ARKATANA

“NYT”: Anulimi i samitit Kosovë-Serbi në Washington, goditje për politikën e jashtme të Trumpit

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Një iniciativë e ndërmjetësuar nga SHBA-ja për të stabilizuar Ballkanin, me çka administrata Trump shpresonte se do të lëmonte kredencialet e politikës së vet të jashtme në një vit zgjedhor, u shty të enjten pasi një prej pjesëmarrësve kryesorë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pranoi lajmin për aktakuzë për krime lufte, raporton “The New York Times”.

Thaçi është pritur të takohet të shtunën në Shtëpinë e Bardhë me homologun e tij serb, Alleksandar Vuçiq, në një samit të ndërmjetësuar nga Richard Grenelli, i dërguar special i presidentit Trump.

Zyrtarët amerikanë shpresuan se ky tubim do të shtronte rrugën për zgjidhjen përfundimtare të tensioneve të vjetra mes dy vendeve ballkanike.

Lidhjet e transportit mes dy vendeve mbesin të kufizuara ndërsa raportet ekonomike janë të tendosura, transmeton Zeri.info.

Grenelli shpresonte se samiti i së shtunës do të mund të nxiste raportet tregtare dhe biznesore mes dy vendeve, duke ofruar një momentum për biseda tjera të paqes gjatë këtij viti.

Por të mërkurën, procesi u rrotullua nga prokurorët në Holandë, të cilët njoftuan se kanë ngritur aktakuzë për krime lufte kundër Thaçit për rolin e tij të pretenduar në vrasjen dhe abuzimin e serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës derisa ishte lider i UÇK-së gjatë luftës së Kosovës më 1998-99 dhe pas luftës.

Akuzat duhet ende të konfirmohen nga gjykatësit e gjykatës speciale, e cila u formua nga Parlamenti i Kosovës më 2015 për t’i gjykuar kosovarët e akuzuar për krime lufte, dhe është e bazuar në Holandë për t’i mundësuar stafit të tij ndërkombëtar të operojë më lirshëm.

Thaçi menjëherë e anuloi vizitën e tij në Washington, një veprim ky që u pasua menjëherë nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Të enjten, një këshilltar i presidentit serb tha se takimi është anuluar. Grenelli konfirmoi në Twitter se takimi mund të ricaktohet, por nuk përmendi ndonjë datë.

Më shumë se 13,000 njerëz u vranë në luftën në Kosovë dhe pas saj, sipas shifrave të përpiluara nga Qendra për të Drejtën Humanitare, një organizatë e pavarur për të drejtat e njeriut me zyra edhe në Kosovë edhe në Serbi.

Uji Dea

Shumica prej tyre ishin shqiptarë të Kosovës të vrarë nga forcat serbe, shpesh në vrasje masive për çka pak serbë janë mbajtur përgjegjës. Por mbi 2,000 serbë, shqiptarë të Kosovës dhe romë u branë ose nga bombardimet e NATO-s ose nga grupe guerile kosovare, sikurse Ushtria Çlirimtare e Kosovës, drejtimin e së cilës e ndihmoi Thaçi, transmeton Zeri.info.

Zyra e Thaçit refuzoi të komentonte mbi akuzat, ku përfshihen vrasje, persekutime dhe tortura, por vazhdimisht i ka mohuar këto pretendime. Një politikan tjetër që i përmendet emri në aktakuzë – Kadri Veseli, i cili e drejton partinë e themeluar nga Thaçi – të mërkurën i mohoi akuzat.

Shtyrja e samitit i vë kapakun disa muajve me shumë zhvillime për Grenellin dhe karrierën e tij në politikën e jashtme.

Mes shkurtit dhe majit, ai shërbeu si drejtor në detyrë i Trumpit për inteligjencë kombëtare, e në të njëjtën kohë shërbente edhe si ambasador amerikan në Gjermani, një rol të cilin e dorëzoi në maj, e po ashtu edhe si i dërguar special i Trumpit për bisedimet paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, rol të cilin e ka mbajtur.

Gjatë shkurtit dhe marsit, ai u bë një figurë shumë ndarëse në Kosovë sepse i bëri presion të madh politikanëve kosovarë ndërsa për Serbinë, aleatin e Rusisë, kishte pak kërkesa, transmeton Zeri.info.

Ajo që është më kontroversja është se ai u pa duke mbajtur anë në mosmarrëveshjen politike mes Thaçit dhe Albin Kurtit, kryeministrit të atëhershëm.

Pasi Grenelli foli publikisht kundër Kurtit, ky i fundit u braktis nga partnerët e koalicionit të tij, duke çuar në rrëzimin e qeverisë dhe duke shkaktuar krizë kushtetuese në Kosovë.

Në maj, Grenelli u kritikua për politizimin e zyrës së drejtorit të inteligjencës kombëtare kur deklasifikoi dokumente të ndërlidhura me ish-këshilltarin për siguri kombëtare të Trumpit, Michael T. Flynn.