Zeneli shkëlqen në fitoren e Suedisë, kontribuoi te goli i parë
Mesfushori kosovar Besfort Zeneli ka qenë titullar dhe ka zhvilluar 63 minuta në fitoren e Suedisë ndaj Polonisë me rezultat 3-1, në ndeshjen e zhvilluar të hënën mbrëma në kuadër të Grupit B4 të Ligës së Kombeve.
Zeneli pati një paraqitje pozitive në mesfushën suedeze dhe ishte i përfshirë drejtpërdrejt në aksionin e golit të parë.
Në minutën e tetë, krosimi i tij në zonë u shfrytëzua nga Benjamin Nygren, i cili me kokë e dërgoi topin në rrjetë për epërsinë e vendasve.
Mesfushori kosovar pati edhe mundësinë të shënonte vetë. Në minutën e 23-të, Zeneli goditi me kokë pas një krosimi nga Daniel Svensson, por topi përfundoi pak mbi portën e Polonisë.
Polonia arriti ta barazojë rezultatin në fundin e pjesës së parë, kur Sebastian Szymanski shënoi në minutën e 43-të, duke bërë që skuadrat të shkonin në pushim me rezultatin 1-1
Suedia e nisi më mirë pjesën e dytë dhe e riktheu epërsinë në minutën e 64-t, me Yasin Ayarin.
Vetëm tetë minuta më vonë, Viktor Gyokeres shënoi për 3-1 dhe vulosi fitoren e vendasve. Zeneli u zëvendësua një minutë para golit të Ayarit, në minutën e 63-të.
Kjo ishte fitorja e dytë e Suedisë në po aq ndeshje në këtë edicion të Ligës së Kombeve. Pas triumfit 2-1 ndaj Rumanisë në ndeshjen hapëse, suedezët tani kanë gjashtë pikë dhe kryesojnë Grupin B4.
Për Poloninë, kjo ishte humbja e parë në grup. Pas barazimit pa gola ndaj Bosnjë-Hercegovinës në ndeshjen e parë, polakët mbeten me një pikë në tabelë.
Me fitoren ndaj Polonisë, Suedia vazhdoi gjithashtu serinë e rezultateve pozitive ndaj këtij kundërshtari në shtëpi.
Sipas SVT Sport, Polonia nuk ka arritur ta mposhtë Suedinë në tokën suedeze që nga viti 1930. /Telegrafi/


