Futbollisti kosovar e merr “aminin” nga FIFA, tash mund të luajë për Malajzinë
FIFA ia ka dhënë Liridon Krasniqit lejen për të luajtur për Kombëtaren e Malajzisë. Ky lajm i ka gëzuar pa masë tifozët e vendit aziatik. Mesfushori kosovar mund të luajë për Malajzinë që nga ndeshja kualifikuese e Botërorit 2022 me Emiratet e Bashkuara Arabe
Liridon Krasniqi e ka kompletuar tashmë dokumentacionin dhe tash e tutje mund ta veshë fanellën e Kombëtares së Malajzisë, shkruan Gazeta Express.
Në fakt, futbollisti kosovar do të bëhet lojtari i dytë i natyralizuar i Malajzisë.
Lajmin e ka bërë të ditur sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Malajzisë, Stuart Ramalingam.
Ai ka zbuluar se e ka marrë letrën e aprovimit nga ana e FIFA-s për Krasniqin.
Ky lajm i ka gëzuar pa masë tifozët malajzias pasi besojnë se mesfushori kosovar do të luajë rol kyç në ekipin e tyre kombëtar.
“Është e vërtetë që Liridoni do të mund të luajë kundër Emirateve të Bashkuara Arabe. Por, duhet të presim derisa Liridoni t’i bëjë pesë vjet që luan në Malajzi. Ai i ka bërë pesë vjet më 25 mars dhe ndeshja e jonë kundër Emirateve të Bashkuara ishte më 26 mars. Dhe, pas shtyrjes së ndeshjeve kualifikuese të Botërorit, FIFA na ka dërguar letrën”, deklaroi Ramalingam në konferencë për shtyp.
Më 3 shkurt, Federata e Futbollit të Malajzisë kishte njoftuar se Liridoni e ka marrë nënshtetësinë e këtij vendi.
Ai nuk mund të luante kundër Emirateve të Bashkuara Arabe, por për fatin e tij të mirë, kjo ndeshje ishte shtyrë shkaku i pandemisë koronavirus.
Krasniqi në të kaluarën kishte luajtur për Shqipërinë dhe Kosovën për një kohë të shkurtër.
Por, pasi Verdhekaltrit nuk e thirrën më, ai vendosi t’i thotë “PO” Malajzisë, ku po luan me sukses tash e pesë vjet. /Gazeta Express/


