Nazmi Halili i uron titullin Dritës dhe kujton kohët e vështira të klubit
Gjilan – Skuadra e Dritës gjatë viteve të saja ka pasur baticat e zbaticat e saja, “bardhekaltërtit” e Dritës për herë të tretë stolisen me titull të kampionit ndërsa një herë është fituese e Kupës dhe Superkupës së Kosovës.
Gjatë jetës dhe mbijetesës së Dritës ndër vite, ish-sekretari i klubit të Dritës gjatë viteve 1991-99 Nazmi Halili, i emocionuar kujton së pari uzurpimin e fushave të futbollit dhe largimin e futbollistëve nga arenat futbollistike, duke ju ndërprerë karrierën shumë talenteve të futbollit.
“Gjithçka ishte e uzurpuar, futbollistët me dhunë largohen nga fushat e blerta dhe kishim mbetur pa stadium, pa top, pa rekuizita, e pa fanella, gjithçka pushteti serb kishte rrënuar, gjithçka ishte mjerim, futbollistët kishin mbet në rrugë por dëshira e vullneti ka bërë që të organizohemi për ti riaktivizuar garat në vitin 1991”, kujton sot me nostalgji ish-sekretari i FC Dritës, Nazmi Halili.
Me gjithë vështirësitë nga pushtuesit Serb, arrijnë që të riaktivizohet FC Dritën në vitin 1991 dhe kjo për “bardhekaltërtit” duhet shënuar me shkronja të arta.
“Me gjithë pengesat që i kishim pranë vetës arritëm ta riaktivizojm FC Dritën, në garat Republikane të asaj kohe dhe vjen dita e shumë pritur e 14 shtatorit të vitit 1991, kur kemi zhvilluar ndeshjen e parë në Llukar afër Prishtinës ndaj Beslidhjës duke triumfuar me rezultat 3-1, me këtë ndeshje ne kemi shkruar historinë e klubit dhe shtetit të Kosovës”, thekson me nostalgji Halili.
Ish-Sekretari i Dritës, Nazmi Halili, tregon se shumë herë ishte i kërcënuar nga Policia serbe e asaj kohe.
“Asnjëherë në jetë nuk kam pasur frikë, të gjitha dokumentet e klubit i mbaja me vete dhe isha krenar që po kontribuoja për futbollin e shtetit të Kosovës, isha krenar që po mbaja gjallë dokumente te çdo futbollisti, isha i kërcuar edhe me vdekje, por kjo aspak asnjëherë nuk më ka bërë përshtypje, ndërsa sot plot pas 30 vite me nostalgji mbaj çdo dokument të udhëtimit, shpenzimet të cilat i kemi pasur, donatorët e ndryshëm, ato i ruaj sepse ato janë pjesë e historisë që nuk i ndërroj për asnjë çmim të botës”
Nazmi Halili ishte jashtëzakonisht i emocionuar që brenda 20 vitesh, FC Drita shpallet tri herë kampione e Kosovës, një herë fituese e Kupës së Kosovës, dhe një herë fituese e Superkupës së Kosovës.
Ish-sekretari i “bardhekaltërve” të Dritës, Halili ka uruar Dritën për titullin e kampionit në këtë edicion.
“Jam krenar dhe i lumtur që pas asaj errësire të futbollit të Kosovës, pas atyre vuajtjeve të gjenerata të ndryshme të Dritës, emrin e Dritës po e lartësoni çdo ditë e më shumë, heronjët gjithmonë dalin fitimtar edhe pse gjatë rrugëtimit të tyre ka sakrifica lufta gjithmonë fitohet. Me respekt të thellë uroj së pari të gjithë atyre njerëzve ku ndër vite kanë bërë të pamundurën të mundur që ky emër i madhe që simbolizon dritën e gjithësisë të shkëlqej dhe të bënë dritë për jetë e mote, dhe kurrë mos i harroni vuajtjet e sakrificat që janë bërë për FC Dritën”, thekson i emocionuar ish- sekretari i Dritës gjatë viteve 1991/99, Nazmi Halili./rajonipress/


