar nga poezia evropiane, si ajo e Sharl Bodler. Në këtë kontekst, në poezinë e Lasgushit shohim për herë të parë në letërsinë shqipe shfaqjen e elementeve të modernitetit letrar.
Migjeni dhe Noli e kanë si premisë angazhimin, poezinë e angazhuar, por për dallim prej Nolit, te i cili ky angazhim manifestohet si kritikë politike, te Migjeni ai manifestohet si kritikë sociale. Si poet i angazhuar është edhe Gjergj Fishta, te i cili ky tipar shfaqet si angazhim nacional e religjioz, e herë-herë edhe shoqëror e politik, që është dallueshëm prej atij të Nolit për shkak të dallimeve të tyre konceptuale dhe botëkuptimeve të tyre ideologjike. Lasgush Poradeci bën përjashtim në këtë mes, meqë “angazhim” i tij i vetëm në atë kohë mbetet poezia për dashurinë.
Poezinë e Migjenit dhe atë të Fishtës e bashkon vetëm dialekti, shkrimi i saj në dialektin verior gegë, ndërsa i ndan qasja dhe perspektiva e tyre tematike. Derisa Fishta hiperbolizon të bëmat heroike, Migjeni e shpërfaq realitetin në përmasat e vogëlsisë. Derisa “Malësori” i Fishtës është hero ballëhapur, ai i Migjenit është në zgrip të ekzistencës së tij, është i përplasur nga dallgët e mjerimit dhe vuajtjes. Derisa, heroi lirik i Nolit, Maratonomaku, kërkon ndryshimin shoqëror e politik, ai i Migjenit as që mund ta paramendojë atë. Ndërsa, Oso Kuka i Fishtës as që e ka këtë “hall”. Problemi i tij është me armikun etnik të kombit të tij.
Si zgjidhje për Migjenin është Mbinjeriu niçean, njeriu që do të vijë, i vetmi i cili mund ta bëjë ndryshimin. Për Nolin zgjidhje do të ishte transformimi i heroit të tij lirik e autoideografik, Krishtit, i cili do të mund ta bënte ndryshimin po ta përdorte edhe “kamxhikun” dhe jo vetëm mirësinë. Gjersa, Fishta zgjidhjen e sheh te binomi “fe e atme”, si një formulë magjike që, sipas tij, mund ta nxirrte etninë tonë nga katrahura. Derisa, heronjtë e poezisë së Fishtës, Migjenit dhe Nolit orvaten t’i ndryshojnë rrethanat ekzistuese, ata të Lasgush Poradecit as që e qajnë kokën për këtë gjë. Trimit dhe Vashës së Lasgushit iu mjafton vetëm ndjenja eternale, dashuria. Iu mjafton që t’u flas “ylli i zemrës” dhe të fluturojnë së bashku në “vallen e yjeve”, ku nuk ka as etni e as ideologji./Zeri/


